“Azarovka”, një suitë poetike e nostalgjisë dhe qëndresës shpirtërore - Nga Vangjush Ziko
“Azarovka” (Suitë poetike) është një cikël me dymbëdhjetë poezi të poetes Olga Sedakova për një vend të shtrenjtë për të, për rezidencën kryesore të krijimtarisë, ku ka shkruar, pothuajse, të gjitha poezitë e veta.
Poezitë lidhin bashkë, jo vetëm mbresat e përditshmërisë intime të nikoqires, “punonjëses pronare të kopshtit fshatar”, siç e quan ajo veten, të “kopshtit të dukshëm, të padukshëm, ditën dhe natën”, kopshtit të pranishëm në mendjen e saj.
Në këto poezi, tema kryesore është tema e “kopshtit”, e simbolit të mitopoetikës së saj, që trajton në vëllimin “Trëndafili i egër”.
Ky cikël poetik është një imazh realist dhe nostalgjik për këtë kënd intim të jetës së poetes, për frymëzimet që i ka falur, për krijimtarinë folklorike ruse që e ka mëkuar imagjinatën e saj, për natyrën e virgjër dhe mbresëlënëse, për kodrat, pyllin, qiellin e kaltër, për çka ka shijuar dhe ëndërruar në gjirin e saj, për jetën, zakonet, mentalitetin e banorëve, për ato që e kanë bërë të lumtur dhe e bëjnë të vuajë.
Toponimia: burimi, kodrat, plepat, përroi, shtegu i pyllit, natyra në përgjithësi, janë burim frymëzimi, meditimi dhe interpretimi figurativ i mjedisit. Poetja, jo vetëm e pasqyron me emra konkretë, por edhe e interpreton atë metaforikisht, duke e shoqëruar me mendimin, me prezencën e saj ontologjike, të ekzistencës, duke e pasuruar me aspektin estetik dhe me sharmin enigmatik. Ajo bën njëherësh edhe interpretimin psikologjik dhe ekstatologjik, sipas konceptit të botëkuptimit idealist dhe kozmologjik të vet.
“Azarovka” e Olga Sedakovës është jo vetëm një përrallë e qendisur me vargje magjepsëse, një suitë poetike nostalgjike, por edhe një realitet i dhimbshëm dhe tronditës për poeten.
“Azarovka, shkruan poetja, është fshati përtej lumit Oka, ku ndodhet kopshti im. Poezitë e përkushtuara Azarovkës, tashi mund t'i quash përkujtimore. E gjithë kjo nuk ekziston më, u zhduk para syve të mi, ajo është asgjësuar nga kotixhet me emra, të cilat të vjen turp t'i zësh në gojë. Ka mbetur i paprekur vetëm kopshti im”.
Poetja i qëndron besnike kredos së vet krijuese se “tema e veprës zbulohet vetëm përmes përvojës personale”, se në kohën tonë “nuk ka një kor kolektiv, por një thirrje të fshehtë me emër, thirrje të shpirtit njerëzor ndaj thellësisë njerëzore”, e cila e ysht atë të zbulojë edhe anën e dhimbshme të fenomenit “azarovka”, cënimin e virgjërisë së “kopshtit simbolik”.
Poezia “Fshati” na zbulon dramën e dhimbshme aktuale të Azarovskës: “shtëpitë edhe çatitë shfaqen/mes natës që i mbulon”. Shtëpitë qëndrojnë porsi llambadhe në majë të kodrës, “pa një emër të përveçëm”, indiferente ndaj kuriozëve të huaj (banorëve të kotixheve, të vilave të reja të porsangritura), ato janë të mbyllura në trishtimin e tyre. Ky është një trishtim i thellë shpirtëror. Janë të vdekurit, “që zbresin” nga qielli dhe “kandilëve u hedhin vaj”.
“Ka mbetur i paprekur vetëm kopshti im” dëshmon me dhimbje poetja.
