Letërsi

Lasgushi, poet i bukurisë magjike dhe Shqipërisë Etnike - Kujtime nga Naum R. Prifti

Nga: Naum R. Prifti

Për Lasgushin, kultura e njeriut dhe horizonti i tij nuk ishin koncepte abstrakte. Ai e shihte manifestimin e tyre kudo dhe dinte të argumentonte lidhjen e tyre bindshëm.

Në anën lindore të Pogradecit, në fund të bulevardit, aty ku ndahet rruga e Drilonit nga e Korçës, dalloheshin dy ndërtesa të reja njëkatëshe me tulla. Përpara tyre, Lasgushi ndaloi hapin dhe drejtoi bastunin si tregues.

-I sheh ato dy ndërtesa?- më pyeti. - Dikur aty ishin dy baraka druri të shëmtuara që nuk shiheshin me sy. Te njëra shitej vajguri, te tjetra qymyr a gërqele. Kur ishte sekretar i parë Pirro Gusho dha urdhër të prisheshin dhe mirë bëri. Po shiko se çfarë ka ndërtuar. Në vend të ngrinte një ndërtesë të bukur, të lartë që mund të hijeshonte qytetin, ndërtoi dy kolibe të vogla prej tullash. Pse? Sepse aq dinte, koncepti i tij nuk shkonte përtej ustallarëve të Mokrës. Unë Pirron e kam nip dhe e dua, po nuk mund të mos e kritikoj për këtë shëmti që i la qytetit në një nga pikat më të bukura. Pa patur koncepte për të ardhmen dhe dijeni urbanistike, si mund të rregullohet qyteti?

Fliste me duf dhe dukej i zemëruar sepse në qytet deri në atë kohë, nuk dukej asnjë ndërtim modern.

Dhe Lasgushi, në kuptimin e mirë të fjalës, ishte sqimëtar. Për vargjet, ai kujdesej të zgjidhte fjalën me kujdes dhe e lëmonte atë për të pasur kadencë dhe muzikalitet. Lasgushi mërzitej e nervozohej kur redaktorët vinin dorë mbi vargjet e përkthyera prej tij. Nga kjo shtysë Lasgushi hartoi një satirë të mprehtë, e cila qarkulloi gojë më gojë në mjediset letrare të Tiranës.

“Redaktorët trukokallë,

Redaktojnë vjershëtorët,

Pa më thoni se kush vallë

Redakton redaktorët?”

Për Lasgushin poetët gjermanë, anglezë, francezë, si klasikë dhe bashkëhohorë kishin vend të veçantë. Ai fliste me admirim për Gëten, Hajnen, Bernsin, Brehtin eti. ku rrezatonte horizonti i tij kulturor në letërsi dhe filologji. Ai ishte nga studentët e rrallë shqiptarë, në mos i vetmi, që gjatë studimeve në Universitetin e Gracit, Austri, ndoqi edhe një kurs të gjuhës sanskrite. Besohet se albanologu i njohur Norbert Jokl, me të cilin Lasgushi kishte miqësi, e nxiti të regjistrohej në atë kurs. Jokli shpresonte se njohja e sanskrishtes, si rrënja e gjuhëve indo-evropiane do ta shtynte Lasgushin të lëvronte edhe filologjinë. Por Lasgushi kishte lindur për të qenë poet.

Ai më rrëfente sesi takoi një lab dhe iu lut të dëgjonte disa nga këngët e krahinës së tij. “Labi këndonte dhe unë e dëgjoja. Njëra prej tyre më la mbresë të veçantë; “Qaj e qaj moj Këndrevicë,/ E larta mbi male gjithë.” Vargjet e tjera ishin të zakonshme, dhe pa vlerë, tha ai, se folklorin e bëjnë njerëz pa shkollë, por misioni i poetit është të njohë se ku janë fshehur xhevahiret. Forma e rrallë e ndërtimit sintaksor, ku mbiemri del përpara emrit, “E larta mbi male gjithë”, i jep bukuri poetike të jashtëzakonshme vargut.” Lasgushi e huazoi modelin në poezinë “Vasha dhe trimi”.

“Vate prill’ i trimërisë,

Më zu maj i dashurisë.

M’u shfaq vashëza në gjumë,

E ëmbla mbi shoqe shumë...”

Gëtja, Homeri, Shekspiri dhe Danteja si shumë autorë e kanë vjelur folklorin dhe kanë krijuar vepra arti në sajë të kulturës së tyre dhe talentit. Një shkrimtar injorant nuk vlen edhe pse e quan veten shkrimtar, madje edhe kur të tjerët e lavdërojnë për t’ia bërë qejfin”.

