Letërsi

Vështrim mbi krijimtarinë e poetit Petraq Risto - Nga Vangjush Ziko

Poemë-mit me pluhur Ferri dhe brymë Parajse

Poezia e Petraq Ristos trajton një tematikë të gjerë: antropologjike, që na flet për qënien njerëzore dhe antoniminë e saj, për instiktet emocionale dhe situatat epokale të jetës njerëzore. Ai pasqyron, sidomos, jetën e qytetit, përditshmëritë e saj komplekse dhe kaotike me përpikërimnë më të madhe, aq sa mund ta quash një reporter të përkushtuar të kronikës së jetës.

Tendenca e poezisë së tij me këtë tematikë të gjerë e të shumanshme synon universalizimin e tematikës dhe të zërit të unit të tij poetik.

Ai e jeton kohën aktivisht dhe emocionalisht. Këtë e dëshmon, përveç intervistave të ndryshme, tematika e larmishme dhe e gjerë e poezisë së tij, sidomos në vëllimet e botuara pas vitit 2000.

Heroi lirik i poezisë së tij është bir i kohës së vet.

Shekulli ynë është shekulli i individualizmit, shekulli i vetmisë. Shoqëria jonë jeton në vorbullën e globalizmit galopant. Qenia njerëzore është vetvetja dhe antivetja e tij. Në kohën tonë morali dhe antimorali bashkëjetojnë dramatikisht.

Heroi lirik i Ristos është i vetëdijshëm për përgjegjësinë e vet humane. Ai ka moralin e vet, që e frymëzon dhe i jep guximin që të këndojë. Ai nuk mund të jetë indiferent ndaj pabarazisë dhe padrejtësisë shoqërore. Tematika e poezisë së tij vjen si një realitet i dhimbshëm, aspak sentimetal, bile, shpesh, ironik dhe satirik. Atë e vret varfërimi dhe poshtërimi i dinjitetit njerëzor.

Tronditëse është poezia “Tregu i këpucëve të përdorura”:

“Nuk klithin këpucët e përdorura dhe pse të plagosura - qeshin

Këpucë të ngjyrave të ndryshme, modele të ndryshëm, shteteve të ndryshëm

Hipur mbi njëra-tjetrën të kujtojnë varrezën e përbashkët pas një genocidi...

Ja dhe “Union Square”:

“...Pastaj pi kafe përballë portretit të Fitzxheraldit,

më kujtohet çanta prej letre te Parku

dhe sytë që ndjekin lojën e qenve, sytë e plakut...

të rinjtë këndojnë sërisht Ringjalljen e Krishtit,

heroi i bronxët dhe pse hipur mbi kalë

nga pëllumbat vazhdon të marrë plagë.”

Plagët e shpirtit njerëzor janë pafund:

“Vonë kuptova se fluturat vdesin mbi lule të vdekura dhe ferri është infinit...

Iku koha e heronjve, është koha e heroinës... ti nga heroina vdiqe, shpirt.”

Përvoja jetësore ia gris perden, që mbështjell vështrimin e poetit dhe e bën atë të pasqyrojë thelbin antonim të njeriut dhe të kolektivit shoqëror:

“Njeriu është një makinë me gracka intelekti: Gracka - Kali i Trojës, Gracka ngre Hamleti...

Njeriu ngre gracka për të tjerët, ngre gracka për veten: gracka te njeriu si kimikat tretet,

Njeriu: makinë me gracka intelekti...”

“Ky qytet - teatër i madh, varri i sapohapur: gropa e suflerit...

Cili je ti që na citon nga gropa tekstin që ne dimë

Dramën e luajmë symbyllur ngaqë jemi të verbër...”

Nuk e përmban dot cinizmin ky hero lirik i hapur dhe i sinqertë, i tronditur nga jeta e përditshme, i zhgënjyer nga gjithçka:

“Po Liria?... ku iku liria?...

E kërkojnë e ku s'e kërkojnë...

Dikush ia dëgjon pordhët... në nevojtore...”

