Letërsi

Një vështrim mbi stilistikën poetike të Petraq Ristos - Nga Vangjush Ziko

Po e nis këtë vështrim mbi poezinë e poetit të mirënjohur Petraq Risto me një shprehje të tij: “Poeti shpesh përjeton si të vetat dhimbjet e njerëzimit, ngjan me atë që gëlltit zjarre, që thith flakën para spektatorëve dhe e nxjerr përsëri, pasi e kalon përsëri afër zemrës”.

Nëpërmjet këtij shtjellimi metaforik poeti na pohon thelbin e kredos së vet poetike.

Ai e projekton poezinë si një reflektim emocional ndaj botës, që e rrethon. Ai na pohon se këto refleksione, “dhimbjet e njerëzimit”, i purifikon nëpërmjet frymëzimit të vet.

Ato bëhen kështu “flaka” e përjetimeve vetjake.

Dhimbjet e njerëzimit shndërrohen në mbresa subjektive dhe iluzione vetjake.

Poezia e Petraq Ristos është një poezi lirike e veçantë.

Kjo poezi, në radhë të parë, ka sharmin e impresionit.

Poeti ka besim të plotë te përshtypja e parë, te virgjëria e saj.

Kjo përshtypje e çon atë, patjetër, te abstragimi. Abstragimi është një gjendje e re e mbresës. që shndërrohet në perceptim, Poeti me anën e të menduarit largohet nga tiparet kryesore të sendit apo të fenomenit duke krijuar kështu një lidhje emocionale reciprociteti midis mendimit dhe perceptimit.

Ky proces ka përcaktuar edhe konceptin bazë të ligjërimit poetik të Petraq Ristos.

Ky koncept është, në radhë të parë, një koncept impresionist.

Vëllezërit Gonkur, që në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, e kanë formuluar qartë devizën e impresionizmit me këto fjalë: “të shikosh, të ndiesh, ta shprehësh, në këtë konsiston arti”.

Impresionizmi, në letërsi, nuk krijoi një rrymë letrare jetëgjatë, por elemente të këtij koncepti vijojnë të ushqejnë krijimtarinë poetike bashkëkohore.

Këtë koncept e gjej të materializuar edhe në poetikën e Petraq Ristos, e cila dallohet për pasqyrimin subjektiv të mbresës në mënyrë të drejtpërdrejtë, të pasqyrimit intuitiv të ndjenjës me një fuqi të veçantë shprehëse dhe të pasur semantikisht.

Rastet janë nga më të ndryshmet, nga më të thjeshtat deri në ato më të komplikuarat në krijimtarinë e tij.

Në poezinë “Nga që gurët e lumit...” objekt i poetizimit në poezi bëhen gurët e lëmuar në shtratin e lumit, që i kujtojnë gjunjët dhe gjinjtë e një femre. Është forma antropomorfe e këtyre gurëve, që i ngjall meditimin erotik:

“Kur ti lahesh në lumë me fustan mbi gjunjë

Gurët marrin formën e gjunjve.

Mos e hiq këmishën, Me ujë lumi mos i fresko gjinjtë...

Oh, gurët e lumit: ç’formë gjinjsh!”

Veçanërisht mbresëlënëse janë impresionet në poezi si “Humbja e kujtesës”, të cilat përshkruajnë rrjedhën e jetës së heroit lirik nëpërmjet detajeve të natyrës apo të tipareve njerëzore: “shegët unaza për fejesë”, “dy buzë m’u bënë prag, kupëza: dy sytë”, “të çara si buzë klouni - shegët” (nga puthjet), “shegë e varur në degë” mbetet simbol i përjetimeve rinore.

Poezia e Ristos zotëron artin e kalimit nga një impresion-ndjenjë në një tjetër duke mishëruar në vargje mbresat komplekse të një çasti, siç ndodh në poezinë “Plagët e Fluturimit”, ku “plagët dhembin më pak” duke u ngjitur drejt qiellit,  sepse “fluturimi është shpirtëzim” dhe plagët janë mish; në qiell dhembin “plagët e shpirtit”, “fluturimi nxit pendesën”. Poeti luan me virtuozitet me “ndjenjën” deri në abstragim, duke e shndërruar “avionin” në plagë.

