Letërsi

Përgjigjet e munguara (Kuartet) - Nga Zija Çela

 Zija Çela

1.

Për të arritur deri në pikën, ku më në fund m’u desh të ndalesha, unë i nënshkruari Zhan Siko po ndiej nevojën e kronikës.

Në krah të udhëheqësit të doktoraturës sime të dikurshme, Profesorit Frederik Brand, kam patur rastin të ndjek në Londër simfoninë e pambaruar të Betovenit, atë që numërtohet E Dhjeta. Përgjigjen për pyetjen përse u luajt në Londër, e kisha dhënë tërthorazi në librin tim “Betoveni dhe përgjigjet e munguara”. Ishte vetë kompozitori që, në të gjallë, ia kishte premtuar Shoqërisë Filarmonike Mbretërore.

Kujtoj se, kur po dilnim, dikush i foli Profesorit:

- Zoti Brand, unë nuk krijova ndonjë ide për temën e simfonisë. Mendoni ju se Kuperi (Cooper-i) ia ka dalë duke montuar këto fragmente? Dhe a mund të më thoni përse Scherzo-n e ka lënë jashtë?

Profesori e kaloi me një nënqeshje. Ndërsa mua më pëshpëriti: “Shih për çfarë kujtohet violinisti! Pyetje e hidhur. Sidomos kjo e Scherzo-s është e denjë për kërkimet e tua.”

Siç e kishim bërë me fjalë, në vend të kthehesha në Tiranë, të nesërmen morëm avionin për në Bon. Isha mysafir i zotit Brand.

2.

Vila Brand ndodhej pak kilometra larg qytetit dhe ishte aq e madhe, sa më vinte çudi përse dy djemtë e familjes jetonin larg prej vitesh, njëri në Suedi dhe tjetri në Danimarkë. Nga zonja kujtoj merakun për kekun e mbasdites, si dhe mirësinë që rrezatonte fytyra e saj, e cila më dukej si një dritë që e merrte me vete ngado nëpër shtëpi.

Me Profesorin, në ditën e dytë, iu kthyem disa herë bisedës për Simfoninë 10 që, duke u pajtuar me studiues të tjerë, po e cilësoj hipotetike. Beri Kuper kishte mbledhur e montuar disa materiale dorëshkrimore, masa me pak nota, që nuk lidheshin mes tyre as si motiv. Po, tha Frederik Brand, me gjasë ato skicime kanë qenë më tepër në mendjen e Betovenit, sesa në pentagrame. Madje edhe vetë Kuperi, mbasi mblodhi fragmentet, ka pohuar se mbetet një projekt që nuk e shpie përpara simfonizimin betovenian. Por ka një fakt, që nuk mund të mohohet. Betoveni ka luajtur në piano një pjesë të kësaj simfonie për mikun e tij Karl Holz. Dhe përshkrimi i Holzit ngjason me skicat që gjeti Kuperi. Enigma pra nuk mungon, vazhdoi i zoti i shtëpisë, flitet për një simfoni që edhe ekziston, edhe nuk ekziston. E di si i thonë kësaj, miku im, është njëlloj si të nëpërshihet aty-këtu fantazma e dikujt, që si qenie e gjallë nuk ka ekzistuar kurrë.

3.

Njëherë tjetër (mund të ketë qenë dita e tretë), teksa rilexoja në dhomë “Betoveni dhe tri stilet e tij” të W. de Lenz, zonja më njoftoi se profesori po më priste në sallonin e bibliotekës. Donte rreth një orë për të ngrënë darkën dhe më ftoi të pinim një aperitiv. Libri që mbaja në dorë, u bë shkak që biseda të hapej shpejt.

Kur kisha përgatitur doktoraturën me “Pyetjet e munguara”, Profesori më kishte nxitur që, gjatë hulumtimeve për stilin, të mund të bëja njëfarë kategorizimi të simfonive. Dhe unë, dashje pa dashje, kisha mbrojtur tezën se, pothuajse në mënyrë periodike, Betoveni i qe kthyer formës klasike. Pikërisht këtë po i sillja në mend zotit Brand, po i thoja se pas eksplozionit me Heroiken 3, Simfonia 4 ka formë të pastër klasike. Shpërthen te Pesa tematike, pastaj Gjashta më shumë poetike e pastorale, peizazh por jo aksion. Vjen Shtata me magjinë e vallëzimit, përsëri rikthim te forma e pastër me Tetën klasike. Ndërsa Nënta shënon revolucion në simfoni dhe në muzikën botërore.

- Kanë shkuar vite, Zhan, - m’u drejtua profesori, - dhe tashmë po plakem. Nuk më bie ndërmend, sipas kësaj diagrame si e parashihje në librin tënd Të Dhjetën e Betovenit, klasike e parashihje?

- Unë e shtroja pyetjen, por përgjigje nuk jepja, zoti Brand. E nëse do të më duhej ta jepja tani, do të thosha jo, jo. Me sovranitetin që kishte fituar, ai rebeli nuk do t'i bindej më asnjë kanoni formal.

