Letërsi

Monarku - Tregim nga Ilir Levonja

Kur ora e madhe e murit shënoi njëmbëdhjetë, kryeshërbëtori vështroi nga e shoqja. Priti udhëzimin e saj me frymën pezull. U bënë orë ashtu. Shkëlqesia e Tij bënte gjumë të trazuar. Kohët e fundit kjo punë u bë e rëndomtë. Fajin ia vinin ëndrrave. Ato ishin me gjithfarësoj, sidomos me armiqtë që donin ta vrisnin. Shkëlqesia e Tij shpërfytyrohej, bëhej tjetër njeri. Gruaja tundej në kanape, por ndryshe nga i shoqi nuk kishte frikë.

-Shko edhe shiko, mund të jetë ngritur, - i tha ajo.

-Do më shajë, - iu ankua burri.

Gruaja e pa me keqardhje, por mënyra se si e vështronte ishte këmbëngulëse, kështu që burrit iu desh të bëhej erë koridoreve. Teksa ngjiste shkallët, shante nëpër dhëmbë ashtu siç di të shajë një cigan hungarez, harbutçe. Vetëm kur kapi dorezën e derës zgurdulloi sytë përqark për t'u siguruar se nuk e kishte dëgjuar kush. Në koridor pluskonte heshtja.

Shkëlqesia e tij qe zgjuar herët, por i pataksur nga ëndrra e radhës, vështronte syshqyer tavanin ku kishin vizatuar një lëndinë të gjelbër plot me lule të bardha.

-Mirëmëngjes Shkëlqesi, - foli në fije të zërit kryeshërbëtori dhe nxitoi të hapte perdet e rënda prej kadifeje në ngjyrë vishnje. Drita hapi terrin e dhomës. Shkëlqesia e Tij as që denjoi t'i përgjigjej, veçse e kundroi për pak, pastaj i friguar si fëmija e pyeti:

-A është vallë e vërtetë një ëndërr?

-Ku ta dish shkëlqesi.

Shkëlqesia e Tij u kthye në brinjë dhe u mblodh gati shuk në shtresa. Dukej i tronditur, sikur e trembi drita përjashta. Dega e një eukalipti lozoritej tek xhami i dritares. Ai e shikonte me frikë.

-Një çunak i vogël por me fytyrë burri deshi të më vriste, - tha ai në të qarë.

-Ashtu?

-Të njëjtën ëndërr e pashë edhe dje në gjumin e drekës.

-Ah, Shkëlqesia Juaj, po ëndrrat e drekës nuk quhen.

-Je i sigurt?

-Po.

-Ashtu qoftë!

-Dikur ime më, kur jetonim me çadra rrjedhës së Danubit, e thoshte shpesh këtë. Harrojini ëndrrat e drekës.

-Po si ka mundësi që e pashë edhe në darkë?

-Ndofta nga që e mbani mendjen aty.

-Kam edhe unë kujtime të bukura nga fëmijëria ime.

-M'i ke rrëfyer Shkëlqesi, - i tha kryeshërbëtori me kokën ulur, qëndronte në mes të dhomës me duart një mbi një varur poshtë.

-Kam vendosur të shkruaj një libër me to, një libër me kujtime për fëmijërinë, - tha monarku me sytë kureshtarë se si do reagonte kryeshërbëtori i tij.

-Punë e bukur Shkëlqesi.

-Unë do pëshpëris dhe ti do shkruash.

-Si urdhëron Shkëlqesi, - tha ai me buzën në gaz më se i kënaqur me punën që po i ngarkohej. E kishte bërë edhe herë të tjera këtë. Sikleti ishte dora e parë më pas merreshin ata të botimeve me dorëshkrimin, për dy ditë libri mbushte libraritë. Kryeshërbëtori u mat të dilte kur monarku mori nga kanistra mbi komodinë një top akriliku dhe e goditi në kokë. Nuk i gabonte dora. Tjetri në fillim nuk tha gjysmë fjale, por e quajti të udhës të sqaronte se nuk kishte asnjë problem.