Kriza morale e njerëzimit është një nga temat më të mprehta të poezisë së Ristos tok me temën e vdekjes dhe të jetës së përtejme.

Poeti është i zhgënjyer nga gjithçka. Atij i është venitur besimi te Zoti dhe ëndrra fetare mbi përjetësinë e shpirtit.

Në mënyrë utopike ai për një çast aludon për energjinë kozmike, e cila mund ta ndryshojë gravitetin tokësor:

“Një energji kozmike vjen nga kaosi i kohëve

-Hej, mjeshtër, më thotë, ktheje dhembjen me fund si një pije! Me fund!?...

Okay! Dhembjen do bashkoj me Dashurinë

Me infinitin gjer ne vdekje do kërcej

Dhe energjinë kozmike brenda vetes do ta kthej në ‘purpur rain’”.

Te ai i palëkundur mbetet vetëm besimi te natyra dhe vetja e vet.

A thua është shndërruar në pagan njeriu i shekullit tonë?!

Tema e raportit të njeriut me Zotin dhe me vdekjen në këndvështrimin e heroit lirik të Ristos vjen më shumë si rezultat i zhgënjimit “të ngjyer me argjend” nga jeta, nga lodhja, nga zhgënjimi i gjithanshëm dhe nga besim shpirtëror:

“Do të iki. Çengeli i një pikëpytjeje gjigante (?) në Parajsë do më ngre

Atje një Zot butaforik do më shfaqet

me ashensorin e një pikëçuditëse fatale (!) do më zbresë nën dhe'...”

“...Do ikim?... Natyrisht do ikim: jemi gjethe e drunjve të përjetshëm

Mbase humus do na bëhet shpirti, ikim atje ku shkruhet Nesër” ...”

Veten ai e barazon me drurët, me natyrën e përjetshme. Në vend të zemrës ai kërkon të ketë një gjethe të kuqe panje:

“Marr një gjethe të kuqe panje e vendos mbi zemër

Me zemrën janë binjake: Nënë kanë Vjeshtën...”

Për të “tërfili me katër fletë” është një “fluger” i fatit të tij.  Edhe shiu “sikur pikon shpirt njeriu”, kurse “kallëzat kallëzojnë proverba të vjetra vesuar nga yjet”, ndërsa zogu i kthehet në shpirt: “kur jam larg/ në pëllëmbë më çukit”.

Këto detaje metaforike na flasin për një gjykim mistik agnosicist për të cilin perëndia është e panjohur.

Një magmë të çuditshme filozofike “gatuan” frymëzimi i tij, një mitologji “pagane dhe biblike”.

Tema e Parajsës dhe e Ferrit janë dy tema, që i japin mundësi, që të na japë në mënyrë alegorike “parajsën” dhe “ferrin” tokësor.

Parajsën “të veshur me të bardha” ai e quan “Infermieri”, një “ambulancë” mbarënjerëzore. Ajo nuk ka as “kryq të kuq” dhe as “gjysmë hënë”. Ajo është streha e fundit për viktimat e pafajshme të shoqërisë njerëzore:

“Në Parajsë pranohen të vrarët që mbahen në sup

Nga plumba të ardhur ...gabimisht.

Vonë kuptova: në Parajsë pranohen të vdekurit nga uria

Dhe të vetvrarët nuk pranohen.”

Ja dhe rrëfimi për Parajsën nga brenda, nga goja e një pastruesi të saj, një shpirti midis Parajsës dhe Purgatorit, i cili është pranuar në këtë punë, “ngaqë në Parajsë qe shtuar personeli i shërbimit”, ishin shtuar vdekjet.

Ai e ndien veten “njëlloj si pastruesit njujorkezë në dhomat e të pasurve.”

Duke pastruar Parajsën, ai këndon këngën e vjetër: “Në Parajsë s’ka para, pa para s’ka Parajsë...”

Por shpejt e mbyll gojën sepse parajsorët e shohin shtrembër si “bankierët e Wall Street-it: Protestuesin”.

Po të hedhë vështrimin poshtë, në Purgator, e quajnë “tradhëtar”.

