Letërsi

Rilindja - Tregim nga Jusuf Buxhovi

(Në kujtim të monumentit më të madh kulturor shqiptar, që u vra mizorisht më 2002 nga plangprishësit)

Në kafenenë "Te Rrema", për vite të tëra, kishin pirë kafenë e mëngjesit. U pëlqente të uleshin në tavolinën skaj dritares, nga, si në pëllëmbë të dorës, shihej pjesa më e madhe e qytetit që shtrihej kundruall Kodrës së Diellit, ku Pallati i dikurshëm i "Rilindjes", që ngrinte krye sa më lart për të treguar hijeshinë dhe krenarinë e vet në atë fushgropë, tash i lënë shkretë dhe i përdhosur me lloj-lloj reklamash, mbizotëronte gjithë atë fushëpamje, së cilës i kishte humbur harmonia.

Dhe, në atë kënd me soditje tepër pikëlluese, pirja e kafesë përherë shoqërohej me ndonjë bisedë rasti, nga ato që merreshin si çështje koti, siç ishte shpjegimi i ëndrrave, ankesat për gjumin e parehatshëm të natës deri te ndonjë ndeshje futbolli që jepej në ekran (të shumtën nga ato të ligës gjermane) dhe të ngjashme, ku mund të kishte vend për çmos, por jo edhe për gratë dhe politikën.

Që të mos flisnin rreth grave dhe politikës, që moti kishin rënë në ujdi, ngaqë prej vitesh bënin jetë vejanësh (njërit i kishte vdekur gruaja shumë herët, ndërsa tjetrit I kishte ikur me një kushëri, diku jashtë, dhe e kishte lënë me borxhe deri në fyt). Kjo vlente edhe për ato që i merrnin si përçapje të pavlefshme politike, sepse që të dy kishin qenë gazetarë shumëvjeçarë të rubrikës së kulturës në të përditshmen  "Rilindja", ku  ishin rritur dhe e kishin pasur pjesë jete të pandashme, me të cilën krenoheshin, por që me mbylljen e saj, që e shihnin si një vrasje me paralajmërim, jo vetëm nga  moria e  mediokërve, që për arsye të njohura silleshin vërdallë nëpër të dhe  prisnin t´u vinte çasti  t´i hakmerreshin (ata përherë ishin ndjerë inferiorë kundrejt elitës së saj profesionale, e cila me të drejtë kishte gëzuar edhe trajtimin e elitës shoqërore që në çaste vendimtare do t´u prijë proceseve të ndryshimeve historike, nëpër të cilat ishte kaluar) -  por edhe ngaqë ajo në kohët kalimtare, që do të vinin më pas, ngjashëm do të shihet me smirë edhe nga ata, të cilët kishin dëshiruar që kalimtaren ta mbanin sa më gjatë, mundësisht përgjithmonë, sepse vetëm ashtu rrinin në atë syprinë të sipërfaqshme, në ç’mënyrë edhe përfitonin.

Dhe, ishte e natyrshme që një gazetë e vlefshme, me autoritet dhe traditë, do t´u pengonte të krijonin ato opinione të rreme, siç i kishin krijuar, pa nguruar edhe të vetëshpalleshin ata që nuk ishin, të vetëdekoroheshin dhe të përhapnin broçkulla të panumërta, që zotëronin skenën politike dhe kishte rrezik që, në saje të gazetave, të cilat  me parashtesa e prapashtesa të shtypit të lirë dhe atij "gjithëkombëtar", që mbinin si kërpudhat pas shiut, të kthehej e gjitha  në një farsë tragjikomike të mashtrimit me anën e imitimit të idealeve të nëpërkëmbura, të cilat jo vetëm që nuk ishin përmbushur, siç thuhej me mburrje vend e pa vend, por ato edhe më tutje  mbeteshin të hapura e, madje, për ta edhe të shpërfillura…

