Letërsi

Mitopoetika e qytetit femëror të Natasha Lakos - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto

Mitologjia ka ligjërimet e veta për këtë temë të përjetshme.

Për këtë na flasin vizatimet në shpellat kur jetonte e përzier kopeja njerëzore.

Legjendat për amazonat, për matriarkatin, pushtetin femëror.

Patriarkati për inversin e këtij pushteti.

Bibla ka mitin e saj mbi krijimin e femrës nga brinja e mashkullit, që kish nevojë për një shok jete. Patriarkalizmi dhe rendi i ri na flasin për këtë dualizëm aspak paqësor.

Çdo epokë dhe çdo vend i Botës ka mitologjinë e vet.

Mitopoetika shqiptare e ditëve tona njeh dy mite të periudhës së dytë të shekullit të njëzetë dhe të dy dekadave të para të shekullit të ri: “emancipimin” e dashurisë në kohën e diktaturës dhe “antimitin” e dashurisë të ditëve tona.

Natasha Lako është poetja, që e ka bërë këtë mit temën qendrore të poezisë së saj.

“Ndoshta ishim si per të ardhur keq për veten, - shkruan ajo, - ndoshta ishim njerëzit më të parëndësishëm të kësaj bote... Në mënyrë ekstreme mund të them se gruaja ka qenë e pushtuar prej burrit.”

Ajo e quan të papërfunduar ende këtë sagë:

“Prej dashurisë asgjë s’është shfaqur,

dhe asgjë nuk është thënë ende,

endemi rreth dashurisë, por e lemë të paprekshme,

dhe të pafolur, si vetë vdekjen.”

Dhjetra vite më parë ajo guxoi të shkruajë një poezi si kredo të dashurisë së saj rinore, në atë kohë kur kjo temë ishte tabu, si çdo gjë intime dhe shpirtërore.  “Unë, - thotë ajo, - që në fillim të krijimtarisë sime doja të tregoja që ekzistoj”.

Poetja i mbetet besnike kësaj kredoje intime:

“Njëzetqindarka për të folur me ty,

tridhjet qindarka për të ardhur tek ti,

pesëdhjetë qindarka për të bërë dashuri.

Sikur miliona të më jepnin

nuk do të kthehesha mbrapsht nga ti…!”

Vetvetiu lind pyetja: cili është përfytyrimi real, që, jo vetëm e irriton, por edhe vazhdon ta sfidojë si dhjetra vite më parë?!

Vitet e fundit ajo botoi vëllimin “Kundërpërfytyrimi”.

Përfytyrimi është një formë e pasqyrimit shqisor, proces i cili përbën një hallkë kryesore në procesin e njohjes së botës.

Kundërpërfytyrimi është një pikëpamje e kundërt me përfytyrimin, një kundërpërgjigje e lidhur edhe kjo me procesin shqisor, por në sens të kundërt, që ka të bëjë me riformatim të gjykimit, rigjykim, i cili lind nga përballja me një realitet irritues që nuk e pranon dot.

Kam përpara poezinë: “Ato që thuhen tani”.

Është një poezi ekstazike e ngarkuar me një tension të madh emocional, me një shqetësim të njëmendtë të shkaktuar nga përballja me një realitet të përçudnuar pamor dhe shpirtëror.

Pamjen e qytetit e mbisundojnë kullat “metalike” dhe lustra e sipërfaqshme e tyre; jeta e përditshme është e mbushur me trauma dhe “aksidente të papritura”, me “klithma ku thuhet qoftë larg çdo ditë”. Bukuria trupore femërore është shndërruar në një obsesion dhe fjala “të dua” ka marrë arratinë, është bërë “nomade”, kurse fjala “e dashur” ka mbetur pa asnjë peshë”. Zemra është zbrazur nga legjendat e shenjta të dashurisë, “zembereku i saj është shkurdisur nga “ushtria e fjalëve boshe të kompjuterit”, “ylberi i dashurisë ka mbetur pa Zot”, kontrolli i trupit është barazuar me “pudrën në faqe” bashkë me qelizat e vdekura të dashurisë duke kërcënuar edhe të nesërmen enigmatike të femrës. Të gjitha këto poetja i quan: “Tradhti e jetës sime, tënde, nënkupto!”. Kemi, pra, një tablo komplekse shoqërore, publike dhe intime, shpirtërore edhe morale edhe historike.

Natasha Lako është e matur dhe e përkorë në ligjërimin e saj. Ajo e ka të qartë misionin e saj artistik, estetik dhe atë shoqëror. Mbi të gjitha, ajo është një femër e emancipuar dhe me mision të qartë, me filozofinë e saj të kthjellët, aspak feministe dhe aq më pak antimaskiliste.