Ai këndon nën zë këngën: “Njeriu është nga raca e purgatorëve....”

Në “Ankimi i Luçiferrit” kemi një paradoks tjetër më therës alegorik të mitit biblik: Engjëlli i ndëshkuar nga Perëndia i lutet për shpëtimin e njerëzve!

Edhe vetë kalamburi omograf i fjalës hyjnore Parajsë shndërrohet në një kuptim tjetër paradoksal dykuptimësh alegorik me atë biblik të kësaj fjale “Para-j-sa”: Parajsa është para, blihet me para.

“Parajsa” e Ristos është kopjoja e jetës në globin tonë. Një alegori ironike dhe sarkastike.

Tema e realitetit të ri në shkallë botërore fillon me mitin e emigrimit.

Këtë tematikë poeti e shtjellon në poema dramatike “Lojë shahu nr.2 me Uitmanin”.

Një poemë e veçantë kjo për nga përmbajtja e saj universale mbi emigrimin.

Heroi lirik i poemës përjeton dramën e të ikurit nga vendi i vet. Ai mishëron në veten e vet fatin e emigrantit të të gjitha kohërave, të emigrantit që ka shëtitur gjithë jetën “pa harta në xhep”. Ndërgjegja e tij përjeton dramën njerëzore të shkëputjes nga vatra e vet. Ai e ka vështirë ta perceptojë këtë jetë, këtë botë, që është bërë realiteti i tij i përditshëm dhe që e bën të vuajë. Atë e mundon dilema tronditëse e personalitetit të vet njerëzor: “a tallet Bota me mua?/Po e ardhmja a tallet?”.

Ristoja zbulon “mitin e ri” të Luftës Shumëfytyrshe të shekullin tonë:

“bankierë e miliarderë të mbledhur bashkë-aliazh i çuditshëm nga metali i Frikës

me zemra të blinduara,

fëmijë të blinduar, ëndrra të blinduara”.

Edhe New York-u, simboli i zhvillimi dhe i qytetërimit modern e ndien veten i zënë në faj. Harpa e tij ajrore, ura e varur e Brooklyn-it, e huton me tingujt e saj. Po afron stina e luftrave të reja.

Lypsat buzë oqeanit “lypin dallgë drite”.

“Trenat e metrove udhëtojnë nëpër shina eshtrash”.

Globi i vockël “pjell” katër personazhe:

“Uria,

Kolera,

Lufta,

Vdekja.”

Heroi lirik i Petraq Ristos është kompleks.

Ai mishëron në veten e vet dy personalitete njerëzore: gjithënjerëzorin dhe individualin.

Të parin e ka përcaktuar në mënyrë lapidare Uolt Uitmani: “Gjthçka rrotullohet rreth meje, përqëndrohet te unë, del prej meje. Unë kam vetëm një figurë qendrore - personalitetin gjithënjerëzor”. Një epokë kjo e tejkaluar tashmë.

I dyti është individi përfaqësues i botës dhe ndjenjave të veta intime. I epokës sonë.

Kaosi real i jetës e bën heroin lirik të Poetit të ketë dy jetë: atë shoqëroren dhe atë intimen.

Historia njerëzore ka kaluar nëpër etapat e veta historike, nga kopeja, në grupe etnike, në kombe, në manifeste të të drejtave shoqërore, në këmishën e detyruar të diktaturave dhe ja, përsëri jeton në vetizolim individual për shkak të kaosit global mbarëbotëror:

“Qesharake kjo botë që jetët njerëzore i ka kthyer në lojë

Dhe Lojën e Madhe mbështet te fjala LUFTË

Një botë e trishtë me lutjen e përditshme në miliona gojë:

Zot, Lirinë lërua zogjve, ne na jep BUKË!

Rrokulliset loti… bëhet Perëndi…”

Njeriu përpiqet ta ruajë personalitetin dhe dinjitetin e vet, botën e tij të brishtë shpirtërore nga kaosi real i jetës sonë, nga opozicioni binar “shoqëri-individ”.