Prita që tjetri të përsëriste shprehjen e tij të njohur për Betovenin, kur e cilësonte Demon shkatërrues dhe Zot krijues të formave, por ai vetëm tundi kokën. Pastaj tha:

- Në vitin 1808 kemi Simfoninë Pesë dhe Simfoninë Gjashtë. Në vitin 1812 kemi Simfoninë Shtatë dhe Simfoninë Tetë. E Nënta vjen më 1824. Sipas diagramës, ndoshta këtë vit priteshin përsëri dy simfoni, mirëpo... Mirëpo E Dhjeta mungon.

Ai më hodhi një vështrim zhbirues nën vetulla dhe, meqë zhbirimi zgjati, teksa bluaja punkturën e tij “E Dhjeta mungon”, m’u duk sikur po më fuste xixat. Si ta ndiente gjendjen time, zoti Brand iu afrua bibliotekës dhe diç mori në parvazin e një etazheri, duke thënë se do të ma bënte dhuratë. Kur e pata në dorë, për ngjyrën e errët dhe peshën e rëndë, lënda e atij trupi të vogël më përngjasoi me ndonjë skorje metali, që nxirren nga furrat e shkrirjes.

- Është një meteorit, - i dha vlerën Profesori. - Dhe ka rënë në kopshtin tim një mbrëmje pas darke, kur po shëtisja i menduar.

Ndoshta fajin e kishin ato xixat për shtysën time të menjëhershme.

- Më falni, - e pyeta, - dhe në ato çaste ju po mendonit për Betovenin?

- Po mendoja për Mozartin, - ma ktheu. - Për atë hyjnorin, që sikur pati ardhur në Tokë pikërisht nga Qielli.

Kishte folur ende më këmbë dhe më këmbë do të qëndronte një copë herë. Zoti Brand lidhi duart pas kurrizit dhe nisi të bariste ngadalë, sikur nuk ishim në sallonin gjysmërrethor të bibliotekës, por në kopshtin me shtigje kalimesh. Ashtu, në ecje e sipër, vazhdoi të fliste. Me mua e kishte, por zëri i tij më vinte aq turfullues, sa me gjithë gjermanishten time të mirë, kishte fjalë që më humbisnin. Pak a shumë, këtë po thoshte përmbledhtazi. Ç’ishte ajo sëmundje, ajo këputje para kohe, ajo razbitje fizike dhe mendore e Mozartit?! Ç’ishte mania e tij e persekutimit, po ato hije e shajni që i shfaqeshin?! Ç’ishte ajo parandjenjë për fundin e afërt?!

Pastaj, kur zuri vend dhe i dha mjekrës pak mënjanim, si të donte t’i bëntë fresk grykës së nxehur, ma lëshoi mua zjarrminë e tij.

- E ç’mendon ti, kush ka qenë ai që i vajti në shtëpi Mozartit dhe i porositi Requiemin? Këtu mendjen, të lutem, nuk po them Minuet, po them Requiem!

Në librin tim, por pa e shprehur troç, kisha lënë të nënkuptohej se mund të ishte Salieri. Ndërsa me Betovenin e kisha pasur më të lehtë, sepse ishte gjerësisht i pranuar fakti që dikur kishte marrë mësime nga Salieri për stilin vokal.

Unë te zoti Brand e kisha mendjen, veçse nuk doja ta shihja në sy, ngaqë po më bëhej i padurueshëm zhbirimi i vështrimit të tij. Megjithatë, ai u tregua edhe më i drejtpërdrejtë.

- Përse një Requiem, që do të luhej së shpejti në mortin e Mozartit, ndërsa ai që ia kërkoi nuk u bë më kurrë i gjallë?!

- Profesor, - mora guximin, - mos doni të thoni se porositësi ka qenë një fantazmë?

- Atë po them, Zhan. Veçse fantazma e një qenie që nuk i përket vdekatarëve të zakonshëm si ne. Nuk i përket, përderisa kurrë nuk u arrit të identifikohej diku në faqe të dheut.

Tashmë më duket pak të përmend xixat, Frederik Brand po më fuste tërbimin.

4.

Me t’u kthyer në Tiranë, e ndalova dorëshkrimin e librit, që ishte gati të shkonte në shtypshkronjë për ribotim. Botuesit i thashë se kisha nevojë të mendohesha nëse do ta shtoja tekstin. Atë meteoritin, si ia ndërrova vendin disa herë në bibliotekë, e vura mëpastaj në tryezën e punës. Kot thoshte ime shoqe se isha bërë supersticioz. Kot thoshte se po e përdorja si totem ndaj dalldisjeve të mia mistike. Unë e dija pse e mbaja aty. Duke kujtuar mjeshtrat që i presin aq saktësisht diamantet, më kishte shkuar në mend se, një ditë, ndoshta do të gjeja një artist që do të gdhendte në atë gur kokën e Betovenit. E pra unë ashtu e shihja meteoritin, si një miniskulpturë.

