Letërsi

I dashur mik - Tregim nga Ervina Toptani

Ervina Toptani

Sonte tek shëtisja i rrëmbyer prej ëmbëlsisë që la pas një pasdite krejt e ndryshme, e veçantë e që vazhdoj ta ndjej tani si më parë, pata dëshirën të rrëfehem në një letër.  Ti me njeh mirë miku im e nuk është aspak prej meje me u trand në ëmbëlsi të tilla marramendëse. Gati gati më erdhi zor prej vetes pse kujtoja se këto faza emocionesh kaq të njelmta që lejnë pas njëfarë trishtimi të hollë, kishin kaluar për mua ka kohë tashmë. Kam mbet gjatë sot duke menduar si ndodh që ta gjesh veten sërish në atëherë, atëherë kur këto ndjenja i përkisnin edhe trupit edhe zemrës, nuk e di si koha të sjell vrik e në një hop tek pika e ndalesës që mendoja se quhej e kaluar.

E pashë të ulur tek më priste në një qoshk të ndriçuar jo fort. Ishte gjithçka e zbehtë, edhe ndriçimi që reflektonte llampadari i rrugës për karshi pak punë bënte. E njoha pse ajo ishte ulur krejt vetëm e priste në shoqërinë e një libri të njohur për mua. I flas, ajo kthehet e buzëqeshur …. koha ndali. Diçka shpërtheu krejt papritur, ndoshta llampadari i rrugës për karshi, ndoshta hëna mbështeti kryet ndërsa zgjohej përgjumshëm në atë prag kafeneje, ndoshta diçka u thye zhurmshëm në banak sa për të lëshuar shkëndija të forta por unë…pashë dritë. Më verboi, për pak më verboi.

Buzëqesha dhe unë e u ula përballë saj. Flisja që ajo të mos e kuptonte se kisha mbet heshtur ndërsa e sodisja. Më kishte tradhëtuar syri, kishte hyrë thellë e ishte ndalë në kohë. Sytë shihnin përtej. Më sollën mallin e kohëve të arta kur petaleve të tilla u rendja pas si flutur e pamend e humbja, ngado kam humbë dikur. Por jam rigjetë sado petalet i ndërronin ngjyrat e aromat sikur stinët. Atë pasdite, mik, nuk doja me u rigjetë, doja me humbë diku përtej, prej mallit të vetes ndoshta se ka kaluar kaq kohë, apo ishte faji i asaj drite që u ndez ashtu në heshtje, pa e ditur sa fort ndriçonte.

Ti do thuash “po kush nuk do të thoshte kështu kur sheh diçka të bukur”, por më beso nuk është ashtu. Nuk emocionohem krej lehtë prej të bukurës mik, ti më njeh. Unë të bukurën e kam shpikë edhe kur nuk ka ekzistuar, edhe kur e kisha por ishte pa jetë i kam dhënë jetë nga e imja. Nuk është e bukura jo, është tjetër drita. Kaq shumë thjeshtësi me inteligjencë, kaq shumë mirësi më karakter, kaq shumë ëmbëlsi me energji ishin të gjitha bashkuar në një. E shpërtheu drita po të them, ti nuk më beson ndoshta se nuk ishe aty, po unë ende atje kam mbetë.

E mbulonte herë pas here një vello e hollë pothuajse transparente trishtimi që i fshihej nën buzëqeshje e dukej edhe më e ëmbël. Mos më merr për të marrë të lutem, dua ta heq nga shpirti ndaj po të shkruaj ty se ti më njeh. E di mirë që asnjë femër e bukur nuk do më marroste kurrë, në fund të fundit unë i nginjur kam qenë gjithë jetën. Por kur përplasej shikimi me sytë e saj të verbonte drita. Ajo nuk e dinte që shkëlqente ashtu, ishte krejt e shkujdesur se mund të sillte këtë efekt dhe aq më delikate dukej ndërsa prekte librin lehtë. A thua bien njerëzit në dashuri pasi janë rritë?

Ecëm bashkë një copë rrugë. Frynte veç heshtja disa fllade të çuditshme që më fëshfërinin pas veshit e thonin ca fjalë që nuk ua di kuptimin. Ajo fliste, shkujdesur krejt se nuk e dinte që po ecte përkrah njeriut që kishte dasht një jetë. Ne jemi dasht dikur, në nji kohë të pakryer a shumë të kryer ndoshta, por nuk na kujtohej atë moment. Ishte e vogël ajo, nuk mund ta kujtonte jetën e shkuar, ishte detyra ime t`ia sillja para syve që të kuptonte se unë nuk isha veç poeti që ajo adhuronte, as burri i sjellshëm që xhentilesën e ka mënyrë të vetën të përhershme. Isha gjysma që i kish humbur e ajo e kërkonte tek vetja. Ishte e vogël ajo mik, dhe trishtimi i saj i hollë që ikte e vinte mbi fytyrën e bardhë e bënte edhe më të brishtë sa unë e mora në krahë.

E përqafova, nuk munda ta lija ashtu krejt të vogël në errësirën e natës e të largohesha pa thënë asnjë fjalë. Asnjë fjalë nuk e thamë në fakt, por hyri në trupin tim e gjitha. Ndjeva një dridhje të lehtë e për një fraksion sekonde gati e mbyta me dashuri, me përkujdesje, me sigurinë që jep përqafimi i një burri që e ka duruar dhimbjen një jetë. Ajo u drodh si gjethe që bie me hutueshëm kur era e shtyn në pragun e një porte që hapet befas. Kaq ishte, vetëm një përqafim, asgjë më shumë që mbeti i fotografuar prej yjeve, vetëm ata ishin dëshmitar.

Tani shëtis rrugëve të një qyteti tjetër, e mbaj në mendje dritën që shkëlqen ende. Dhemb miku im dhemb, pasi lundrova mijëra milje mes tallazeve të oqeanit të dhimbjes mendova se shpëtova gjallë e do të isha i lumtur veç me veten. Tani jetoj prej ca kohësh tek ai qoshku me ndriçimin e zbehtë, aty ku ajo më buzëqeshi për herë të parë, aty tek ai qoshk kam mbetë …

©Ervina Toptani