Letërsi

Baladë - Nga Agron Tufa

Lëpihet qelqesh hën’ e zbehtë.

Ç’po mih një kthetër në sepet.

Këtu, pa kthyer tash sa vjet

në shpi të nënës mbetur shkretë,

kush paska hyrë? Kush do të jetë,

që mih kjo kthetër në sepet?

 

E hapa portën në mesnatë,

pa pipëtirë asnjë kanatë

me drojen se mos zgjoj ndokënd

dhe mbajtja vesh heshtjen e rëndë,

teksa mësoj me terrin sytë

veç me pak dritë në superdritë.

 

Marrtaz shqova paksa muret,

mandej u shfaqen gjith’ konturet

që syri im i veshi vetë

me plus-minus identitet

gjer u lëshova në divan.

Erëmon përreth diç si temjan.

 

I mbylla sytë të shoh më mirë

ç’më fshihnin vitet bërë fir,

prejsè e ambla ime amë

doli pa kthim prej këtij pragu -

kur një gërrvimë e një rropamë

ia dhanë së larti nga çardaku.

 

Brofa vrik e mbajta vesh.

“Ç’të jetë?” – hamenda. Bën vaki

kësaj mesnate që të ndesh

të tjerë bujtës në shtëpi?

Marr shkallët ngjis e befas step:

rrëmon një kthetër në sepet.

 

Përnën çardak, në kat të dytë,

në odën e së amblës amë

qenë qitë sepeti pirg stolitë

dhe kthetra mihte me rropamë

sikur andej shkepte mëlçitë -

krejt rropullitë e s’ndjerës nanë.

 

Shituar mbeta mu në prag

me morsë ndërdyshje i mbërthyer -

mes frik’ e mllefi zemërak

pashë gjithçka me sy të shqyer,

si fekste pirg’ i verdhë në cep

dhe mihte kthetra në sepet...

 

Me vite larg kësaj shtëpie

qëkur iu kthye qiellit nëna,

si t’i besoj kësaj shajnie?

Të mos zë besë çka ndriçon hëna?

Dhe ndjej se as nuk iki dot

mbuluar prorë me turp e ndoht.

 

Do t’ketë qenë vrull prej pantere

mbi prenë e pyjeve mesvere

kërcimi im me thonjtë në fyt.

Dhe çjerrje, klithma gjer tek yjtë…

gjer kur një krismë përposh buçiti -

gjëmim i mbytur dinamiti.

 

Pashë jetën të më hiqej osh…

I errët gjaku që përposh

rrodhi dhe veshi stolitë.

Tash nga tavani s’ua shqis sytë

tek ikin hapat nëpër shkallë…

Mbeç as i vdekur, as i gjallë.

 

16-17 Prill 2020