Letërsi

Poezia kanadeze - Nga Vangjush Ziko

Nga: Vangjush Ziko

Në epokën tonë të komunikimit global elektronik, poezia botërore, ku më shumë dhe ku më pak, është e lidhur me ecurinë e artit poetik, në përgjithësi, me ecurinë e tij bashkëkohore.

Poezia kanadeze, për vetë specifikën e krijuesve të saj me origjina dhe tradita të ndryshme kombëtare, është e hapur, që në fillimet e saj, ndaj prirjeve më të reja të rrymave, apo shkollave letrare moderne. Në të ndjehen dhe reflektohen, veçanërisht, përvojat e poezisë angleze dhe të asaj franceze. Një gjë është evidente, kjo poezi nuk priret ndaj poezisë politike qytetare. Në të nuk trajtohen tema të patriotizmit nostalgjik apo problemet aktuale shoqërore. Ajo është një poezi, e cila trajton, thuajse tërësisht dhe ekskluzivisht tematikën intime, meditime mbi jetën e përditshme, me problemet e saj të trajtuara në planin filozofik ekzistencial, jetën dhe vdekjen, njeriun e kohës sonë me ankthin e vetmisë dhe raportet e tij me natyrën. Bota përtej kufijve, problematika ndërkombëtare është gati inekzistente. Ajo është një poezi thellësisht lirike dhe aspak politike. Edhe vetë himni kanadez me devizën e tij “Canada our home and nativ land” (Kanadaja shtëpia dhe vendi ynë i lindjes) bën fjalë për një “patriotizëm” të veçantë, që është larg patriotizmit klasik. Raporti i banorëve të saj (dhe i poetëve) me vendin është i diferencuar emocionalisht, por jo i shkëputur; “we stand on guard for the” (ne qëndrojmë në roje për ty) mbyllet deviza e himnit kanadez.

Për ilustrim po sjell vetëm pesë stile të pesë personaliteteve poetike kanadeze të afirmuara, përgatitur dhe përkthyer prej meje.

Mark Strand (1934 - 2014) me origjinë amerikane, i lindur në Kanada, poezia e tij me motive intime përdor një gjuhë të thjeshtë e konkrete; vargu i tij është i parimuar dhe pa ritëm të përcaktuar rigorozisht. Strand është një poet surrealist. Ai e ka quajtur veten e vet, në vitin 1971, si pasues të stilit të ri ndërkombëtar, që parapëlqen një diksion të përgjithshëm dhe të thjeshtë të mbështetur në teknikën e surrealizmit, me elemente të fuqishme përshkruese. Fitues i shumë çmimeve letrare.

MBETURINAT

E liroj veten nga emrat e të tjerëve. Zbraz xhepat.

Pantoflat bosh i vendos përbri rrugës.

Natën e kthej prapa orën;

Hap albumin familjar dhe shoh veten time kalama.

 

Ç'fitoj nga kjo? Ora e bëri punën e saj.

Shqiptoj emrin tim. I them lamtumirë.

Fjalët ndjekin njëra-tjetrën nëpër erë.

E dashuroj gruan time, por e zboj.

 

Prindërit e mi dalin nga fronat e tyre

Në dhomat qumështore të reve. E si mund të këndoj unë?

Koha më thotë se kush jam unë. Unë ndërroj dhe jam prapë ai.

E boshatis veten nga jeta, dhe mbetet prapë jeta ime.

 

Margaret Atwood (lindur 1939, Ottawa, Ontario) shkrimtare, poete, kritike letrare e shquar kanadeze, shkruan në gjuhën angleze; laureate e disa çmimeve letrare kanadeze dhe evropiane, Kalorëse e Urdhërit të Kanadasë. Ka publikuar 15 vëllime poetike. Shumë prej poezive të saj frymëzohen nga mitet dhe përrallat, të cilat e tërhiqnin që në moshë të re.

POEMA E NATËS

Mos u tremb,

Është era

që shkon në lindje, është

Ati yt gjëmimi

Nëna jote shiu

 

Në këtë vend uji

Me maskën e kërpudhës së hënës,

Kërcunjtë dhe zogjtë e mbytur

Që lundrojnë mbi ujë

Mbuluar me myshk

Dhe hija jote s'është hije

Veç pasqyrimi,

 

Prindërit e vërtetë zhduken

Kur perdja mbyll derën tuaj,

Ne jemi të tjerë,

Ata të ishullit

Rrimë të heshtur përbri krevatit tënd

me kryet të mjegulluara

si të mbuluara me flokë të kuq,

Të përlotur dhe me një psherëtimë të largët.