Një e veçantë e ligjërimit të tij është edhe kapërcimi i pragut të një mbrese të çastit, kalimi nga forma lirike, në një rrëfim, në “subjekt” lirik.

Po veçoj poezinë “Vejusha e ushtarit”.  

Heroi lirik i poezisë hyn në bisedë me një “grua me hije trinjake mbi kokë” dhe me një barist. Gruaja vetëm hesht. Ajo “kafshon pakëz barin e gjelbër (në cep të buzëve) dhe kërcen hija e parë: “fëmijëria” e saj. Qesh dhe ajo “rritet”. Ajo hesht dhe përtypet. Hija e dytë lëshon klithmë dhe në buzët e saj varet bari i varrezës si një litar fjalësh. Janë fije bari nga varri i ushtarit të vrarë.

Një baladë e veçantë impresioniste kjo vetëm me “fije bari”, që flet për jetën e një gruaje, për vejushen e ushtarit të vrarë. Baladë e trefishtë me “barin” dhe me një “klithmë” si simbole të saj. Një baladë e veçantë “pa fjalë”, vetëm me mbresa!

Pol Vërleni, impresionisti i shquar francez, ka një vëllim me poezi me titullin “Romanca pa fjalë”.

Thelbi i kësaj poezie të Petraqit zbulohet vetëm nëpërmjet magjisë së fijeve të barit, nëpërmjet një simboli konkret.

Ligjërimi poetik i poetit është një gërshetim i imazhinizmit me simbolizmin, siç ndodh dhe me këto dy shembujt e fundit.

Dihet se simbolizmi është e kundërta e natyralizmit dhe e realizmit, ai ua kthen thelbin e fshehur sendeve të zakonshme. Për simbolistët figura shpërbëhet në nuanca të panumërta të gjykimit, duke çuar në një tjetër realitet.

Poezia “Takova një grua prej shiu...” është një shembull domethënës, që flet vetë.

Aroma e kësaj gruaje iluzive mbin si bari, afshi i saj sjell stuhinë, nuri i saj është i tejdukshëm dhe heroi lirik një “ylber i prerë me pamje njeriu”.

Poetika impresioniste nuk e lejon poetin të bjerë në përshkrime, apo në renditje të zakonshme të objekteve, apo të përjetimeve. Ajo e ndihmon ta zbulojë fshehtësinë e objekteve, apo përshkallëzimin emocional të përjetimeve nga simbole të natyrës, duke shmangur përshkrimin e ftohtë natyralist.

E veçantë është edhe metafora në poezinë e Petraq Ristos.

Unë do ta quaja: “metaforë impresioniste”. Ajo zakonisht është një metaforë e zakonshme me elementë përshkrues të spikatur artistikisht.

Autori parapëlqen një zinxhir metaforash, duke u ndalur dhe fragmentuar dukurinë në shumëllojshmërinë e saj, siç ndodh në poezinë “Mëngjesi”:

“Brenda natës gjeta mëngjesin e hutuar duke qarë.

I vura dorën mbi sup për ta qetësuar: nga prekja çelën lastarë.

Një mëngjes i tronditur mund të zbardhet në gjunjët e natës.

Ndodh që brenda pak orësh të thinjen flokët e zinj.

Mëngjesi të dalë prej natës si nga këllëfi argjendi i shpatës

Kur klith në ajër: Liri...”

Kjo mbartje krahasuese kalimtare nga një varg te tjetri e shndërron figurën në jetë dhe jetën në krahasim, metaforat dhe realiteti ndërrojnë vendin.

Metafora impresioniste nuk është thjesht një trop. Ajo shndërrohet kështu në pjesë të filozofisë së realitetit, të lidhjes reciproke të fenomeneve apo të objekteve me vetë mbresat që i kanë përftuar ato.

Metafora e Petraq Ristos është e veçantë. Ajo merr një ngarkesë maksimale duke u bërë, jo aq pasqyrim i botës reale, si metafora klasike. Ajo, duke përcjellë refleksin e mbresave të saj mbi poetin, bëhet edhe vetëshprehja e “unit” të tij lirik.

