Letërsi

Alo Xhejms, jam unë Marku - Nga Sami Milloshi

Photo by Shutterstock
Nga: Sami Milloshi

Tregim 

Nuk kisha asnjë dollar në xhep. Dhe më pihej, më pihej shumë. Ma kërkonte trupi, ky trupi im nëntëdhjetë e nëntë përqind alkool dhe çfarë mbetet kocka. Prandaj e mora Xhejmsin në telefon që në pikë të mëngjesit, ende pa zbardhur mirë. E tmerrova fare thuaj, se nuk merret njeriu në telefon në atë orë, veç në paç ndonjë hall të madh, larg qoftë, të ka rënë të fikët dhe je shembur përdhe e ke nevojë për doktor. Ose, do që t'i japësh dikujt që e ke në zemër një lajm të hidhur vdekjeje...

Por unë e bëra zemrën gur dhe i thashë Xhejmsit çfarë kisha për t'i thënë.

- Alo Xhejms, - më duhen pesëdhjetë dollarë. Do të m'i japësh?

- Mark- m'u gjegj Xhejmsi- është shumë herët dhe nuk të them as po as jo. E kalofsh gëzuar sot. Do të lidhemi përsëri.

Mua sikur më ra tavani mbi kokë. Si u bëra unë kështu, thosha me vete, lypës që në pikë të mëngjesit. Dhe me kë? Me Xhejmsin. Ai më njeh mua dhëmbë e dhëmballë. Ai e di se për çfarë i dua unë paratë. Se më ka dhënë para edhe më parë dhe nuk më ka kërkuar t'ia kthej. Ai e di se si më merren mua këmbët kur kthehem nga pijetorja i dehur.
Por edhe unë ia di se çfarë zemre të dhembsur ka ai, prandaj edhe ia kërkoj paratë atij, dhe vetëm atij...
I kam kërkuar para edhe tim vëllai, Johnit.

Por ai ndryshe nga miku im Xhejms, ma pret si me sopatë fjalën:

- Ik more pijanec, se i nxore bojën jo vetëm vetes, po edhe mua si yt vëlla! -

E çuditshme vërtet, se vite më parë, kur unë u bëra i famshëm me simfonitë dhe sonatat për piano dhe orkestër si kompozitor, im vëlla më ngjitej pas dhe u bë i njohur edhe ai. Prej meje, natyrisht u bë i njohur në botë...Tani Johni, nuk do t'ia dijë më për simfonitë e sonatat e mia që kanë pushtuar botën, por më hakërrehet mua me mospërfillje, a thua se nuk na e ka bërë e njëjta nënë kokën...

Më vjen keq për Xhejmsin që e zgjova që në pikë të mëngjesit. Dhe për më tepër më vjen keq se i kam premtuar vite më parë të kompozoj një pjesë për flaut për të. I kam pas thënë se do ta kishte gati për Christmas që ta luante në flaut Xhoana, e shoqja e tij. Por, nuk qe e thënë. Nuk qesh i zoti t'ia mbaja fjalën dhe gishtat nuk m'u bindën të ulem në tastierë...

Se ç'kam një parandjenjë se Xhejmsi do të jetë i pari dhe i vetmi njeri që do të më detyrojë mua ta lë pijen dhe të bëhem esëll. Ndoshta sepse unë e kuptoj se sa dhimbje ka ai për këtë batak të llumtë prej pijaneci ku jam zhytyr unë...

Në ndodhtë kështu, atëherë gishtat e mi do të bëhen të gjallë dhe do të fluturojnë
përsëri në piano. Por ajo ditë është ende e largët ose edhe mund të mos vijë fare. Deri atëherë kam nevojë të pi edhe pak, edhe pak, edhe pak....

- Alo Xhejms, Alo, Xhejms, jam unë Marku...
Xhejmsi nuk përgjigjet. Ai së paku nuk ma ka bllokuar numrin e telefonit si im vëlla. Xhejmsi ende ka shpresë në mua se një ditë prej ditësh unë do ta lë pijen. Xhejmsi nuk do të më lëndojë mua me moralizime të thata. Xhejmsi ka frikë të më lëndojë. Ai ka shpresë se unë do të ulem përsëri në tastierë ta kompozoj atë pjesën për flaut që i premtova për Christmas që shkoi.

Mbase për Christmas që vjen gishtrinjtë e mi do të jenë çmpirë. Mbase Xhoana do të luaj në flaut pjesën time si dhuratë për Xhejmsin...

- Alo Xhejms, jam unë Marku....