“Në qoftë se e dimë se e kemi për detyrë të respektojmë veten, - shkruan ajo, - pse të mos shfaqemi si gra. Ose ashtu siç jemi, me të gjitha që na ofron jeta.”

Heroina e poezisë së saj reflekton një përvojë dramatike të jetuar historikisht në dy regjime: në atë diktatorial dhe në atë të quajtur “demokratik”.

Ajo e ruan të shenjtë vizionin e dashurisë së emancipuar. Për të nuk ka vend “poza teatrale e dashurisë”:

“Zanat nuk mund të marrin pjesë në ndonjë emocion,

poza është gjithmonë e pabesë.

Gjitarët në krye vënë njeriun,

por njeriu nuk është shaka.”

Ajo nuk e harron legjendën e lashtë për “amazonat dhe gjirin e tyre/të prerë ku legjenda thotë,/se qëndron edhe shigjeta e parë e mundur”.

Nuk e harron as “versionin e Romeos dhe Zhuljetës” të kthyer kokëposhtë:

“Duhet korrigjuar diçka në këtë tragjedi zemërmirë,

Muret e shfaqjes t’i lidhnin të paktën me më pak sheqer,

Që të mos dëmtohet asgjë me llogjikë,

Mes hapësirës që lëshon shumë ëndrra.”

E ka fjalën për dashurinë sentimentale, që gënjen veten me iluzione.

Miti i dashurisë kalorsiake apo sentimentale, nuk ishte gjë tjetër, veçse një konstrukt i krijuar me qëllim nga trubadurët që ta detyronin femrën të hynte në lidhje me burrin për ta mbajtur atë nën kontroll, mit i veshur me mantelin e gjoja kujdesit të sinqertë të mashkullit në emër të “dashurisë”.

Edhe serenatat, me gjithë frymën e tyre emancipuese, thureshin dhe këndoheshin vetëm nga burrat. Ato luajtën rolin e vet në emancipimin e opinionit shoqëror, duke iu kundërvënë atmosferës skllavëruese patriarkale dhe asaj anadollake, që e asfiksonte dhe e vriste jetën e femrës, e mbante nën tutelën e zakoneve të vjetra. Serenata zgjoi shpresën për ditë më të mira, për një frymëmarrje të re të dashurisë. Por protagonistë të saj ishin përsëri meshkujt. Ata i shkruanin dhe i këndonin serenatat, Perëndeshat e tyre të bukurisë i dëgjonin me drithërimë këngët e tyre pas perdeve të dritareve.

Poetja këndon me dhimbje për ato bashkëmoshatare të largëta, që i krahason në mënyrë alegorike me “pemët që nuk do ta shohin kurrë detin, prandaj janë të verbra/por më kryelarta nga fëshfërimat e tyre mbretërore”, “për shurdhërimin që kërkonte shurdhërimin”/atje ku mbylleshin kapakët e tokës ngadalë”, “për hijet e poetëve që qarkullojnë pika shiu”, vesën e parë të një zgjimi shpirtëror.

Poetja e mbyll poezinë “Letër kontinentale” me thirrjen kuptimplotë: “miq, kemi qenë shokë dhe pastaj kemi ikur në njerëz”, jemi bërë humanë.

Po a ka ardhur vërtet ajo kohë e ëndërruar në shekullin e njëzetenjëtë të jetës njerëzore:

“Një tundje miratuese koke, ose një dështim,

ose një mëdyshje e madhe kur puthja quhet,

e ardhur si forcë shkëmbi ose kuje, të cilat bota i njëson,

a mund ta përkeqësonte apo ta përmirësonte më tepër,

gjendjen tënde ekonomike, kredinë e madhe,

të puthjeve edhe më të mëdha.”

Ajo e veçon “puthjen”, këtë gjest klasik të thjeshtë të dashurisë, shenjën fiziologjike dhe shpirtërore të adhurimit njerëzor.

A dhurohet, a kërkohet, a grabitet puthja?! - pyet ajo.

Puthja nuk është një petale, nuk është e lehtë sa një petale!

Puthja nuk është një liçencë për punësimin!

Nuk është një dorëzim pa kushte të dinjitetit njerëzor.

Dashuria mbetet e përkëdhelur dhe e papërkëdhelur, psherëtin e irrituar poetja:

“djemtë e papërkëdhelur nga jelet e kalit që nuk vrapon më, a mund t’i krahasosh,

me burrat që përmjerin pranë lopës, apo me fëmijë që lëpijnë yjet,

para qumështit të gjirit, apo me brekëstolisurat vajza,

priftëresha mijëravjeçare që kërkojnë një njeri,

kaq paqartësisht veçohet ja buka, ja mundi, ja ëndrra, ja unë.”

