Zbulesa - Nga Ndue Ukaj
Me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë:
misteret që na rrethojnë
njohjen e paktë të vetvetes
njeriun që sillet përreth nesh
dhe një urë që kurrë s’e kalojmë.
Me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë:
dëshpërimin pa krah,
yjet që bien nga qielli dhe shkrihen në duart e njoma të tokës.
Është natë dhe errësirë,
por unë refuzoj të shkruaj skica dëshpërimi,
sepse njoh mrekullinë e dashurisë
gëzimin pa kufij sa herë shikon lart kah qielli
dhe si zogu në fluturim
spërkat mirësi.
Hija jote shtegton rrengjeve të pikëlluara
mbi kodrat e mjegullta,
si varkë e zbraztë në qetësinë e valëve
dhe askund s’e sheh pikën e kthimit,
as rrëfimin e grisur të shpirtit tënd.
Unë s’dua të vizatoj skica dëshpërimi.
Ato i bëjnë gati
ata që rrinë me gurë në duar dhe gjuajnë
si turma që përherë di të kryqëzojë.
Sot e përgjithmonë,
me gishtat e lënduar - dua të vizatoj skica dashurie.
Prandaj e shtrydh lapsin dhe u marr ngjyrë luleve.
Matanë dallgëve të shoh ty me lutjen tënde,
melankolinë që prek shpirtin
si rrezja e diellit trupin tënd të ambël.
Po - me kalimin e kohës kuptojmë gjithnjë e më shumë
për mistere që na rrethojnë
njohjen e paktë të vetvetes
njeriun që sillet përreth nesh
dhe një urë që kurrë s’e kalojmë.
(Nga libri “Gjithmonë diçka mungon”, 2017)











