Letërsi

Dita e parë e punës - Tregim nga Sulejman Mato

Sa iu afrua ndërtesës së lartë, xhamat e hyrjes e ndienë praninë e njeriut dhe u hapën automatikisht. I gjendur para madhështisë së hollit dhe llampadarëve atij iu duk vetja si një çimkë që rrëshqiste në ca pllaka mermeri.

-Ku do të shkoni?

-Në katin e tetëmbëdhjetë?

-Arsyeja?

-Çështje personale.

-Kë do të takoni?

-Shefen e burimeve njerëzore.

-Ju pret?

-Besoj se po.

Sportelistja i hodhi një shikim të shpejtë kartës së identitetit të djaloshit që përgjigjej me gjysmë zëri, regjistroi në kompjuter emrin, mbiemrin, pastaj shtypi një buton. Në çast u hapën kanatat e xhamave që pengonin rrugën për te ashensorët. U hap dera e ashensorit nr. 5 dhe atij iu duk sikur hyri brenda një kutie metalike të mbyllur hermetikisht. Për një çast pati frikë. Iu duk që ashensori nuk  lëvizte. Këtë ndjesi ai e kishte provuar dhe here të tjera kur gjendej i vetëm në ashensor. Sikur të më pranojnë në punë, gjë për të cilën dhe e kishin thirrur, pas intervistës, fundi do të ishte ky ashensor… Vetëm ideja se një ditë mund të mbetej brenda një ashensori e tmerronte. Do të ishte një vdekje e llahtarshme. Dera e ashensorit u hap. Të tjera dyer xhamash e të tjera sporteliste që do ta pyesnin mekanikisht dhe do t’i kërkonin dokumentin e identifikimit.

U fut te zyra që e prisnin. La një letër, mori një letër. Doli nga zyra. Përsëri në ashensor… Tashmë ashensori nuk ngjitej drejt qiellit, por zbriste poshtë me shpejtësi. Në ashensor ishin dhe dy të tjerë. Zbritje e qetë… Në punë ishte pranuar. I treguan vendin e punës dhe detyrën që do të kryente. Ishte një dhomë e vogël të cilën nuk e kuptoi përse quhej e rëndësishme. Do të punonte i vetëm, pranë një kompjuteri. Dhomat e vogla i dukeshin të frikshme. Zyra e tij do të ishte e mbyllur me xhama. Do t’i duhej të punonte tetë orë në ditë si në një inkubator. Pas xhamave shpalosej një qiell gri… Për pagën nuk pyeti.

Të nesërmen u paraqit në punë. Dyert prej xhami sa e panë u hapën miqësisht.  Sportelistja i dha një buzëqeshje të shtirur. Shtypi butonin për të hapur dyert e xhamta që të çonin te ashensorët. Udhëtimin drejt lartësive e bëri në shoqëri me të tjerë.

A.G. kishte disa muaj që kishte mbaruar Fakultetin Ekonomik dega plan-biznes.  Puna që do të bënte? Bilance dhe shifra. Mblidh, zbrit, shumëzo, pjesëto… Gjithë kohën para një kompjuteri. Për atë punë kishte studiuar pesë vjet në bankat e universitetit. Kishte dy muaj që kishte hyrë në jetë.

Jetë e vërtetë ishin vitet e gjimnazit dhe vitet e bukura të studentit, edhe pse me strese provimesh. Koha kur studion, koha kur kërkon, koha kur provon, koha kur dashuron, koha kur shpreson, koha kur ëndërron të bësh diçka, koha kur arrin në finish… Ajo quhet jetë. Një jetë në ngjitje… Jeta tjetër të lë një ndjesi zbritjeje.

Ditën e parë, ndërsa po kthehej nga puna, iu kujtua një shprehje kineze: “Kur Tashiba mbërriti në majë ndjeu mjerimin e zbritjes”. Maja nënkuptonte mbarimin e studimeve dhe fillimin e punës në këtë kompani ndërkombëtare. Maja e tij ishte ky kat i tetëmbëdhjetë, ku gjendej zyra e tij, e vogël dhe e mbyllur hermetikisht me xhama, prej të cilës mund të sodisje shtegtimin e reve, si nga maja e një mali.

Për çfarë zbritjesh bëhej fjalë? Ai e kishte ëndërruar një ditë të tillë. Kishte punuar për një ditë të tillë dhe e mbërriti një ditë të tillë. Të sigurosh një punë, me një pagë të mirë, “kjo është çështja” (Hamlet).

Kompania ku punonte ishte një shoqëri kanadeze e cila merrej me zbulimin e burimeve të hidrokarbureve. Puna e tij mund të quhej monotone, por paga ishte e mire. “Si gurët që zënë vend në tokë, në jetë vend ne kemi zënë”, vargjet i kishte fiksuar në mend nga orët e letërsisë në shkollë të mesme.