E brishtë dhe plot drama intime është jeta personale e heroit lirik të Petraq Ristos.

Eshtë një botë e pasur shpirtërore me ndjenja të sinqerta e të thella njerëzore ndaj nënës së vet, ndaj të afërmve, shokëve dhe miqve. Malli për ta i sjell ngazëllim të trishtuar:

Nëna e tij, që i mungon, është “Parajsa” biblike.

Dhimbja është bashkëshoqëruese e shpirtit njerëzor:

“Ndonjëherë largësia ndaj të dashurve kthehet në udhë mendimi

Malli bëhet virtual, paprekshmëria “me mollëzat kthehet në mundim”

Malli i heroit lirik për ta, vrapon e digjet në “hipodromin poetik me hapin jambik” të vargjeve të poetit.

E çuditshme është edhe Dashuria e këtij heroi lirik!

Dashuria për poetin është një lojë e zemrës “nga lindja gjer në amëshim...”. Aroma e dashurisë ka “aromën e gjakut që të deh”:

“Eci rrugëve dhe dukem trëndafil pa gjëmb

Merrma gjakun për shpirt trëndafili, trëndafili im”.

Dashuria është për të një “personazh” i krijuar nga frymëzimi i tij magjistar dhe ai vetë “skllavi” i saj. Ajo është e brishtë dhe shpesh efemere, por paradoksisht vitale dhe frymëzuese.

Ajo e bën edhe Kohën të dorëzohet përpara saj:

“...Koha rrëzohet te sytë e tu

në greminën joshëse të diamantëve të krisur

Koka jote e bukur mes dy akrepave

jo tehe karamanjolle

po bisht i një dallëndysheje të magjepsur...”

“Marr Kokën tënde të bukur në duar shoh thellë në sy

Krijoj Kohën e Re me emrin e përveçëm; Dashuri…”

Dashuria për poetin është një mit i dhimbshëm.

Meritë e veçantë e Petraq Ristos është krijimi i një miti të ri. Mit i ri, i mbyllur në vetvete, mit pafundësisht sugjestiv, që evokon, zgjon një mendim,  Këtë mit poeti na e hap sipas konceptit të tij  krijues dhe novator.

Ky është një mit i krijuar nga autori sipas rregullave të së vërtetës artistike të realitetit të ri, i modeluar sipas ligjeve të supozuar të ndërgjegjes së lashtë, që çdo fenomen hapet për t'u kuptuar nga lexuesi. Ky është një diskurs i kushtëzuar nga realiteti historik bashkëkohor. Ai nuk lind thjesht nga “natyra” spontane e veprimeve individuale njerëzore, por nga logjika historike:

“Jam në shërbimin tënd, Tokë

Skllavi yt i lodhur, shkëlqimi dhe vrasësi yt

Aktor tragjik në skenën ku sapo ra zjarri.

Jam i yti,

Tokë Farëhedhësi dhe fara jote

I mençuri dhe i marri

Arkivë humbjesh

dhe fitoresh

Engjëlli dhe Satanai”.

Gjithë kjo tablo komplekse jepet sipas idesë së përgjithshme dhe figurshmërisë emocionale postmoderniste e ndërtuar me antiteza, antonimi, kontradikta, parabola dhe paradokse.

Paradoksi avangardist i poetit shndërrohet në estetikë të poezisë së tij.

Aksioma e tij na pohon se bashkëkohësia jonë i ka të gjitha elementet e realitetit: edhe të mirën, edhe të keqen, ëndrrën dhe zhgënjimin.

Petraq Risto është një poet novator, që i ka sjellë një këndvështrim të ri dhe një estetikë ndryshe poezisë sonë bashkëkohore, jo vetëm me brendinë, por edhe me ligjërimin e tij të spikatur dhe të larmishëm.

Krijimtarinë poetike të Petraq Ristos do ta quaj një “poemë-mit” që synon kapërcimin e kaosit të jetës bashkëkohore. Një ligjërim poetik me pluhur Ferri dhe brymë Parajse.

©Vangjush Ziko

Tetor 2021