Kryqi - Nga Bardhyl Londo
Unë linda në një datë me Krishtin.
Shtrati i varfër nuk ndryshonte shumë
nga grazhdi i Betlehemit.
Nuk e mbaj mend a ishte ngricë apo frynte juga,
nuk më kujtohet a ishte mëngjes i vrenjtur
apo i kthjellët kristal.
Vetëm di se nuk ma vunë emrin Krist,
por më pagëzuan me një emër pagan.
Gjatë jetës sime u enda shumë,
jo shkretëtirave,
por shkrepave ballkanikë.
Nuk e di cili ishte Juda nga njerëzit që takova,
cili ishte Pjetri
që më mohoi tri herë,
nuk e kuptoj
cila ishte Maria Magdalena nga gratë që njoha.
As ua kam idenë fare,
shkrepave ballkanikë nga u enda,
në më pritën krahëhapur
apo më zunë me gurë
duke u tallur me mua.
Piva verë dhe hëngra bukë,
por më tepër dhashë verë nga gjaku im
dhe bukë nga mishi i trupit tim.
E megjithatë, kurrë nuk e kuptova:
edhe pse nuk ma vunë emrin Krist,
përse më ngarkuan një kryq të rëndë mbi supe
që s’më është ndarë asnjë minutë,
nga djepi i varfër
deri te varri i trishtë.
Një kryq që më kujton çdo çast të jetës
se gurët janë gati të hidhen mbi mua,
se Juda pret me padurim të më tradhtojë
dhe Pjetrin nuk e zë gjumi
derisa të këndojë këndezi
dhe të më mohojë tri herë.
Kur linda s’ma vunë emrin Krist.
Pa më thoni:
a njihni dikë që të mos ketë kryqin mbi supe?
©Bardhyl Londo











