Letërsi

Bosi im i pare - Nga Albana Lifschin

Albana Lifschin

Kjo që do t’u tregoj ka të bëjë me bosin tim të parë në Amerikë.

Ishte djalë i mirë, por s'ishte fare për biznes. Në restorantin tonë të vogël vinin klientë që hanin veresie. Veresie në mes të Amerikës! Mungonte vetëm ai defteri ku të shënonim se cili hëngri qyl dje, e cili sot… e të linim vend bosh për ata që do hanin nesër e pasnesër e për gjithë kohën që restoranti ynë do të mbahej më këmbë.

Më vinte keq për bosin kur e shihja që në fund të ditës tek mblidhte dollarët nga kasa, i hiqte të gjitha për pagimin e qerasë mujore të restorantit dhe pagesat tona e nuk i mbetej gjë për vete. Na vinte keq edhe për një arsye tjetër, se kështu si kishte nisur kjo punë ndoshta do vinte një ditë që ajo kasë nuk do të kishte më as për rrogat tona.

 Nuk e prisja që kjo situatë të afrohej aq shpejt. Një të premte, bosi më kërkoi ndjesë se nuk kishte të holla për të më paguar për atë javë. Por do të më paguante patjetër nga java tjetër.

-Është OK with you? Më pyeti ai gjysëm shqip-gjysëm anglisht duke më parë me ca sy të butë, që më bëri të më vijë më keq për bosin se sa për veten time.

Po afrohej fundi i javës tjetër. Bosi s'ishte i qetë, hynte e dilte në restorant pa folur. "Obobobo! Thashë me vete, kam frikë se nuk do të ketë as këtë radhë për të më paguar rrogën. Po qeraja ime mujore? Ku do t'i gjeja paratë për të?"

Parandjenja ime u vërtetua në mbarim të ditës. Bosi më thirri e më tha të ulesha tek tavolina ku ai pinte zakonisht kafen e pasdites.

Më pyeti si i kisha hallet, e unë thashë "mirë". Ai kuptohet s'e bleu atë përgjigje.

-Kush është pronari i apartamentit ku banon ti? Shqiptar është?

-Po, thashë, - shqiptar i Malit të Zi, por ka shumë kohë këtu në Amerikë.

-Ajo s'ka rëndësi, tha ai duke bërë një lëvizje me dorë. Kur e ke për të paguar qeranë e muajit, në fund të këtij apo në fillim të muajit tjetër?

E vështrova.

-Mos ki merak për qeranë. Do të flas unë me pronarin. Do t'ia jap unë të hollat e qerasë tënde. Sa për të ngrënë e për të pirë merr nga kuzhina e restorantit sa të duash.

Hera e parë që e dëgjoja një zgjidhje të tillë. Bisedova me një mikeshë. Ajo më qetësoi.

"Ke bos të mirë, tha, - por të varfër".

Muajt kaluan. Kisha hedhur dokumentat në emigracion për rregullimin e statusit. Nje stacion televiziv shqiptaro-amerikan kishte marrë përsipër punësimin tim. Më patën sugjeruar një avokat me origjinë polake, por kishin kaluar javë të tëra e s'kisha dëgjuar gjë prej tij. E merrja në telefon, i dëgjoja zërin e sjellshëm që pothuajse s'thoshte asgjë, por mbaronte gjithnjë me një: OK? Dhe unë automatikisht përgjigjesha: OK! Se ç'farë ishte OK, s'po merrja vesh. Në fakt asgjë s'ishte OK. I kisha paguar 500 dollarë që në konsultimin e parë me të e më tej nuk dija se ç'qe bërë. Një ditë i qava hallin bosit.

-Ku është ky avokat? Në Manhattan? Më pyeti ai.

 -Po, është në Broadway, u përgjigja dhe i tregova kartvizitën e avokatit.

-Mirë, të hënën do të shkojmë bashkë tek avokati yt, tha ai, duke rrufitur pikën e fundit të kafes.

E kuptova që bosi donte të shlyente moralisht borxhin material që më detyrohej. Dhe për këtë më erdhi mirë. Mu kujtuan fjalët e mikeshës që më kishin thënë: “Ke bos të mirë, por të varfër".

Dhe ne shkuam të takoheshim me avokatin e emigracionit. Bosi atë ditë mu duk bos e shkuar bosit. Polaku thuajse u tremb nga ai.

-Si është problemi që nuk po ecën ky procesi i dokumentave të kushërirës time? E pyeti ai avokatin duke ngritur "nervoz" njerën vetull lart.

Unë lashë mendjen kur dëgjova"kushërirës sime"?!!

-Nuk ka asnjë problem zotëri. Zonja ka bërë pagesën e parë e tani ne jemi në fazën e dytë të punës. Më duhet t'i dërgoj një shkresë emigracionit që të…

-Sa dollarë bën faza e dytë? E ndërpreu bosi im.

-500 të tjera.

-OK, po ta firmos çekun që tani. Të hënën dua të marr konfirmimin që ia ke nisur atë shkresë emigracionit.

Bosi nxorri nga xhepi i brendshëm i xhaketës bllokun e çeqeve dhe e plotësoi. Pastaj e lëshoi çekun e firmosur mbi tavolinën e avokatit. U ngrit në këmbë duke më bërë shenjë edhe mua të ngrihesha nga karrikja.

-Po iki tani, se s'kam kohë pë të humbur. Kam edhe unë biznesin tim!

Avokati u ngrit në këmbë. Mu bë sikur do t'i zgjaste dorën bosit, por ky duke hedhur vështrimin tek sahati i dorës tha: Dhe kujdes zotëri, mos luani me shqiptarët!

Kur dolëm në rrugë, ai me një buzëqeshje që do t'ja kishte zili çdo komik, tha:

-Tani më duhet të mendoj se ku do t'i gjej 500 dollarë që t'i fus në bankë që sot, para se ky idiot të shkojë për të thyer çekun. Për besë s'më kanë mbetur as 100 dollarë në bankë!

(Nga libri "Ura mbi Oqean", 2008)

©Albana Lifschin