Letërsi

Ti ke qenë e bukur - Nga Albana Lifschin

Vesa kishte një copë herë që kishte mbetur duke vështruar veten në pasqyrë. Ate ditë ajo kishte mbushur 40 vjeç dhe para se të kthehej në shtëpi, siç bënte zakonisht, kishte ndaluar tek Lord & Taylor e kishte blerë për vete një fustan të zi mondan. Fustani vinte i mbërthyer përpara mbi gjoks me një kapse argjendi që tërhiqte vëmendjen. Flokët kaçurela i binin mbi ballë e rrëzë veshëve të vegjël. Fytyra i kishte mbetur e bardhë dhe e lëmuar si në vitet e rinisë së herëshme. Dikur, në Tiranë, një mikeshë e kish pyetur: Çfarë bën ti që s'ke rrudhëza fare? Vesa s'kishte ditur si t'i përgjigjej. Ajo s'kishte vënë kurrë krem në lëkurën e saj.

-Mos është raca? thonë që unë i ngjaj gjyshes me lëkurë.

Shoqja kishte ikur duke mërmëritur një "ndoshta nëpër dhëmbë.

-Ku do të shkosh me atë fustan?

Tek dera e dhomës qëndronte nëna e saj, një grua rreth të gjashtëdhjetave me një pamje fisnike.

-Asgjëkundi. Sapo e bleva dhe po e bëj provë. Si dukem?

-Mirë, mirë, dukesh.

-Mirë? Sa mirë?

-Ti ke qenë e bukur kur ke qenë e re.

Vesën e përfshiu një nervozizëm i papritur.

-E bukur?! Kur kam qënë e re?!

-Po. Pse, s'ta kanë thënë shoqet?

Vesa u përpoq të kujtonte një gjë të tillë nga e kaluara e rinisë së saj. Jo, s'mbante mend t'i kishin thënë që kishte qënë e bukur. Kishte dëgjuar komshinjtë e tyre, burra e gra në moshë t'i thoshin të sëmës: Sa të mirë e ke këtë vajzë! Por shoqet, jo.

Iu kujtua një episod nga fëmijëria, kur nëna sapo qe kthyer nga shkolla ku kishte vajtur për të marrë rezultatet e semestrit për Vesën dhe në vend që ta përgëzonte të bijën, i hodhi sytë tek gjunjët e i tha:

-Zgjate ca palën, se të kanë dalë kërcinjtë!

Vesa u mësua t’i mbante fustanet poshte gjurit. Iu fiksua se kishte “kërcinj të shëmtuar”. Madje, nuk vishte kurrë fustane dekolte, apo pa mëngë. Mëngët e shkurtra i binin deri afër brrylit dhe kishin kapakë mbi to. Kishte parë në filmat e viteve 60-të këto stile fustanësh dhe kishte vënë re që nënës i pëlqenin.

Vesa u martua pa mbushur të njëzetepesat. Qe një martesë e shpejtë dhe e palumtur. Shumë shpejt i shoqi filloi ta tradhëtonte me gra të tjera ndërkohë që Vesa ende skuqej si të kishte ngecur tek 15 vjetët!

Një herë një komshie e thirri për një kafe në shtëpinë e saj. Vesa ktheu sytë rreth e rrotull. Nuk mungonte asgjë, me përjashtim të pastërtisë. Merimangat hidhnin valle në mure e pluhuri në mobiljet e shtrenjta që bërë një gisht. E zonja e shtëpisë, Amelia, i tha te ulej kolltuk ndërkohë që vuri ca muzikë në manjetofon.

-Duhet të vete të marr vajzën në kopësht, tha Vesa pa u ulur.

-Hajt, se herët është! S'të thirra kot këtu. Dëgjo: E di ti, që të gjithëve u ke rënë në sy që rropatesh e ngarkuar, me trastat e pazarit dhe fëmijën në kurriz? A ke jetë ti moj vajzë?

- Po ku kam kohë unë, vuri buzën në gaz Vesa. Era është e vogël...pastaj shtëpia ka gjithë ato punë.

-Bëji m…punëve! Nëse do të shkosh mirë më burrin, mos e ler kurrë të dale vetëm. Dëgjove?

Vesa qe kthyer në shtëpinë e saj e rënë në mendime…

S’kaloi shumë kohë dhe Vesa u divorcua me të shoqin. E kishte gjetur brenda në shtëpi me... komshijen. Pikërisht me atë! Dhe nuk kish duruar më.

Ai i qe lutur e përgjëruar që të mos e çonte punën deri në divorc, por Vesa s'e fali. Pas divorcit ndërroi shtëpi dhe u përpoq të hidhte pas krahëve të kaluarën. Filloi të merrej me kualifikime pasuniversitare për të harruar rmendjen. Por edhe veten e saj nuk e la pasdore.

Filloi te vishej bukur duke vënë një mejkap fare të lehtë. Kolegëve iu ra në sy rizbulimi i bukurisë së saj. Kur i ra llotaria amerikane, dikush në zyrën e saj lëshoi një fërshëllimë të gjatë.

Një ditë para se të linte Tiranën kishte thirrur në shtëpi disa nga kolegët e punës. Dikush pasi kishte ngritur një gotë vere papritur kishte thënë:

-Vesa, ti paske krahë të bukur. Pse s'ke veshur edhe në punë fustane pa mëngë? Atje në Amerikë do bëhesh Miss Albania!