Por, të pije kafe në një kafene përherë të mbushur me të tillë që qejfin e kafesë e mëlmonin me thashethemet rreth grave dhe me përçapje politike, ku secili dinte më shumë se tjetri dhe ishte në gjendje t´u jepte aty për aty përgjigje që të gjitha çështjeve, qofshin edhe të atilla që u duhej edhe një jetë e tërë studimesh, ishte pak e vështirë. Këtë e dinin fare mirë që të dy gazetarët e dikurshëm të "Rilindjes", të cilët ishin të vetëdijshëm se duke përjashtuar nga bisedat e tyre gratë dhe politikën, nuk bënin asgjë tjetër veçse ikjen e kohës dëshironin ta fshihnin disi me ato që më së shumti u mungonin, e kjo paraqiste një sjellje të panatyrshme, po që ata nuk dëshironin ta ndryshonin, pikërisht pse ashtu shfaqnin një mospajtim të brendshëm ndaj humbjeve të pakthyeshme, që njëherësh paraqiste një kundërshti ndaj atyre që në të vërtetë ndodhnin dhe me të cilat ata, jo vetëm që nuk pajtoheshin, por, për më tepër, as nuk dëshironin të kishin të bënin.

E gjithë kjo i sillte në një gjendje që shumica e të tjerëve t´i shikonin ndryshe: si të çekuilibruar nga dëshpërimi, e madje edhe të krisur fare, por që askush nuk ua vinte veshin, ngaqë merreshin si fatkëqij që nuk kishin qenë në gjendje, ose nuk kishin ditur t´u përshtateshin rrethanave të reja (krejt njësoj), fatin e zi të të cilëve, si për gjithçka tjetër, e merrte përsipër koha, e cila një ditë do t’i vilte nga kjo botë për të mos qenë më dhe për t’i vendosur në labirintet e harresës…

Dhe, dita që ata nuk do të ishin më, sado tragjike, do të vinte sikur të ishte e paralajmëruar, meqë edhe njëri edhe tjetri do të gjenin vdekjen në të njëjtin vend dhe në të njëjtën mënyrë, mu në të hyrë të kafenesë "Te Rrema", ku ata për vite, në tavolinën që  kapte shikimin kundruall Bregut të Diellit, ku  Pallati i dikurshëm i "Rilindjes", i lënë shkretë, edhe më tutje mbizotëronte gjithë atë pjesë që i kishte humbur harmonia, pinin kafenë e mëngjesit dhe bënin ato bisedat e rëndomta, nga përjashtoheshin gratë dhe politika, por që vdekja e të parit kishte ndodhur nga përplasja e drejtpërdrejtë e një makine, që asnjëherë nuk ishte shpjeguar si duhej, pse kishte dalë nga ana e djathë në të majtë (kur nuk kishte pasur ndonjë makinë tjetër që t´i vinte nga ana tjetër, si dhe hamendje të ngjashme) me ç´rast ai ishte qëlluar për vdekje, ndërsa që tjetri, po ashtu kishte vdekur thuajse nga po ai aksident,  nga pasojat e vërtitjes së makinës në shtyllën elektrike, me ç´rast ajo ishte shkëputur dhe e kishte qëlluar për vdekje.

Fatkeqësia  e tyre, që gjatë gjithë viteve të fundit i kishte bashkuar kafja e mëngjesit në kafenenë "Te Rrema", ditën kritike, kur nuk do t´ia dilnin të pinin kafenë e pritur, ngaqë ishte shfaqja e asaj makine që thuajse pa shkak kishte kaluar nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe me shpejtësi të madhe ishte përplasur aty ku para kafenesë kthesa e rrugës merrte një kah të  ashpër, dukej sikur të  kishte qenë një kurdisje tragjike e fatit, që as ata, po qe se do të pyeteshin, nuk do ta kundërshtonin, sepse  nuk mund të merrnin me mend ndonjë fund tjetër përveçse të përbashkët, sy botës dhe të rrufeshëm, që i kursente prej mundimeve të sëmundjeve dhe veçmas prej pleqërisë, e cila u kishte trokitur në derë, por që në ato rrethana të jetës pa dinjitet, pushtetin e saj nuk e donin.