Ditët e para i kaloi qetësisht. Tetë me kater. Një orë pushim, në mesditë. A.G. ishte një tip i mbyllur dhe orën e pushimit e kalonte pranë kompjuterit duke luajtur në programet “Scyscraper city” apo “Backyard Monsters”. Vitet studentore i kishte kaluar mbi libra.  Nuk kishte miq e shokë. As të dashur. Kokën e kishte mbushur me informacione shkencore. Më së shumti e tërhiqnin lodrat elektronike dhe enigmat e kozmosit. Dikur kishte ëndërruar të bëhej astronom. Tani, ja ku e kishte qiellin. Mund ta kundronte i qetë, nga ora tetë gjer në pesë pasdite.

Ditën e tretë, në zyrën e tij hyri shefi, një djalosh ezmer, tre vjet më i madh se ai, i diplomuar në Nju-Jork për ekonomi-biznes. Ai e ftoi për një kafe. Hynë në ashensor… për në bar-kafenë e katit të shtatë, një mjedis gjithë xhama, ku qyteti dukej ngado që t’i hidhje sytë. U sistemuan në një nga tavolinat pranë dritares.

Kamerieri u solli porosinë. A.G. pa djathtas, majtas, por nuk dalloi gjëkundi asnjë derë… Xhama, xhama gjithandej. Bar-kafeja iu duk si zgafellë xhami… E kaploi një panik i pakuptimtë. Sikur në atë çast të binte ndonjë një tërmet, si mund të shpëtohej?

-Këto ditë kemi punë, - i tha shefi. - Do të merremi me bilancin vjetor… Ke për të mësuar ca marifete që nuk i ke mësuar në shkollë… Fjalia e fundit iu duk e çuditshme.  Mund ta kishte pyetur se për çfarë marifetesh bëhej fjalë, por s’foli. Çdo gjë merret vesh në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.

Ditët e tjera jeta po bëhej monotone, madje edhe e frikshme, sidomos në çastet e ashensorit dhe brenda zyrës së tij - sarkofag xhami. Në një nga këto ditë ai pa veten në pasqyrë. Iu duke vetja i zbehtë, tepër i zbehtë. Mos duhej të bënte nje vizitë te mjeku? Nuk vuante nga asgjë. I pashëm, i veshur me sqimë, shëndetmirë.  Kafe nuk pinte, as cigare, as pije. Kishte pirë vetëm dije nëpër libra.

Tjetër ceremoni ka (Hamlet)? Çfarë ceremonie priste ai? Shokët e tij të fëmijërisë punonin te tregu… Dhe ishin të lumtur. Kënaqeshin me pak. Nuk kishin sakrifikuar si ai, për të mbaruar fakultetin shkëlqyeshëm dhe për t’u bërë dikush. A.G. i kalonte orët e punës në lartësi, midis një shoqërie intelektuale. Kishte punuar për këtë ditë. Shokët e fëmijërisë i kalonin ditët te kioskat ku shiteshin mallra të zhvleftësuara.

Mirëpo pikërisht këtu nis gjëegjëza: “Ç’është mirë dhe ç’është keq”. Qysh kur kishte filluar punë, brenda qenies së tij kishte krisur diçka e xhamtë. Ditët kalonin në një gjendje stresi. Të ishte një punë e pakuptimtë? Gjithë ditën mbi shifra, një punë mekanike, për llogari të tjetërkujt e që nuk të sillte asnjë kënaqësi. Ora e ngjitjes dhe ora e përvetësimit të dijes kishte ngelur përfundimisht. Dëgjohej vetëm tik-taku i një ore muri që punonte për të tjerë.

Gjashtëmbëdhjetë vjet përmbi libra vetëm e vetëm për t’u futur në atë kuadrat xhami?

Mirëpo, edhe gaforrja nuk do të dëshironte të ishte gaforre, edhe breshka nuk do të dëshironte ta mbante atë samar në trup, edhe milingona që i kalon ditët galerave të nëntokës do ta mallkonte një jetë të tillë, edhe lepurin po ta pyesje a je i lumtur si lepur, do ta mallkonte ditën e lindjes.  Edhe këmbën e zbathur, po ta pyesësh, nuk do të donte të jetonte brenda një këpuce…

Ditët e tjera ai pati aq shumë punë sa nuk i ra më në mend për zgafellën e tij të xhamtë. Dhe orën e pushimit e kalonte mbi shifra. Rrallëherë zbriste të pinte një kafe me shokët. Po të dëshironte, shtypte një buton dhe kafja i vinte në zyrë. Në Krishtlindje, pasi kishte mbyllur pjesën më të madhe të vëllimit të punës, ai pranoi me qejf të shkonte së bashku me shokët e punës tri ditë në Sarandë.

U kthye i lumturuar. Saranda i kishte pëlqyer shumë. Dhe shokët. Veçanërisht një inxhiniere e re, arkitekte në kompaninë e tyre, me të cilën kishte bërë shoqëri. E ja, pra... Përveç rrogës së mirë dhe jeta nëpër zyra, me shokë e shoqe, nuk kalon keq. Ajo që e kishte gëzuar më shumë dhe ia kishte hequr streset e muajve të punës, ishte që vetë presidenti i firmës i kishte bërë një vlerësim të veçantë punës së tij para gjithë kolektivit.

©Sulejman Mato