Letërsi

Lirikë e hidhur - Nga Bardhyl Londo

Nuk e dua më këtë qytet,

e di: ai është fajtor pa faj.

Këtu ministrat janë të gjithë ëngjëj,

ata poshtë tyre të gjithë djaj.

 

Këtu të djeg malli për një hënë,

malli të përvëlon për një borë.

Këtu dhe hena dhe dielli lindin

kur vizë t’u japin ambasadorët.

 

Këtu përvelohesh për një fllad puhize,

këtu nuk fryjnë më vrunduj erërash.

Kalon nëpër rrugë, ke frikë mos gëlltitesh

nga gojë të shqyera tenderash.

 

Kam dalë tani pas orës policore,

asnjë frikë nuk kam për vete.

Po nuk i shikoj dot si dridhen jetimë

nga tmerri i betonit monumentet.

 

Ku është Lindja, Perëndimi ku?

Ku është Jugu, ku është Veriu?

Ku vallë mbaron betoni?

Ku vallë fillon njeriu?

 

Eci dhe këmbët më merren,

nuk kam pirë alkool asnjë pikë.

Me vete vargun e Brehtit pëshpëris:

kohë e vështirë për lirikën.

©Bardhyl Londo