Kur arrita te ky imazh, isha çliruar disi nga ethet e atyre xixave, që më jepnin makthe edhe në gjumë. Nuk doja ta zbusja furinë e fantazisë, por as të lejoja që shthurja e saj të ma errësonte arsyetimin. Natën, herë-herë, më dilte gjumi nga thirrjet e Betovenit. Më tepër se thirrje, ishin klithma luanike. Ai u drejtohej gjithë pezm vienezëve, adhuruesve të tij të mëparshëm: “Ju, mosmirënjohës mizorë, ma kthyet shpinën tashmë! Më harruat, më braktisët, o të pafytyrë! Dashkeni bel canto tani, dashkeni Puçinin?! Mbajini pra! Ju nuk më meritoni dhe unë kurrë, kurrë nuk do të kompozoj më për ju. Unë do të kompozoj vetëm për njerëzit e së ardhmes!”

Nuk ishte pjellë e fantazisë sime kjo revoltë, as ky deklarim dhe mbyllja në vetvete e Ludwig van Beethoven-it. I pohojnë tërë biografët e gjeniut. Çfarë nuk gjeja kund të shkruar, ishte hamendësimi im për kahun që morën ngjarjet.

Në fazën e shurdhimit absolut, kur me veshin e brendshëm riprodhonte tinguj, vetëm tinguj, unë besoja se sublimja te Betoveni ishte bërë e shumëfishtë. Njëkohësisht me frushullimën që bën Toka duke u rrotulluar në boshtin e vet, ai arrinte të kapte edhe tingujt e padeshifrueshëm që vijnë nga hapësira kozmike. Me këto përmasa që ushqenin talentin e tij, po besoja se, më 1824, Betoveni kishte arritur përsëri të shkruante dy simfoni, kësaj here të njëpasnjëshme. Dhe nëse E Nënta ishte një shpërthim i gjithë kufijve tokësorë, deri ku ishte ngjitur E Dhjeta? Dhe nëse vërtet ishte shkruar, përse nuk gjendeshin partiturat e saj, ku ndodhej tani?!

Ngaqë ngurroja t’i dilja ballë për ballë në chat, i dërgova një e-mail zotit Brand. Ndër të tjera i thoshja: “Sipas meje, mund të ketë një arsye përse njeriu, i cili i porositi Mozartit atëherë Requiemin, nuk u identifikua kurrë. Ai nuk ka qenë një fantazëm, por një mesazher jashtëtokësor.”

Profesori e kuptoi se me këtë çelës po kërkoja të shpjegoja edhe paktin e Betovenit me jashtëtokësorët për Simfoninë 10. Nuk më interesonte nëse qe marrëveshje me ndërgjegje, me detyrim apo përkundrazi, gjithë ngazëllim e bujari kjo dhuratë nga ana e autorit. Shkurt, përmes përfaqësuesit të tyre, ata i thanë: “Ne ia përshpejtuam vdekjen vëllait tënd, por nuk e grabitëm, sepse Toka do të dukej e shkretë pa muzikën e Mozartit. Ndërsa Simfonia jote e tejkalon planetin e njerëzimit, ajo përfshin tërë kozmosin, prandaj na përket neve.”

Me gjasë, pikërisht ky përfaqësues e udhëzoi edhe për mbulimin e gjurmëve konspirative. Betoveni sajoi ato materialet e shkëptura dorëshkrimore, masa me pak nota, që do të gjente Beri Kuperi nga simfonia apokrife. Madje, për të përforcuar gjasmimin se kjo ishte E Dhjeta, sajoi edhe alibinë me Karl Holzin, në praninë e të cilit luajti në piano një fragment. Megjithatë, etja për hakmarrje ndaj mosmirënjohjes që ishte treguar ndaj tij, nuk u shua me kaq. Tirani shtoi edhe një Scherzo, si për t’i dhënë tërë kësaj enigme edhe përqeshje njëkohësisht.

Ndërkaq, autori që kishte shkruar sonatat Drita e Hënës, Apasionata dhe Les Adieux, tani do të kompozonte Sonatën e Madhe, Meshën Diellore dhe Variacionet mbi një vals të Djallit. Ka të ngjarë që Hajdenit t’i ketë paraprirë intuita, kur e njohu djalosh të ri dhe i tha: “Ju më jepni përshtypjen e një njeriu që ka shumë koka, shumë zemra, shumë shpirtra.” Ky ka qenë parashikimi më i saktë se, një ditë, Ludwig van Beethoven-i do të bëhej i mjaftueshëm edhe për Tokën, edhe për Qiellin.

Meqë hipotezën time nuk guxoja ta përfshija në faqet e librit, dhashë leje që “Përgjigjet e munguara” të ribotohej pa e prekur tekstin. Nuk kisha asnjë tundim për t’i shkruar sërish Prof. Brandit. Vendosa të ndaloja vetë në këtë kufi, para se të më ndalonte ai. Dhe ndalova, duke qëndruar në përgjim e duke mbajtur veshët hapur. Ndoshta me të drejtë, ende sot e kësaj dite, thuhet rëndom se çdo përgjigje për Betovenin e rrëzon një përgjigje tjetër, ndërsa të gjitha bashkë janë vetëm të përkohshme.     

©Zija Çela

(Tiranë, prill 2020. Nga libri “Thika pa gjak”)