Vesa po i afrohej të dyzetave. Kishte kohë që provonte ndjesinë që s'kishte qenë kurrë më e hijshme e më joshëse në jetën e saj.

***

E ëma e kishte përfshirë me një vështrim sikur po e shihte për herë të parë. Vesa qe përflakur në fytyrë.

-Ti s'ma ke thënë kurrë këtë kur isha vajzë.

-Pse ta thoshja? Lëvdon nëna fëmijën e vet?

-E di ç'mbaj mend unë nga rinia ime? Frikën tuaj se mos mbetesha pa martuar! Vetëm atë mbaj mend. A thua se isha një monstër!

-E pse të të thoja që je e bukur? Apo të hynte vetja ne qejf. As mua nana s’ma ka rritur mendjen me levdata.

Të mos kishte qënë e ëma ajo që i kishte thënë ato fjalë, Vesa nuk dinte se si do të kishte reaguar. Por ishte e ëma dhe në të kundërtën, asaj i erdhi keq. I erdhi shumë keq. Edhe ajo ashtu qe rritur. U përpoq të kujtonte nënën e saj vajzë të re, femërore por qe e pamundur. Nena i qe dukur gjithe e madhe në moshe, e vjetër. E sillte në kujtesë gjithnjë të veshur me ngjyra gri, kafe e blu me kostume. Në verë nëna mbante një fustan kremi të zi ngacmuar pak me një lule vathi të mbyllur deri tek gryka edhe pse kishte një qafë të bardhë e të bukur. Fustani qe me mëngë të gjata, sepse kështu i pëlqente babait. Kur qe e vogël ëndërronte të bëhej kopje e së ëmës dhe kopje e saj u bë. Tani i vinte të këlthiste, për veten dhe për nënën.

Ajo mbërtheu me të dy duart fustanin e zi dhe e tërhoqi nga koka lart me rrëmbim.

-Do fle nja gjysëm ore, tha duke përplasur derën e dhomës së saj dhe ra në shtrat. Por s'fjeti. Ndjeu një ngulç t'i zinte fytin. Iu kujtua papritur një episod nga vitet e para të mërgimit kur punonte si bebisitër në një familje amerikane. Vesa kujdesej për një fëmijë dy vjeç. Bosja e saj qe një grua e re rreth të tridhjetave, me një fytyrë asimetrike, me ca këmbë të shtrembra si kërrabë e flokë të lëpira që i mblidhte bisht rrëzë qafës. Qe një bisht flokësh fare i hollë. Megjithatë ajo ishte martuar me një djalë shumë simpatik. I shikonte të dy mëngjezeve kur dilnin për në punë, ai si artist Hollivudi, ajo si…

Zakonisht Besi, kështu quhej bosja, para se të hynte në makinën e saj kthente edhe një herë kokën nga dritarja duke përshëndetur me dorë Vesën dhe të bijën.

“O Zot”, thoshte me vete Vesa, si nuk kishte asgjë të bukur ajo grua?

Por ja një mëngjez Besi zbriti nga dhoma e saj e tjetërsuar. Flokët i kishte dredhur e lëshuar krela krela mbi supe. Kishte veshur një kostum blu lino tepër femëror. Kostumi i mbulonte kërcinjtë e shtrembër e i zbriste poshtë pulpave duke nxjerrë në pah figurën e një gruaje shtatëgjatë dhe elegante. Vesës i mbeten sytë sikur po e shikonte për herë të pare, gjë që Besit s’i kishte shpëtuar pa vënë re.

-Çfarë ka? kishte pyetur ajo duke vënë buzën në gaz.

-Ju dukeni shumë e bukur sot.

-Vetëm sot?

Vesa qe skuqur.

-Unë jam gjithmonë e bukur, jo vetëm sot. Sot kam ndryshuar pak sepse po shkoj diku, por gjithmonë kam qënë e bukur.

Vesa heshti e pataksur nga ajo deklaratë e thënë aq troç ndërsa bosja e saj vazhdoi:

-Vesa, duhet t’i thuash vetes që je e bukur, që edhe të tjerët të besojnë që ti je e bukur. Nëse ti do ta nënvleftësosh pamjen tënde, apo ca më keq të thuash që nuk je e bukur, të tjerët do fillojnë të të shohin po me atë sy. Mamaja që kur kam qënë e vogël më ka thënë që unë jam e bukur dhe unë me këtë vetëdije jam rritur. E shikon burrin tim? Ai është djalë i pashëm, por ra në dashuri me mua. Unë jam gruaja më e bukur për të.

Pas këtij leksioni të shkurtër, ajo rrutullua mbi taka dhe duke bërë bye-bye me “doçkën” e saj u largua.

Vesa kishte vështruar veten e saj. E veshur me një fustan të gjerë, me rudha se demek “jam në shtëpi” që e tregonte edhe një herë më të shëndoshë se ç’ishte, asaj iu duk vetja si nënole. Ishte mbajtur ashtu sepse e kishin këshilluar që të mos dukej më e mirë se bosja e saj. I erdhi keq për veten.

Në mbrëmje kur e bija u kthye nga shkolla Vesa e shtrëngoi fort në kraharor e perkedheli duke i thene: Shpirti i mamit! E bukura e mamit!

(Marrë nga libri "Ura mbi oqean", 2007)