 

Ju lëkundni në krahët e shiut

Koçekun e ftohtë të ëndrrës suaj

duke pritur natën,

Babai dhe nëna,

Me duart e ftohta dhe fenerët e vdekur,

Ne e dimë që jemi vetëm

Hija e qiriut që dridhet

Këtë jehonë do dëgjoni

Njëzet vjet më vonë

 

Gwendolyn Margaret MacEwen (1941 – 1987), poete dhe romanciere e shquar që botoi 20 libra gjatë jetës së saj. Atë e kanë cilësuar si një krijuese e sofistikuar, e stërholluar, e gjerë dhe mendimtare. Atë e dallon ndjenja e magjishme, misteri i njohjes dhe mrekullimi nga raporti midis jetës dhe vdekjes; ligjërimi i saj poetik rrjedh lirshëm, pa sforcime, me një logjikë të saktë dhe të qartë, pa u përpjekur aspak për ta stolisur me lulelajle figurative. Mendimi kritik vendas e radhit atë midis poetëve më të mirë kanadezë. Është laureate e shumë çmimeve letrare.

PISHAT E ZEZA NËN UJË

Kjo tokë, si pasqyra, ju shndërron në thellësi të saj

Dhe bëheni ju pyll në liqenin grabitqar;

Pishat e zeza të mendjes suaj mbyten në thellësi,

Ju sillni ndërmend blerimin e kohës suaj,

Kujtesa juaj është ky rresht i pishave të mbytura.

 

Eksplorues, thoni me vete, ju erdhët jo sepse

këtu do të gjelbëroni më mirë,

Ju deshët të bënit një hap të madh,

planifikuat një bukuri hijerëndë, një ëndërr sfilitëse.

 

Por pishat e zeza të mendjes suaj fundosen thellë e më thellë

Dhe ti mbytesh, e mbytesh i përgjumur

Në botën elementare;

Ku ka diçka që ti kërkon ta mësosh.

 

Erin Moure (lindur 1955 në Calgary) poete dhe përkthyese. Stili i saj është i veçantë, aspak i thjeshtë. Ajo është një poete kërkuese në formë dhe në përmbajtje. Në qendër të krijimtarisë së saj janë ngjarje dhe meditime të jetës së përditshme. Krijimtaria dhe filozofia e saj krijuese është e ndërlikuar, larg konceptit të zakonshëm të të menduarit dhe shijeve të ngulitura të lexuesve mbi artin poetik. Ajo guxon dhe eksperimenton me përmbajtjen dhe me gjuhën poetike dhe pëlqen figuracionin abstrakt. Poezitë e saj pasqyrojnë dallimin dhe lidhjet reciproke midis gjuhës, historisë dhe personit. Erin Moure ka fituar shumë çmime prestigjioze për poezinë e saj dhe për përkthimet.

 

* * *

Përsëri u gënjye

Shpresa

Zhurmë lëkundëse në kokë, apo

bajame

Reaksion i vazhdueshëm në gojën e lagësht

Portokaj bajatë apo

 Gabime në formë

“Unë e ruaj kujtesën e qartë mbi kohën ditore”

Shtylla kurrizore shpalos krahun,

krahun më të vogël,

Kënaqësi nga fijet e këtij krahu

(Korda të harpës)

Është miceli ynë

 

Desi Di Nardo (lindur më 1972 në Toronto) është një poete dhe shkrimtare e talentuar. Është një zë i veçantë në poezinë kanadeze që dallohet për delikatesën e ndjenjës. Poezia e saj shquhet për ritmin dhe figuracionin e spikatur, me një dashuri të veçantë për natyrën, plot emocione të thella lirike. Poezia e Di Nardo përcjell dialektikën e natyrës të personifikuar dhe të përshkruar me nota romantike shumëngjyrëshe. Ajo na përcjell një vështrim plot gjallëri e të thellë të jetës dhe të natyrës njerëzore. “Natyra, shprehet ajo, ka qenë dhe do të ruajë prirjen e mrekullueshme për t'i shëruar dhe shpëtuar njerëzit”.

 

VAGABONDËT E BUKUR

Nuk jam pistil i lules ose

Farë e bymyer mbytur me polen

Por figurë e veçantë që pres

Me pëllëmbët si kupë të bëhem

Vrasëse e bulkut, bletës dhe molës

Ujësjellës shpirtëror,

I papërshkueshë nga pasqyrat e thella ujore

Dhe lulet e lotosit, me rrënjë në kënetë

Vështromë

Vështromë mua

Jam dallëndyshe e dashuruar me erën

Më e lehtë se era

Rilindje që dridhem vazhdimisht

Nën kërcënimin e shiut

 

©Flasshqip.ca