Tronditëse, dramatike, deri në zemërim dhe përçmim janë përfytyrimet, që i krijon psikika e vet poetes. Këto sjellje, raporte me ndjenjën më delikate dhe më njerëzore për njeriun. Në të njëjtën kohë psikika e saj i zgjon shtegun e përfytyrimeve të kundërta. Ajo i zgjon imagjinatën e saj si një antidot njerëzor për një “qytet femëror” krejt ndryshe.

Natasha Lako është e ndërgjegjshme se mitopoetika e saj kundërpërfytyruese është ende larg realitetit të ëndërruar. Këtë mendim e shpreh qartë në një intervistë të saj:

“Jam e sigurt se që nga strehët e pulave ballkanike, deri në studiot e Hollivudit, do të dalin libra të mirë, edhe nga vajzat e dashurive materialiste të sotme. Ashtu si jam edhe më e sigurt se sot vajzat janë më të vetëdijshme se dje për përgjegjësitë që u vënë vetes. Por e paqarta jonë më e madhe mbetet për fatin e gruas nën nënshtrimin familjar, ku jeta e saj ndahet në periudhën para erës së re dhe pas erës së re. Dhe jeta e gruas fillon të bëhet gjithnjë e më anonime dhe e papërfillshme.”

Ajo është poete, është krijuese dhe instikti i saj krijues e shtyn ta shmangë të shëmtuarën dhe në vend të saj të rikrijojë të bukurën.

Kjo më kujton Tolstoin, që shkruan në ditarin e tij: “Gjatë krijimit artistik lind iluzioni se njeriu nuk po percepton, i duket se ai e krijoi vetë këtë gjë të bukur”.

Poezia “Qytetit femëror” është një realitet i ëndërruar, i dëshiruar, një kundërpërfytyrim i poetes:

“të papërfytyruar dhe të pathënë,

drejt e drejt pikave të shiut,

drejt e drejt furive të çmendura shkon mendja,

drejt harresës që të zgjon,

drejt e drejt urave që gonxhe lidhin botën,

drejt e drejt burimeve të lumenjve mendja ime ka një qytet,

si mes shiut kur ngrih në çadër,

dhe mes plagës të shkohet një pe,

drejt e drejt trupit shkon mendja ime

të bashkohet në një qytet femëror që ende nuk ka parë,

drejt e drejt, drejt e drejt,

si një laureshë që këmbehet me gjahtarin.”

Ky kundërpërfytyrim i ka të gjitha cilësitë e përfytyrimit poetik, që krijon në sens të kundërt të realitetit ekzistues. Ai shtegton dhe krijon një qytet tjetër, që është i lidhur me logjikën, i kontrolluar nga arsyetimi, nga i cili nuk mund të shkëputet. Poetja jo vetëm e dëshiron këtë kundërpërfytyrim romantik të vetin, por edhe i beson këtij, ai i nënshtrohet logjikës poetike. Ajo ka bindjen se “romantizmi sjell një etapë të re ndërgjegjësuese të çlirimit njerëzor, deri në atë masë sa e bën njeriun edhe një vetmitar, por të lirë.”

Jam duke ju skicuar mitopoetikën e Natasha Lakos.

Miti është një gjendje fjale, që hapet për t'u kuptuar.

Natasha Lako na ka hapur shpirtin e saj delikat dhe të pasur, nëpërmjet heroit lirik të poezisë.

Sigurisht, heroi lirik nuk mund të quhet plotësisht një alter ego e autorit. Autorja pranon se “nëse ka ndonjë meritë brenda tyre (poezive), e para është se ato dallohen që një orë larg, që janë vargje femërore”.

Ky zë femëror, i mishëruar në vargje me bukuri të rrallë, bën thirrje duke pritur përgjigjen:

“Të presim edhe pak për të qënë të marrë

më të heshtur se gjaku, ose krejt të përdalë.

Kishim moshën që kishim, të vërtitemi përqark

ne të dy çfarë ishim, le të presim edhe pak.

Do të presim edhe pak, do të presim edhe më

dhe njëri-tjetrit do t’i thërrasim që larg.

Cili je ti që për mua s’ke zë.”!

Ky hero lirik është mishërimi i kësaj mitopoetike bashkëkohore, është sinkretizimi i objektit me subjektin në një figurë artistike dhe historike njëkohësisht, një përputhje e idesë së përgjithshme poetike të mitit me figurën emocionale dhe estetike.

Estetika e Natasha Lakos është estetika e realizimit të një ëndrre të bukur e të dëshiruar për t'u bërë realitet, e cila kërkon vullnetin e mbarë shoqërisë, që burrë dhe grua sëbashku, t'i dalin zot.

Ky është misioni fisnik i Poezisë së saj!

©Vangjush Ziko