Letërsi

Godo vjen - Nga Ndue Ukaj

Është natë dhe bubullimat s’kanë të ndalur.

Ty të dridhet trupi i lagur nga shiu i rrëmbyeshëm, nën pemën e jetës

duke pritë Godonë.

Pritja t’ka shndërru në statujë moderne,

ku folenë e jetës kanë korbat e natës

e zogjtë vetmitarë.

Është natë dhe prej reve të trazuara dëgjohet një shkundullimë e furishme.

Por ti s’dëgjon-

se veshët t'janë mbyllë nga krimba që ngjiten në trupit tënd- si krimbat në trupin e plakut që priste para Portës së Ligjit në tregimin e Franc Kafkës.

Ti do të hysh në misterin e Ligjit,

oh jo - të Godosë desha të them.

Oh Zot-

Godo erdhi,

me shikimin e mrrolur e thesin e shkyer.

Me dëshira të humbura gjatë rrugës së gjatë të kthimit

nën pemën e jetës ku ti e prite pafundësisht.

Ti s’e njohe!

Ai erdhi me trajtat e një fytyre që s’e kishe imagjinuar kurrë.

Me zërin e lodhur që s’e kishe dëgjuar kurrë,

me shikimin e trazuar që s’e kishe parë kurrë.

Trishtimi ta shtang trupin

e krimbat përplasën tokës,

prej trupit tënd të shndërruar në pritje.

Llahtarshëm kape kokën e trazuar

dhe u përplase pas thesit të tij

ku kërkove dëshirat tua të thara si gjethe vjeshte,

nëpër të cilat kanë shkelë këmbë të dehura.

Atëherë lotët vërshuan faqeve tua

dhe qafës tënde.

Ti u hodhe në krahët e dëshpërimit

dhe me duart e dridhura u përpëlite

në shtratin të braktisur,

duke ëndërrua krahëhapur

thesin mbështjellë me ëndrra,

ku një ditë duart butësisht

do të preknin ëndrrën e bukur.

Por Godo erdhi me shikimin e mrrolur dhe thesin e shkyer.

Me dëshira të humbura gjatë rrugës së gjatë të kthimit.

Dhe ti e trishtuar fshive ballin dhe kuptove:

Godo erdhi, por pritja jote mbeti pritje.

(Nga libri “Godo nuk vjen”, 2010