Letërsi

Asgjë - Nga Ndue Ukaj

Nga: Ndue Ukaj

Qershitë janë pjekë dhe s’janë të ambla si vitin e kaluar.

Babai im thotë se sivjet pranvera ishte e vonuar,

por mua s’më pëlqen ky konstatim.

Atëherë hapa dritaren dhe pashë gjethet e njoma,

ato ngjyra magjike si melodia e kërcimit tënd.

Dhe rrezet e diellit që përthyheshin nëpërmjet degëve të pemës

kah pellgu ku pija ujë si fëmijë.

Oh! Ç’mallëngjim!

Dhe përsëri mendova: ka shumë rrugë që kurrë s’i shkelim;

Ka shumë dhimbje që kurrë s’i përjetojmë;

Ka shumë gëzime që kurrë s’i ndjejmë;

Ka shumë tregime që kurrë s’i kallëzojmë.

Por një dëshirë gjithmonë rri ndezur

si zjarri në gjoksin tund

apo dritarja për ajrosje para ndjenjave pa formë.

Kodra mbi shtëpinë time buzëqeshë çdo mëngjes

kur përshëndetet me rrezet e diellit.

E unë i harlisur hapëroj nëpër pemët e shumta

dhe mbush ujë në kroin e fshatit

aty ku pinë ujë prindërit e mi

aty ku pinë ujë fëmijët e mi.

Dikur s’dija asgjë për Heraklitin,

as për mësimin se vetëm njëherë mund të lahemi në të njëjtin ujë.

Tash shtrij hapin përpara dhe them:

Ka shumë rrugë që kurrë s’i shkelim,

mirëpo disa tregime gjithmonë na thërrasin:

Kah portat e ndërgjegjes si shkohet?

(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, OM, 2017)