Letërsi

Drekë në ZOOM - Tregim nga Sami Milloshi

Se kujt i shkrepi në mendje të kishim një drekë virtuale, nuk u mor vesh. Por ftesat na erdhën. U tha data dhe dita, u tha ora dhe... sigurisht, u tha edhe vendi: në Restorant ZOOM...

Sa herë hyj në Zoom për mbledhjet e radhës më kap një trishtim që nuk di ta tregoj. Më dhimbsen të gjithë miqtë e mij dhe, natyrisht edhe vetja. Sepse të gjithë, të gjithë pa përjashtim, përpiqemi të luajmë një rol si aktorë të sprovuar. Mua më duket se të gjithë bëjmë sikur gjithshka është normale edhe këtu në ZOOM.

Ndërsa i shquaj plot dritë hije trishtimi në ekran, unë për vete, përpiqem ta fsheh dëshpërimin tim. Por ende nuk e di se si iu duket të tjerëve fytyra ime në ekran...

Një ditë desha të rebelohem ashpër dhe t'u them se këto mbledhjet në ZOOM mua më bëjnë për të vjellë dhe se më duken po aq artificiale sa ato vibratorët që mbajnë në çantat e tyre disa gra që nuk prekin burrë të gjallë me dorë. Por, nuk e bëra atë marrëzi prej droje se mos më quajnë njeri primitiv...

Më keq e pësova. Po të isha rebeluar, nuk do të kishte ngjarë të më vinte ftesa për drekë virtuale. Por, ftesa erdhi. Dhe unë nuk kam nga t'ia mbaj. Duhet të paraqitem për drekë me lugë në brez...

Drekën në ZOOM e deklaroi të hapur zonja Ashley. Ajo tha pak a shumë, se pandemia na ka penguar të mblidhemi me njeri tjetrin dhe të hamë sëbashku në kafeterinë tonë. Na ka penguar të shihemi sy më sy dhe t'i shtrëngojmë dorën njëri tjetrit. Dhe, me një ton triumfal e mbylli fjalimin kur tha:

- Por, prapë asgjë nuk na ka penguar të jemi përsëri bashkë. Ja siç jemi sot, në këtë drekë virtuale... Hajde gëzuar, pra...

Zonja Ashley u pa të ngrinte një gotë plastike në ekran në shenjë përshëndetjeje për të tjerët.

Unë kisha vënë mbi tryezë një copë bukë misri që e kisha pjekur vetë në sobë dhe një pjatë me kripë deti...

E mora fjalën edhe unë.

- Mirëse ju ka pru Zoti - thashë unë - në shtepinë time. Për drekë kam bukë, kripë dhe zemër... Ju ftoj ta ndajmë bashkë bukën, kripën dhe zemrën...

- Uau - qe pasthirrma e zëshme e Christinës...

- Të gjitha i kuptoj - tha Christina, po zemrën, zemrën si do ta ndash me ne? - pyeti ajo.

- Ç'të të them Christina?! Më vjen keq, po nuk erdhe këtu me mua në tryezë, nuk kam se si ta ndaj zemrën për ty...

- Që do të thotë se po na gënjen, kështu ë?

- Po ti provoje të vish këtu Christina...

- E po kjo drekë virtuale është, nuk vij dot...

- Është si një gënjeshter e bukur Christina. Ne mund ta marrim për të vërtetë. Por, do të ngrihemi nga tryeza të untë sërish...

Ke pirë ujë te kroi ndonjëhere ti Christina? - pyeta unë

- Kam pirë - tha Christina - dhe nuk ka gjë më të bukur.

- Nuk ka vërtet - përsërita unë çfarë tha ajo. Dhe shtova:"Është njësoj si të puthësh buzët e njoma të së dashurës për herë të parë".

- Po - tha Christina dhe shtoi: "Ndërsa të shtrohesh në një drekë virtuale si kjo e sotmja, është si të puthësh buzët e ngrira të të dashurit në arkëmortin e tij..."

Dashur pa dashur Christina preku shpirtin tim të plagosur. Dhe drekës virtuale i ra një hije e zezë. Vrik e vrik nga tridhjetëepesë pjesëmarrës në ZOOM, në tre katër sekonda, pothuajse të gjithë u larguan. Mbetën me fytyra të pezmatuara tre katër vetë, midis të cilëve edhe zonja Ashley, ajo që kishte mbajtur fjalimin entuziast të hapjes së drekës virtuale.

- Nuk e prisja që kjo drekë të mbaronte kështu, kaq pa pritur. - tha trishtueshëm zonja Ashley.

- Mirëse të vini tek shtëpia ime, bukë e kripë e zemër - thashë unë dhe, si gjithë të tjerët e lashë edhe unë drekën virtuale duke e mbyllur ekranin e kompjuterit...

Mbi tryezë ende ndihej avulli i ngrohtë i bukës së misrit, ndërsa ekrani i errët i kompjuterit ra në një gjumë të thellë...

©Sami Milloshi