Ose përvëlim, ose mashtrim - Nga Zija Çela

E kam thënë tashmë, ndodh nganjëherë që vullkanet, bashkë me llavën, nxjerrin nga thellësitë e nëntokës edhe diamante. Ndërsa një shkrimtari i duhet që, duke e mbajtur përbrënda tërë erupsionin, të nxjerrë në sipërfaqe vetëm xhevahirin.
Uf, sa përvëluese është! Por edhe çfarë kënaqësie, a thua se në çastin kur arrihet, mushkëritë e shkrimtarit mbushen me oksigjen hyjnor. I tillë, me të dy skajet e kundërta, është fatumi dhe misioni i tij.
Veçse kujdes, jo çdo gjë që shkëlqen është flori! Mashtrimi me floririn kallp mund të nisë nga vetë autori.
Dikur, argjendarët e Shkodrës, mjeshtra të një tradite të gjatë, e njihnin arin nëpërmjet dhëmbeve. Nuk më vjen ta besoj se kërkonin ta kafshonin, për të provuar nëse në metal mbeteshin gjurmë. Po përse aherë goja?!
Sado të duket e habitshme, them me vete se ashtu ia identifikonin shijen.
Shkrimtari profesionist është një mjeshtër i tillë. Ai ka aftësinë ta ndiejë menjëherë nivelin e produktit të tij letrar, prandaj nuk i lejohen gabimet e çertifikimit.
Nëse mbyll një sy dhe i pëlqen të përkëdhelë sedrën, e thënë troç, ky është vetëmashtrim. Por nëse pas vetes, kërkon të mashtrojë edhe të tjerët, ky është egoizem i shfrenuar dhe shkelje e përgjegjësisë morale.
Krijimtaria amatore (“Me pelqen, prandaj shkruaj”) është çështje pasioni. Krijimtaria e profesionistëve e tejkalon pasionin. Ajo është kryesisht vuajta e ëmbël e një flijimi të ngadalshëm, por të vetëdijshem dhe të pandalshëm deri në amshim. Ose, ndryshe, organizmi vullkanik që ha llaven e vet.
©Zija Çela