Eshtë pikërisht kjo metaforë, “metafora impresioniste”, promotori kryesor i krijimtarisë poetike të Petraq Ristos. Ajo mban peshën më të madhe të ndjenjës dhe të mendimit, mishëron filozofinë e ligjërimit të tij poetik.

Ligjërimi apo diskursi poetik është një komponent, “një strukturë estetike kuptimplotë dhe funksionale e organizuar”, strukturë e cila përcakton aspektet poetike dhe estetike të çdo autori (N.M. Mogiljeva).

Diskursi poetik është komponenti që lidh autorin me lexuesin.

Ligjërimi poetik i poetit Petraq Risto ka një intensitet të veçantë emocional. Siç pohon dhe ai vetë, ligjërimi i tij “përjeton si të vetat dhimbjet e njerëzimit”.

Prezenca e ngjyrimit impresionist, që përmenda më lart, e dëshmon këtë edhe nëpërmjet ligjërimit të tij poetik.

Karakteristike është “bota alternative” që krijon autori në poezitë e veta.

Po marr si shembull poezinë “Orgji me Hijet”.

Kjo “botë alternative” e lidh atë me “emrat hije” të autorëve të mëdhenj të artit botëror: Shekspirin, Tolstoin, Uitmanin, Miltonin, Majakovskin.

Nëpërmjet kësaj “orgjie me hijet”, kësaj alegorie, poeti i bën jehonë kalvarit krijues shpirtëror, që i ngjan një beteje me “plagë të domosdoshme: hijegjurmëplaga”, “të kuqe mullagash”.

Synimi i autorit është jo thjesht kjo “botë alternative” imagjinare se sa ai nëpërmjet saj na jep botën e vet shpirtërore. Ai përcjell ironinë e shpirtit krijues, që ëndërron për përjetësinë.

E marrë në kontekstin aktual të globalizmit dhe të kibernetikës, të komunikimit virtual, poezia “Orgji me hijet” është një sfidë ironike, sa personale, po aq edhe përgjithësuese:

“E këmbeva shpirtin për rininë e përjetshme dhe fis dola me Mefistofelin.

Fausti më pa vëngër si gjithë të zhgënjyerit një ditë pas betimit.

Pastaj u hakërreva me asgjëtë e kësaj bote të lodhur gjer në rremb,

U talla me veten siç tallet trëndafili me një gjemb”

Ky ligjërim emocional, që shpreh raportin emocional të autorit me fenomenin, intensiteti i përcjelljes së këtij fenomeni, si dhe zbulimi i botës së vet të brendshme ndaj lexuesit është një karakteristikë specifike e ligjërimit poetik të Petraq Ristos.

Një element tjetër specifik i diskursit të tij poetik është edhe “melodioziteti” i vargjeve. Tipike është edhe poezia “Orgji me Hijet”.

Këtë na e dëshmojnë vargjet e fundit të saj:

“Me Danten, Shekspirin, Gëten, Tolstoin, Uitmanin: gjurmë plagësh në trup

jam fusha dimërore pas një beteje të kuqe mullagash.

fusha dimërore pas një beteje të kuqe mullagash.

dimërore pas një beteje të kuqe mullagash.

pas një beteje të kuqe mullagash

të kuqe mullagash

mullagash...”

Përsëritja e të njëjtit varg, gjatësia e të cilit vjen duke u shkurtuar gradualisht, gjersa në fund mbetet vetëm simboli i plagës “mullaga”, na përcjell platitjen e një “gjëme” të thellë shpirtërore.

Edhe përshkallëzimi zbritës i vargjeve, grafika e strofës shndërrohet në një “detaj poetik”.

Ligjërimi poetik i Petraq Ristos nuk është aq i lehtë për çdo lexues.

Vështirësia qëndron në raportin midis synimeve të stilistikës së autorit dhe të nivelit të lexuesit.

Poeti komunikon me lexuesin me një stilistikë moderne mjaft të pasur dhe të larmishme. Profili i poezisë së tij është një profil i veçantë dhe i spikatur i poezisë sonë bashkëkohore.

Petraq Risto është një “prestigjator” i rrallë i vargut të vet.

©Vangjush Ziko