Lasgushi e ktheu bukurinë fizike të vendlindjes në objekt artistik, duke i falur poezisë shqipe krijime jashtëzakonisht të bukura. Ndërsa, Naimi i këndon bukurisë fizike të Shqipërisë me male, kodra, çuka e pyje, në tërësi dhe në mënyrë përgjithësuese, Lasgushi ishte konkret me emra e topologji. Mali i Thatë, Liqeni i Ohrit, Drini, Shën Naumi janë të pranishme në poezinë e tij. Liqeni, (Lasgushi e toskërizonte Liqeri) si një medaljon i kaltërt mes maleve, me tejpamshmëri të jashtëzakonshme, përflaket kur dielli në ulje ndriçon retë nga poshtë, qetësia e armshuar që bie mbi të aq dominuese sa mund të dëgjohet kërcitja e lopatës së një varke, janë disa nga detajet e spikatura të poezisë lasgushiane.

Poezia feks me nuanca, ngjyra, tinguj, dhe kontrasti me muzgun krijojnë muzikalitet dhe harmoni me natyrën, veten dhe gjithësinë.

“Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pakufir.

Po përhapet dal-nga–dalë një pluhurë si një hije.

Nëpër Mal e në Lëndina Shkrumb i natës që po bije.

Duke zbritur që nga qielli përmbi Fshat po bëhet fir...

 

E kudo krahin’e gjërë më s’po qit as pipëlim:

Në katund kërcet një portë... në liqer hesht një lopatë...

Një shqiponjë- e arratisur fluturon në Mal-të Thatë...

Futet zemr’ e vetëmuar mun në fund të shpirtit t’im.

 

Tërë fisi, tërë jeta, ra ... u dergj.. e zuri gjumi..

Zotëroi më katër anë errësira...

Po tashi:

Duke nisur udhëtimin mes-për mes në Shqipëri,

Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shendaumi.” 

Në kohën kur punoja te Revista "Ylli", Lasgushi erdhi në redaksi i zemëruar si rrallë herë. Më tha se kishte marrë vesh se profesor Zijaudin Kodra, pedagog në Fakultetin e Letërsisë Shqipe, duke komentuar vargun për Drinin plak që shkon mes-për-mes Shqipërisë, e kishte cilësuar si licensë poetike meqë poeti nuk merrte parasysh gjeografinë fizike, ku “në fakt Drini shkon anash, përngjat kufirit të Shqipërisë”. 

I vetëdijshëm se protestat për këtë koment të profesor Kodrës, nuk do t’i botoheshin në asnjë gazetë, Lasgushi gjeti rrugën më praktike duke ia shprehur pakënaqësinë shkrimtarëve dhe studiuesve. Unë isha bashkë me poetin Vehbi Skënderi, kur Lasgushi ceku temën e Drinit.

“E kam mik Profesor Zijaudinin dhe e dua”, na tha, “por nuk jam aspak dakord me komentin që u ka bërë vargjeve të mia për Drinin. Kur e lexoi këtë poezi albanologu Norbert Jokl, tha; “Ja sa bukur poeti u lë trashëgim brezave të ardhme Shqipërinë etnike, ‘ ndërsa një profesor shqiptar e quan licensë poetike, sikur unë nuk e di dramën e copëtimit të viseve shqiptare më 1913. Jo, nuk e vura as për hatër të rimës e të ritmit, po sepse ashtu është e vërteta. Andej matanë kufirit është gjysma tjetër e Shqipërisë dhe Drini shkon mes-përmes saj, ndërsa lumenjtë e tjerë thuajse pa përjashtim, shkojnë nga lindja në perëndim.”

Askush tjetër nuk i këndoi aq bukur dhe me mjeshtëri natyrës shqiptare sa Lasgushi te poezia “Mbarim Vjeshte”.

Lasgushi është poeti më i madh lirik, dhe një hark lidhës nga letërsia e Rilindjes te ajo e Pavarësisë.

Poezitë e Lasgushit u hoqën nga antologjitë e shkollave tetëvjeçare dhe të mesme si të demoduara, sepse motivet e tij nuk përkonin me kërkesat e realizmit socialist, aureolën që gëzonte si poet nuk mundën t’ia hiqnin kurrë.

Nuk mundën t’a ndanin poezinë e Lasgushit nga mendja e zemra e shqiptarëve   në kohën e Enverit dhe në asnjë kohë tjetër, sepse Lasgushi ishte një yll.

Ylli i tij do shkëlqejë në qiellin e letërsisë shqiptare për të gjithë ata që kanë kohë të ngrenë sytë e ta gjejnë në qiellin e lartë ky ai ndriçon me të njëjtën forcë e bukuri siç ka vezulluar edhe më parë.

 

©NaumPrifti