Në varreza - Nga Sulejman Mato
Këtu sundon vetëm demokracia e barit,
dhe demokracia e erës qe lëkund lulet, pa dallim.
Lule prej plastmasi (lulet e ish të varfërve),
dhe lulet e tjera natyrale, plot shkëlqim.
Këtu vetëm ish të pasurit kanë varre të shtrenjtë,
të punuar me mermer të kuq, rrëmba-rrëmba,
Këtu vetëm ish të pasurit kanë parcela të mëdha,
dhe varret i kanë rrethuar me kangjella të rënda.
Këtu sundon vetëm demokracia e shiut,
lag varret e skamnorëve, kudo që janë,
qull fotografitë e nënave të harruara,
që presin fëmijtë e s’i dinë ku i kanë.
Ish të varfërit dhe këtu rrinë strukur, pranë e pranë,
dhe qullen pa mëshirë nga shirat monotone,
eshtrat e tyre s’ndjejnë më thikë reumatizme,
ujrat e shirave u bëjnë shoqëri arkivoleve.
Këtu sundon vetëm demokracia e heshtjes.
O njerëz! Ç’i kishit gjithë ato mërira, shkak e pa shkak?
gjithë ato inate, shqetësime e prekje…?
Ç’e kishit gjithë atë militantizëm partiak?
Tani rrini të qetë. S’grindeni me asnjeri.
Hidhni sytë nga nga rruga dhe qëndroni në pritje,
fytyrat tuaja të pikëlluara në fotografi
sikur presin të dashurit, me muaj, me vite.
Unë vij këtu të vendos një tufë me lule fushe,
E të bisedoj me heshtjen tuaj, sublime, pa kufi…
Unë vij këtu për t’u përkulur me nderim të thellë
mbi kujtimin e të gjithë qytetarëve të mi.
©Sulejman Mato