Këtë madje do ta bëjë të ditur edhe pronari i kafenesë, i cili ishte ndër të paktët që kishte pasur mirëkuptim po edhe nderim për mysafirët e përhershëm, jo vetëm pse dikur kishte qenë lexues i  tyre dhe ua kishte vlerësuar shkrimet, por edhe pse ata ishin të vetmit që kafenë nuk e pinin për qejf dhe të përcjellë me gjithfarë thashethemesh, siç ndodhte me shumicën e myshterinjve, veçse e pinin për ta ngushëlluar njëri-tjetrin në  pritje  të asaj që do t´i gjente dhe e dinin se ishte e pashmangshme, me çka mund të nxirrej përfundimi se ishin pajtuar vullnetarisht...

Këtë mendim madje pronari i kafenesë ua kishte thënë edhe hetuesve, kur kishin kërkuar prej tij të dinin se mos myshterinjtë kishin shfaqur shenja të  ndonjë prirjeje vetëvrasëse, me çka atij sikur i kishte lindur dyshimi se dikush dëshironte t´i linte fajtorë në vend se të hulumtonte gjithë të vërtetën e tragjedisë, që kishte ndodhur sy botës.

"Nuk ka qenë vetëvrasje, por vrasje", kishte thënë ai.

Dhe, për ta tumirur këtë bindje kishte treguar diçka nga biseda e fundit, të cilën e kishin bërë ata një ditë më parë, derisa pinin kafe, që e kishte kapur kur  ai që do të qëllohej i pari nga vetura dhe do të mbetej në vend i vdekur, kishte folur për një ëndërr, që nuk ishte i sigurt në ishte ëndërr e mirëfilltë apo ankth (kjo as që kishte rëndësi), por që në atë ëndërr apo ankth ishte  një veturë e kuqe e një marke gjermane (e njëjtë me atë që të nesërmen do ta qëllonte) dhe madje ia kishte mbajtur mend edhe numrin e targës (ishte targë e njëjtë me atë të veturës që e kishte qëlluar), ndërkohë që ai tjetri e kishte shënuar me gisht në telvenë e kafesë, por që kishte thënë se vetura e ëndrrës apo ankthit, e cila  do të shfaqet të  nesërmen, për habi, drejtohej pa njeri…

Biseda e tyre e mëtejme, që ua kishte përshkruar hetuesve, kishte qenë kjo:

“Epo, këto i kanë ëndrrat. Sepse, po të mos u mungonte diçka, atëherë nuk do të merreshin për të tilla, por si realitete…”

“Kam përshtypjen se nuk ishte ëndërr, meqë çdo gjë ishte në përputhje me realitetin”.

“Po të ishte ashtu, atëherë sot nuk do të ishe këtu. Nuk do të pije kafe”.

“Kush e di. Mund të jetë kjo kafeja e fundit?… Pse jo…”

“Mund të jetë, si të gjitha deri më tani dhe këtu nuk ka asgjë të papritur...”

“E, pra, paralajmërimi është paralajmërim…”

“Duhet të kuptohet drejt…”

“Duhet, posi…”

“Duhet…”

“Sepse, nuk vjen kot…”

“Por, ç´e do që atij nuk mund t´i iket…”

“Këtu duhet parë çështjen e të pashmangshmes…”

“Ah, le të vijë sa më parë...”

“Le të vijë...”

“Le të vijë...”

“Ne po e presim...”

“Po pra. Po e presim...”

Në fund, pronari i kafenesë i kishte deklaruar policisë se kishte përcjellë ndarjen e tyre të heshtur me një parandjenjë frike, siç kishte parë dhe përcjellë edhe atë që kishte ndodhur të nesërmen para syve të tij dhe nuk kishte qenë në gjendje t´u besonte, pse ndodhjen e asaj ngjarjeje pikë për pikë e kishte dëgjuar një ditë më parë prej tyre. Dhe, kjo kishte bërë që në mendje t’i ngatërrohej fare ngjarja me paralajmërimin, sa të mos jetë në gjendje të shpjegonte, kur, në të vërtetë, kishte ndodhur e njëmendta? Një ditë më parë?... Atë ditë?... Apo, qëmoti?…

(Nga libri me tregime "Jeta lakuriqe", Prishtinë 2009)

©Jusuf Buxhovi