Letërsi

Ditë tragjike të dashurisë dhe stili i poetes Natasha Lako - Nga Vangjush Ziko

 Vangjush Ziko

Kam përpara poezinë “Zbërthim në fundviti” të poetes së mirënjohur Natasha Lako. Poezia u shfaq edhe në Facebook. Fjalën e kam, jo thjesht, për këtë poezi, por për poetikën e poetes. Le ta lexojmë së bashku më parë poezinë:

Zbërthehet ndonjëherë bota,

Zbërthehet ndonjëherë viti,

ndodh,

Po njeriu nuk e ka të lehtë shfaqjen.

E të papyetshmeve fytyra,

Që enden gjithandej,

Si të duan të fshehin maskat.

Ishte një kohë që ishte një vit,

Që edhe zhveshjen e trupit e vuri në ferr,

Ku edhe lamtumirat janë të papërqafuara,

Dhe çfarë mund të jetë bota më e përbindshme,

Se sa të jetojë me puthjet e braktisura.

Gjithnjë ndodh kjo në luftë, por jo më përtej,

Luleve që çelin në zemër si dritë semaforësh,

Ndodh, ndodh edhe kjo, po përse ta them,

E lakuriqtë është bota edhe më e bukur kur e pyes.

Me kë po bën dashuri, ti moj zemër?

Motivi, shkaku, që e ka shtyrë poeten për të shkruar këtë poezi, është pandemia aktuale. Tema e saj është jeta, lumturia njerëzore dhe, më e detajuar, dashuria, “puthjet e braktisura” në këtë “botë të përbindshme” në të cilën po jetojmë. Një motiv human dhe një temë mbarëshoqërore aktuale. Kjo është një poezi tipike për krijimtarinë dhe stilin e Natasha Lakos.

Natasha Lako është një nga poetët tanë me një profil të veçantë dhe të papërsëritshëm, që ka zënë vendin e vet të merituar në poezinë shqiptare që në fundin e shekullit të njëzetë dhe në vijim. I pari që e ka paralajmëruar këtë, ka qenë Robert Elsie me përcaktimin e tij ogurmirë se poezisë shqiptare po i vinte “një zonjë!”.

Nuk kam parasysh të bëj “biografinë letrare” të Natasha Lakos, të njohur, tashmë, brenda vendit dhe jashtë tij. Më intereson veçantia e stilit të saj poetik.

E para, për të cilën, besoj se pajtohemi bashkërisht, është natyra e veçantë e ligjërimit të saj. Nuk është aspak një ligjërim linear, horizontal, që kuptohet lehtësisht. Poezia e Natasha Lakos pulson me ritmin e rrahjeve të zemrës. Poezia e saj është një poezi impulsive, ekstazike. Ajo nuk përshkruan. Nuk tregon.

Ligjërimi i saj është një drithërimë. Nuk ka kohë për moralizim: “Gjithnjë ndodh kjo në luftë, por jo më përtej,/Luleve që çelin në zemër si dritë semaforësh,/Ndodh, ndodh edhe kjo, po përse ta them”.

Metafora e luleve shumëngjyrshe, që çelin në zemrën njerëzore me dritat trengjyrshe të semaforit, pulsimi i tij i ethshëm, që në poezi përpiqet të kontrollojë “trafikun” e mbresave, na e jep bukur pulsin e poezisë së Natasha Lakos, që i ngjan një elektrokardiograme.

Natasha Lako i jep një rëndësi të madhe “energjisë shprehëse” të fjalës. Në poezinë e saj luajnë një rol të madh foljet, si promotore të procesit krijues. Dy janë ato: “zbërthehet” dhe “fshihen”. Të dyja janë folje me energji “shkatërruese”. E para bën fjalë për ndarjen e njësisë dhe të bashkimit. E dyta nënkupton zhdukjen, përlarjen, duke mos lënë asnjë gjurmë. Dhe, të mendosh, nuk bëhet fjalë për një send apo për një ndjenjë të rëndomtë. Poezia e ka fjalën për një vit njerëzor, për një Botë mbarënjerëzore dhe për ndjenjën më të bukur dhe më humane, Dashurinë!

Poetja e shmang përshkrimin dhe komentin e rëndomtë poetik. Ajo është, jo vetëm e kujdesshme, por edhe e përkorë. Ajo ua le në dorë këtë epiteteve: “e papyetshme”, “e lakuriqtë”, “e përbindshme” të përshfaqin qëndrimin emocional të saj ndaj indiferencës, mjerimit dhe përçudnimit shoqëror.

 Ajo e ka fjalën për njerëz, që nuk përfillen, për trupa të zhveshur, që përcillen në ferr, e ka fjalën për “puthjet e braktisura”.

Tematika e poezisë na dëshmon parapëlqimin e autores, në planin estetik, për   kategorinë e tragjikes. Poetja i ka veshur poezisë mantelin e një tragjedie!

Në strukturën kompozicionale të poezisë, një rol të rëndësishëm luajnë edhe pyetjet retorike.

Poezia fillon me pandehmën dyshuese: “Zbërthehet ndonjëherë bota/Zbërthehet ndonjëherë viti”!