-Nuk të kërkova falje. Kisha qejf pa edhe të gjuajta.

-Mirë bëre Shkëlqesi, - tha kryeshërbëtori.

Shkëlqesia e Tij kërceu në krevat dhe qeshi me të madhe. U zgjat të merrte edhe një top tjetër, por në grimë të çastit ndërroi mendje. E dinte fare mirë që ai do e duronte me zellin e admirueshëm të një nxënësi shembullor. Kështu që duhej të provonte diçka tjetër, diçka më argëtuese, por edhe torturuese në të njëjtën kohë.

-A luajmë orthi minorthi? - iu drejtua ai kryeshërbëtorit gati t'i hidhej në kurriz nga krevati.

Kryeshërbëtori u ngërdhesh duke u përkulur, më mirë ashtu se sa të pësonte ndonjë atak kardiak nga të bërtiturat.

Shkëlqesia e Tij i kërceu përsipër kurse kryeshërbëtori i kujtoi në fije të zërit se delegacionet nga Brazili dhe Laosi po prisnin të takoheshin me të. Gjeneralët e Shtabit të Përgjithshëm po ashtu. Në detin Mesdhe po lundronin dy luftanije të amerikanëve.

-Mjaft më, - klithi.

-Vetëm sa desha t'ua kujtoja Shkëlqesi, - i tha kryeshërbëtori kur ai u hodh në tokë. Shtriqi trupin dhe u tërhoq prapa deri tek dera, ia mbathi në majë të gishtave drejt e tek e shoqja.

-U zgjua?

-Ishte zgjuar me kohë.

-Prapë ndonjë ëndërr?

-Jo vetëm aq.

Gruaja nuk e ngau më veçse në heshtje ia qau hallin. Nuk po e kuptonte se çfarë po ndodhte me atë njeri. Nuk po dinin se çfarë emri t'i vinin. Por nuk zgjateshin më tej, pasi ia kishin minimizuar vetes të drejtën për komente apo hamendësime. Ndryshe mund të mos gdhiheshin gjallë ndonjë mëngjesi.

-Zonja e madhe më tha se do vinte herët?

-Ka ardhur.

Prania e saj u krijonte një lloj ndjesie lehtësimi, megjithëse ajo as që e çante kokën. Kishte vite që nuk flinte me të shoqin. Me mjekët e tij zihej orë e pa orë. I quante të paaftë. U kujtonte rrogat e majme që merrnin.

Të nesërmen në mëngjes Shkëlqesia e Tij zbriti në sallonin e pritjes me rrobat e gjumit. I tha personelit se do ngrinte me ta një trupë teatrore dhe ai ishte regjisori. Do të luanin teatër për popullin, të gjitha veprat e Shekspirit. Të gjithë gatitu.

U kthye në dhomë me një përpjekje titanike të shërbyesve. Vetëm nga dreka u njoftuan këshilltarët se Shkëlqesia do zbriste poshtë menjëherë. Kështu që të bëheshin gati, të njoftoheshin edhe të ftuarit.

-Si u gdhi Shkëlqesia e Tij sot? - pyetën njëherazi ata.

-Mirë fare, - ua ktheu gruaja e kryeshërbëtorit plot buzëqeshje dhe më pas u ktheu kurrizin. Zakonisht nuk ua zgjaste. E kishte kuptur rrengun, ata pyesnin për të mësuar.

Erdhi edhe Zonja e madhe bashkë me nipërit e mbesat. Ajo e admironte shërbyesen, dinte ta vërtiste. Nganjëherë edhe e urrente, pikërisht për durimin e kulluar karshi të shoqit kur ai i rrëfente ëndrrat. Qëllonte që bëhej edhe xheloze, pasi mbylleshin bashkë për orë të tëra. Megjithatë e dinte se i shoqi veç duart dhe nepsin kishte të gjalla, të tjerat kishin ikur me vapën e gushtit. Megjithatë shërbyesja vishej bukur, me shije. Zakonisht porosiste kostume njëngjyrëshe të stinës. Flokët i mblidhte nga pas duke i dhënë formën e një gufe trëndafili. Ecte me dinjitet takash plot tinguj, por prapë një cigane nga Danubi ishte. Një revolucionare që e solli atyre anëve internacionalizmi.