Për, Olga Sedakovën, poeti është “njeriu kolektiv, është vetë thelbi njerëzor i njeriut, që në zemrën e tij rri zgjuar e vigjëlon” besnik ndaj kredos së vet shpirtërore.
Poezia “Kopshti”, që mbyll ciklin, është një apoteozë alegorike e këtij besimi, që e sfidon realitetin aktual shpërfytyrues të virgjërisë së natyrës me “kotixhet me emra të shpifur”.
Fjalët kyçe të kësaj poezie janë: shtëpia, që “digjet” dhe njerëzit, që i rezistojnë këtij “zjarri”, Gjylistani (kopshti simbolik babilonas), plepat (në formën e gotave romake të festave), Ridvega (shkrimi i shenjtë më i vjetër i fesë hinduse) dhe skribët (shkronjësit që shkruajnë këtë kronikë).
Olga Sedakova ka hedhur në vargje një suitë poetike të nostalgjisë dhe të qëndresës kolektive shpirtërore të besimtarëve të përkushtuar. Ajo ka krijuar një artifakt suigeneris, jo vetëm për këtë vend të shtrenjtë për të, por për vetë natyrën, që po shpërfytyrohet mizorisht në ditët tona.
Ja disa prej poezive të këtij cikli, të përkthyera prej meje:

BURIMI
Kush vjen dhe para teje ndalon
me buzëqeshjen që sytë ia ndrit
dhe pi, e pi e nuk ngopet dot
me ujin tënd shërues që pi.
Ndriçimi yt i mallit dhe dhimbjes
i dashuruar me ty përjetë,
pëllëmba vetiu si kupëz mblidhet
të pijë eleksirin e jetës.
Merre, ti, kupën e pastër
si potirin e lashtë, të sheshtë,
mbushe ti zemrën tënde të qashtër
me melodi e me himne të festës.
KODRAT
Kur besimin e humb fitimtari,
del e shikon se ç'ka ndodhur përreth,
shikon se beteja nuk shkon për së mbari,
lakun e saj po e mbledh dhe e mbledh.
Frerët shtrëngon, picërron sytë e tija,
nga karroca shpërndan qielloren postë
në garat për nder të Shën Ilias,
të stuhive të shpirtit edhe të tokës.
Dhe turren njerëzit bashkë drejt nesh,
paret prej letre shpërndajnë si lule,
djaloshi fshatar ec e fishkëllen,
kurorën e gjembave të këputë sulet,
dhe prej këtej, që nga kjo lartësi,
përmbi të mbjellat vërshon lumturia,
mardhet shpirti dhe lulet, ronit,
sheston për betejën tërë hapësira.
FSHATI
Ashtu si fëmija që bën ç'i teket,
kërkon instrumentin më të çuditshëm
dhe luan, përpiqet ai dhe reket
po nuk ia del dhe ndihet mëzitshëm,
kapakun përplas dhe vetë këndon,
kështu dhe shtëpitë edhe çatitë
shfaqen mes natës që i mbulon.
Porsi llambadhe në kodër qëndrojnë,
janë sa janë, s'ka rëndësi,
me mendjen e tyre ato numërojnë,
të huajit ç'i duhet atij.
Nuk kanë ato të përveçëm emër.
Të vdekurit hyjnë në to kur i ftojnë,
u lehin atyre vetëm qentë
dhe hënën porsi dritare shikojnë.
Zbresin ata ëndërrimtarë prej saj
dhe kandileve u hedhin vaj.
KOPSHTI
Edhe shtëpia është në flakë, por ne s'digjemi.
Edhe kopshti po çahet e ajri lëviz,
edhe drita ndizet, ndriçon errësirën.
Rrobat zhvishen, vazhdojmë bisedimet
edhe vrapin pas nesh e ndalin skribët.
Pendët kërcasin për bukuri,
shkruajnë, përshkruajnë këtë fitore,
kopshti po çahet e ajri lëviz,
edhe drita ndizet, ndriçon errësirën,
edhe plepi gotë latine madhështore
edhe Rigveda rijeton të sajën rini
©Vangjush Ziko