Dhe mbyllet me të njëjtën figurë: “E lakuriqtë është bota edhe më e bukur kur e pyes/Me kë po bën dashuri, ti moj zemër?”.

Të dyja janë pyetje kardinale për ekzistencën apo mosekzistencën, për dilemat që, ajme, po përjeton shoqëria njerëzore e kohës sonë!

Poezia e Natasha Lakos dallohet për kompaktësinë, unitetin tërësor tematik. Poezia më ngjan me një mozaik poetik mbresash dhe detajesh konkrete të shkëputura, që krijojnë një tërësi kompozicionale ideo-estetike.

Poetja, si zakonisht, edhe në këtë poezi, përdor vargun e lirë. Sintaksa e fjalive është e larmishme: herë fjali pyetse, fjali dëftore me pjesë, që shpesh e thyejnë rregullin e renditjes së gjymtyrëve të tyre, që, për efekt emocional, e ndryshojnë renditjen e rregullt të gjymtyrëve të tyre (“ njeriu nuk e ka të lehtë shfaqjen/E të papyetshmeve fytyra”), ose kur fraza merr ngjyrimin e një kronike (“Ishte një kohë që ishte një vit”).

Ligjërimi i poetes, kuptimi vertikal semantik i fjalëve të saj, është i bazuar konceptualisht dhe i mbështetur psikologjikisht në filozofinë e saj mbi procesin krijues të poezisë.

Në një intervistë të saj ajo thotë: “Një poezi tregon se çfarë mund të ndodhë brenda një sekonde. Dhe kjo e ndihmon shumë poezinë të japë interpretime të lira. Se një sekondë e vetme është pothuajse e pakomandueshme, në mos vetëm në rrahjet e zemrës”.

Të shkruash për vizionin e çastit, brenda një sekonde të pakomandueshme, psikologjikisht, do të thotë të mos kridhesh në meditime, ta fshish kufirin midis ndërgjegjes dhe nëndërgjegjes, gjendje e cila e lejon ndërgjegjen t'i kërkojë idetë krijuese në nëndërgjegjen e vet, në atë pjesë të trurit, ku gëlojnë fantazitë. Dhe t'i kërkojë këto “brenda një sekonde”!

Autorja e argumenton këtë me përparësinë që i jep çastit dhe interpretimit të lirë të lëndës poetike. Kjo i garanton, më shumë se sa një meditim i zgjatur, filtrimin e mbresave të drejtpërdrejta të realitetit të pafiltruara në filtrin e logjikës së ftohtë.

Ky është motivimi dhe garancia e saj që mbresat të derdhen në varg me intensitetin e tyre drithërues: shpërbërja e vitit dhe e jetës, lamtumirat e papërqafuara, puthjet e braktisura, maskat në fytyrat e njerëzve, ferri i vërtetë i kësaj pandemie!

Më lart e quajta poezinë e Natashës “ekstazike”, për asosiacionet që përshkruan, për gjendjet psikologjike të ngarkuara me një tension jo të zakonshëm emocional të kësaj situate pandemike, e cila e ka gllabëruar edhe poeten dhe i ka ngjallur atë alarm shpirtëror gati të pakomandueshëm.

Jam i bindur që autorja, me togfjalëshin “brenda sekondës” e ka fjalën vetëm për e poezisë, për bërthamën e poezisë, çastin “hyjnor” të krijimit, që mishëron edhe tiparin më thelbësor filozofiko-estetik të stilit të saj.

Këtë çast ajo e vendos midis dy pyetjeve retorike, si në një kornizë të poezisë.

E para, e fillimit: “Zbërthehet ndonjëherë bota/Zbërthehet ndonjëherë viti” dhe e dyta, e mbylljes “E lakuriqtë është bota edhe më e bukur kur e pyes/Me kë po bën dashuri, ti moj zemër?”.

Poezia e Natasha Lakos, përveç ngjyrimit “ekstazik” ka ngjyrime të ligjërimit postmodern. Poetja synon pasqyrimin e realitetit dhe, në të njëjtën kohë, interpretimin e tij. Kjo nuk mund të arrihet vetëm me abstragimin, me situata surreale, ekstazike. Duhet edhe mendimi, gjykimi. Prandaj edhe poetja i shtron këto pyetje.

Natasha Lako këtë e bën, jo vetëm për të zbuluar misterin, surrealen, që mbështjell situatën e pandemisë, por edhe për t'i nxitur njerëzit të mendohen duke u ngjallur emocione dhe kënaqësi estetike. Dhe jo vetëm kaq! Kjo, pohon poetja, “e ndihmon shumë poezinë të japë interpretime të lira”.

Ndjenja e lirisë së ndërgjegjes është një nga motivet kryesore të krijimtarisë së saj.

Patjetër që një poezi e tillë, ky stil kompleks, kërkon një përqëndrim maksimal të lexuesit. Kërkon një psikofizikë të një lloji tjetër të leximit të tekstit. Kërkon, jo vetëm lexim të vemendshme, por edhe pjesëmarrje aktive, reprocitet të lexuesit në ligjërimin poetik., pse jo, edhe si “bashkautor”.

©Vangjush Ziko