Letërsi

Mbaj një zemër gruaje ndër duar - Nga Vehbi Skënderi

Mbaj një zemër gruaje ndër duar. Mollë të ëmbël!

Shoh përherë ëndërr. Shoh syçelur ëndërr rrugëve…

 

Druaj, se mos shpejtoj hapin e troshitet,

Mos më zë ferra vragën e gërvishtet,

Mos më shkel këmba në akull dhe më vritet!

 

Druaj mos vrenjtet qielli e trishtohet,

Mos zemërohet deti e pikëllohet,

Mos bjerë kund tërmeti dhe lëndohet!

 

Kam ndër duar një zemër gruaje. Shihni, ç’mollë e ëmbël!

Syçelur shoh ëndërr rrugëve. Shoh ëndërr…

 

Kam frikë mos ma gjuan kush me gur. Kam frikë!

Mos ma ngrin vrik acari, bari

Mos ma fshikë. Kam frikë!

Mos ma djegë shkrumb zjarri!

Mos ma vrasë kush me fjalën - plumb. Kam frikë!

 

Mbaj ndër duar një zemër gruaje.

Mbaj gjithë bisqet e shelgjeve dhe vreshtave (të posaçelur)

Gjithë sythat e lëngët të nyjeve,

Gjithë çerdhet e shkrepave dhe pyjeve

Më bëjnë kaq të ndjeshëm e kaq të pasur!

Kaq të prapë, kaq të metë… e kaq të dashur!

 

Mbaj një zemër gruaje ndër duar.

Kurrë s’kam mbartur

Thesar më të çmuar.

 

Druaj mos ma thajë bryma! Mos ma helmojë ndryshku,

Myku, tymi i ambientit!

Shkel mbi qelq e thëngjij papushuar…

 

Sikur mbaj gjithë kristalet dhe brilantet e Orientit!

Mbaj një zemër gruaje ndër duar!

 

Nga libri “Hënë e vjedhur”, Tetovë 1996