Në pallat plasi rrëmuja. Dy nga fëmijët donin të shikonin në video serialin vizatimor Tomi dhe Xherri. Të tjerët kisin qejf të luanin symbyllazi koridoreve. Personelin e zuri paniku. Ndokush prej tyre u përpoq t'i qetësonte. Gjyshi kishte shumë punë të rëndësishme përpara. Kur për dreq Shkëlqesia e Tij u dha në krye të shkallëve. Kish kapur nga veshi djalin e shërbyesve, një çamarrok hokatar nga ata që pyet për çdo gjë dhe prek gjithçka. Fëmijët u pataksën. Nuk e kishin parë ndonjëherë gjyshin ashtu, gati i shpërfytyruar dhe leshra pakrehur.

-Kompllotist, ja se çfarë është yt bir Shandor, - iu drejtua ai kryeshërbëtorit. Dhe pa e zgjatur i dha shtymën djalit teposhtë shkallëve. Ky u rrokullis me klithma deri tek këmbët e gjindjes. Kryeshërbëtori, si të mos kishte mjaftuar shtyma e Shkëlqesisë, zuri ta godasë edhe ai. Gjindjes i la përshtypjen sikur vdiste të rrihte. Vdiste të bënte gjithçka, mjaft që të kënaqej Shkëlqesia e tij.

-Merrja shpirtin qenit, - bërtiti Shkëlqesia e Tij nga kreu i shkallëve. -Duhet të tregojë se për kë punon ky spiun i fëlliqur.

Fëmijët përreth nisën të qarat. Zonja e madhe nxitoi e ndezi radion. Nuk duhej të dëgjonin ata që prisnin sipas axhendës në dhomën matanë. Mblodhi barkun e saj dhe i vuri përpara, por nuk zgjati shumë, nga kuzhina erdhi e ëma gati e tërbuar. Ia hoqi të shoqit nga duart duke i bërtitur. Shkëlqesia e Tij u tmerrua nga pushteti i saj dhe ngjiti shkallët me vrap.

-Ti e paske mësuar, ë? - i foli nga sipër.

Gruaja nuk tha gjysëm fjale, veç e mëshiroi me sy. Më pas u mbyt në ngashërime duke shtrënguar djalin në gji. Ai kishte lajthitur plotësisht. Gjithçka aty qe shembur.

-Kot e keni, nuk më vrisni dot, - vazhdoi ai nga lart.

Siç u mor vesh më vonë, djali i shërbyesve kishte marrë nga muri, me atë kureshtjen e fëmijës, një shpatë të vjetër me dorezë sermi. Kur e pa ashtu me shpatë në dorë, Shkëlqesisë së Tij iu bë sikur kishte përpara fëmijën e ëndrrës, atë me fytyrë burri që donte ta vriste. Djali buzëqeshte, pa e kuptuar se në çfarë telashi kishte rënë, kurse Shkëlqesia e Tij po mbytej nga imagjinata. I bëhej sikur kishte përpara një turk xhuxh, një sllav nga ata të Titos. Ky fëmijë me fytyrë burri kërkonte t'i priste kokën.

Ndërkohë Zonja e madhe u tha këshilltarëve të anullonin gjithë axhendën. Shkëlqesia e Tij kishte nevojë të pushonte. Në pallat ra një qetësi e frikshme. Por vetëm asaj pasditeje. Të nesërmen mbahej një miting i madh. Shkëlqesia e Tij i gëzohej gjindjes. Sheshi i një stacioni hekurudhor gumëzhinte. Sakaq një ekip i Sigurimit të Shtetit zhvendosi çiftin e ciganëve në një apartament modest. Do jetojnë aty nën mbikqyrjen e një civili në pritje të vendimit që do marrë Shkëlqesia e Tij. Si do që të jetë ai vendim, ne nuk duhet të harrojmë një gjë, lavdia i takon nënës, simbolit të jetës.

©Ilir Levonja