Letërsi

Kryeministri pret vizita - Nga Zija Çela

Rudi Strazimiri u habit kur pa se avioni u ngrit nga pista, teksa në bord ndodheshin vetëm tre veta, ai, e shoqja dhe e bija katër vjeçe. Atij iu kujtua se, kur kishte prerë biletat online, nga agjencia u pyet përse me një drejtim. Rudi u përgjigj se i kishin dhënë fund emigrimit dhe se po ktheheshin përfundimisht në vendin e tyre. Madje, gjithë sa kishin pasur bagazhe të mëdha i kishin nisur me kamionçinë, ndërsa vetë do të udhëtonin me valixhe dorë.

Sapo deshi ta pyeste stjuardesën për çudinë e bordit, e shoqja iu kthye: “Ç’është kjo kureshtje e tepërt?! E ç’të duhet ty përse nuk ka njerëz në bord?! Po sikur avioni të transportojë ndonjë ngarkesë sekrete, fjala vjen, mbetje bërthamore?!”

Ndoshta kishte të drejtë, prandaj Rudi nuk foli.

Por habia e ndoqi edhe kur zbritën. Me t’i parë ashtu familjarisht, ende pa ua vulosur pasaportat, nëpunësi doli nga kabina për t’u dhënë mirëseardhjen. Në çast i zgjati Rudit telefonin e tij, rrëmbeu vogëlushen hopa dhe, duke buzëqeshur gjithë ngazëllim, i kërkoi ta filmonte e ta fotografonte. Pastaj, po vetë, i shoqëroi deri në tremën e jashtme, ku u gjeti edhe makinë fringo për në kryeqytet.

Ec e ec, Rudi Strazimirit nuk po i shqitej habia. Si është e mundur që autostrada të jetë kaq e shkretë? bluante me vete. Nga Zogu i Zi dhe deri në qendër u mundua t’i numëronte kalimtarët, por s’po u besonte syve. Numërimi i nxori diçka më tepër se gishtat e një dore, diçka më pak se gishtat e të dyjave. Mos më pengon ndriçimi i dobët, mos kam luajtur nga fiqiri?! - hyri në mëdyshje.

Ngaqë e ndjeu padurimin e të shoqit, gruaja e rëndoi çehren, duke marrë një pamje më të vrënjtur. Megjithatë, kësaj here Rudi nuk u mposht. Por, për të qenë sa më i kujdesshëm, i shmangu pyetjet që i vorbullonin në krye dhe zgjodhi një lavdërim.

- Fort i sjellshëm ai nëpunësi i aeroportit, - i tha shoferit.

- Zoti Seriani?, - murmuriti ai. - Po, po, fort i edukuar dhe i njerëzishëm gjithashtu. Jo më kot mban postin e Ministrit të Mirëqenies Sociale!

Rudi shkëmbeu një vështrim me të shoqen, për të verifikuar veshët e tij. Por tani shprehte habi edhe fytyra e gruas. Jepi, fol, ç’pret ende, sikur po i thoshte. Dhe ai pyeti menjëherë, nuk po shoh qytetarë, ku janë njerëzit. Të më falni, por më duket sikur njerëzit kanë avulluar.

Shoferi buzëqeshi. Kanë ikur, tha pastaj. Vit pas viti i gëlltiti emigracioni. Ata pak që kanë mbetur, i mbajmë në punët nevralgjike. Elektriku, ujësjellësi, një pavion spitalor, ca shitore ushqimesh, një shkollë e përgjithshme dhe një togë e shërbimit policor. S’ka më Qendra rinie, as universitete. Kur u vinte kjo moshë, të rinjtë e braktisnin folenë e vendlindjes, thua se nuk ishin njerëz, por shpendë që u dilnin krahët. Veçse mos harro, ama, edhe qeverinë e kemi zvogëluar në maksimum! Tani kemi vetëm njëzet e tre ministra dhe jo më tepër se shtatëdhjetë zëvendës. Kurse Parlamenti, është rudhur edhe Parlamenti, ai është katandisur me njëqind e tridhjetë deputetë. E marr me mend, me siguri jeni çuditur në bord, ç’është ky udhëtim me avionin bosh? Si ia mbaka xhepi kompanisë ajrore? Por ka një përgjigje. Sa herë që një emigranti i mbushet mendja për t’u kthyer përfundimisht, e financon shteti ynë kompaninë. Po të mos kryhet kthimi shpejt, emigranti mund të ndërrojë mendje, çka është dështim për programin tonë Shpëtimi i Brezit të Shkretëtirës.

Megjithëse ia kishin dhënë adresën e shtëpisë, Mercedesi elektrik mori rrugë tjetër. “Pse djallin kështu?!”, nëmi me vete Rudi.

- Mbaje, mbaje makinën, shofer! - thirri i nervozuar, duke nxjerrë portofolin për pagesën.

Tjetri buzëqeshi përsëri dhe, duke ruajtur gjakftohtësinë, e bëri me dije:

- Unë nuk jam shofer taksie, jam Ministri i Transportit. Tani po shkojmë në Kryeministri. Sapo kthehet ndonjë familje, zoti Kryeministër dëshiron ta përshendesë. Dhe me të drejtë, or mik, sepse ardhja juaj na motivon. Ndryshe përse e mbajmë qeverinë ahere, kë qeveris ajo në këtë vend?!

Në Shëtitoren Dëshmorët e Kombit ndihej po ajo zbrazëti mishngrënëse, po ajo heshtje e frikshme, si nemitja mes dunave ranore. Në të vërtetë, Rudi diç kishte lexuar për Brezin e Shkretëtirës. Me sa i kujtohej, kishin qenë të gjithë ata që, me diellin përvëlues mbi kokë, e ndoqën Moisiun në rrugën e gjatë dunë pas dune, por që ndërruan jetë pa arritur në Tokën e Premtuar. Tani Rudin e mundonte një brengë, sidomos një brengë. Cilit brez do t’i përkiste bija e tij?

Ishte aq i tronditur, sa po i dukej sikur e kishte humbur sensin e kohës. Kur deshi të dinte datën, ora inteligjente që mbante në dorë ia dekodoi mendimin. Në fushën elektronike u ravijëzua data, muaji dhe shifra e vitit me katër numra. Por drita e projektorit, e cila i binte nga sipër me një iluminishencë të pazakontë, ia pengonte leximin e saktë.

©Zija Çela