Nën një yll të vockël - Wislawa Szymborska
"Nën një yll të vockël"
Falmë rastësi nëse si domosdoshmëri të jetoj.
Falmë domosdoshmëri nëse rishtas gabohem.
Lumturi, mos më mbaj mëri nëse çiltërsisht të rrok.
Falmëni ju, të vdekur, nëse kujtesës i mjegulloheni.
Kohë, më fal edhe ti, që e gjithë bota në çdo frymë m'përvidhet.
Falmë ndjenjë e vjetër kur prej një flake të re grishem.
Të më falin luftrat e largëta nëse me ngjyra lulesh shtëpinë stolis.
Falmëni plagë lënguese, ngase dhimbjen nuk mësoj t'ua mpak.
Falmëni, ju o shpirtra angullues, nese koha s'premton.
Ndjesë të pagjumëve ndër stacione, nëse netëve t'mia vagëlloj.
Falmëni shpresa t'përhumbura se, herë-herë, jetës i buzëqeshem.
Falmë, o tokë e shkretë, që drejt teje me një grusht ujë s'fugoj.
Dhe ti, fajkua, me vitet mpirë n'humbëtirën tënde të hekurt, kinse dhuroma faljen.
Falmë, o pemë e sakatuar për këmbët e drunjta në tavolinën time.
Falmëni pyetje t'mundimshme për përgjigjet e shkurtra.
Vërtetësi, mos më merr shumë seriozisht.
Maturi, ji e fisme me mua.
Dhimbje, mister i ekzistencës, falmë se në ty frymoj.
Dhe ti, shpirti im, mos më dëno nëse shpesh flas gjuhën tënde.
Falmëni gjithsa që s'mund të gjindem kudo.
Falmëni gjithkrejt që unë jam unë - thelbësisht unë.
E për aq sa frymë do t'kem, kurrgjë s'më shfajëson,
ngase jam vetë unë barriera ime më e madhe.
Dhe ti, gjuha ime, mos mu hakërre që prej teje fjalë t'zjarrta lyp,
porse tesha t'zakonshme rrekem t'u mbath.
Wislawa Szymborska (1923 – 2012) Poete polake, përkthyese dhe fituese e çmimit Nobel në Letërsi, 1996.
Përshtati nga italishtja: Iva Çaushaj











