Letërsi

Murtaja te Kamy dhe Buxhovi - Nga Aleksandër Zoto

Studim krahasues i romanit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit me rastin e botimit në frëngjisht - “Qui resiste a la peste resiste au diable”, nga botuesi i njohur francez L'Harmattan, Paris.

Është e pamundur të pohohet që leximi i “Dekameronit” të Bokaçios, i “Ditarit të murtajës” të Daniel dë Fosee (De Foes), i “Ambre” të Katlen Vinsorit (Kathleen Winsorit), i “Kalorësit mbi çati” të Xhinios (Giono) ose edhe i “L´oevre au noir” të Margarita Jursenarit (Marguerite Yourcenar), t’i ketë paraprirë hartimit të “Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit” të Jusuf Buxhovit, përderisa keto vepra, nëse nuk gabohemi, nuk kanë qenë të përkthyera në shqip, pa dyshim, as në serbokroatisht. Nga ana tjetër, është e pamundur të përfytyrohet që Buxhovi të mos ketë njohur romanet e Ismail Kadaresë që i kanë paraprirë romanit të tij, sepse, megjithëse të ndaluar nga pushteti serb, ata kanë qarkulluar midis shqiptarëve të Kosovës, qoftë edhe në pak kopje.

Është e pamundur, gjithashtu, të imagjinohet që Buxhovi nuk e njihte “Murtajën” (La Peste) e Alber Kamysë, këtij klasiku të letërsisë botërore. Pra, është me interes të shohim se si romani i tij, që rrëfen peripecitë e një epidemie murtaje në sfondin e luftës së fshehtë dhe të hapur midis otomanëve dhe shqiptarëve, vendoset në linjën e romanit të Kamysë dhe të disa veprave të Kadaresë dhe takon temën e tyre ose, më saktësisht shtyhemi të shikojmë sesa ai arrin t’u shpëtojë atyre, të përballojë sfidat që paraqesin këto vepra për të parë, pasi as që mund të vihet në dyshim që ai të ketë pasur synim të vetëm imitimin e tyre, riprodhimin, nëse mund të thuhet e Kadaresë ose të Kamysë në dorë të dytë; krijimtaria e tij e mëparshme e përjashton a priori një proces të tillë dhe një lexim sadopak i vëmendshëm i “Shënimve të Gjon Nikollë Kazazit” e mbështet këtë mendim.

Në fakt, s’bëhet fjalë për një “remake” (nga anglishtja “ribërje”) të “Kështjellës”, i pari nga romanet e Kadaresë, të cilit i jemi referuar. Së pari, sepse Buxhovi rrëfen në të për një epidemi murtaje të shkaktuar nga pushtuesit turq, me synimin politik më tepër se ushtarak, kundër banorëve të qytetit dhe të rrethinës së Gjakovës, synimi është të dobësohet pa kthim dhe të gjunjëzohet një komb tashmë i nënshtruar nga qeveria e Portës së Lartë, por që ruan një karakter tepër të pavarur, duke e qëlluar për vdekje në përmasa të mëdha. Për më tepër veprimi vendoset në një datë të saktë, në vitin 1747, zgjedhje kjo që me siguri nuk është rastësore, por ka një bazë historike në kryengritjet që shpërthyen gjatë shekullit XVIII kundër sundimit osman.

Në romanin “Kështjella” përkundrazi, futja e minjve të infektuar në kështjellën e rrethuar përbën një nga manovrat e njëpasnjëshme, me anë të të cilave Tursun Pasha përpiqet të bëhet zot i saj; nga ana tjetër, rrëfimi zhvillohet pa referim kronologjik të veçantë dhe ngjarjet shihen kryesisht nga ana turke. Së fundit, nëse Buxhovi, nën shembullin e Kadaresë, aludon për armët bakteriologjike të këtij shekulli, ai zhvillon paralelisht një temë që kolegu i tij i Tiranës vetëm sa e ka skicuar (dhe pa folur për murtajën) në një skaj të novelës së tij “Krushqit janë të ngrirë”: atë të “zgjidhjes përfundimtare” (solution finale), sipas shprehjes së trashëguar nga nazizmi.

Në fund të fundit, vepra e Buxhovit rimerr më tepër sesa përsërit “Kështjellën”, përderisa ajo ilustron dhe zhvillon disa faqe të këtij romani, ku Intendenti parathotë vështirësitë e ardhshme pas pushtimit të Shqipërisë, pavarësisht nga fitorja ushtarake dhe mjetet që duhen përdorur për ta integruar përfundimisht këtë vend në Perandorinë Otomane.

Nga ana tjetër, si mund të mos takoheshin rrëfimet e dy romancierëve shqiptarë përderi sa njëri, ashtu dhe tjetri, e kthejnë ballafaqimin e popullit të tyre me otomanët në një metaforë të ndeshjes së tij të sotme kundër shtypësve të tjerë? Kështu shpjegohet, pa dyshim, fakti se rrëfyesi te “Shënimet...”, si dhe ai i Kadaresë te “Ura me tri harqe” quhen Gjon dhe janë murgj, pra i referohen që të dy figurës së shquar të Gjon Buzukut, murgut themelues të letërsisë së shkruar shqiptare.

Së fundit, disa konvergjenca janë të pranishme për arsye të referimit të përbashkët (pak a shumë të saktë) te doket dhe zakonet politiko-ushtarake të Perandorisë Otomane. Ibrahim Pasha, p.sh., (përveç titullit të tij “kajmekam”) të bën njëherazi të mendosh për Tursun Pashën, personazh i “Kështjellës” dhe Hurshid Pashën, një nga figurat e “Kamares së turpit”, që e di se është i dënuar edhe ai dhe pret vetëm çastin kur koka e tij do të bjerë. Klasifikimi i kombeve të perandorisë në tri kategori - popujt e asimiluar ose të konsideruar si të tillë, popujt në asimilim e sipër dhe, së fundit, popujt rebelë - të kujtojnë gjithashtu pesë etapat që paraprijnë, në të dytin e romaneve të sipërpërmendura, “zhdukjen” e plotë dhe përfundimtare të vendeve që i nënshtroheshin ligjit të “kra-kra”-së.

Këto pika të shumta takimi midis Buxhovit dhe atyre të Kadaresë për të cilat u fol më sipër, e veçanërisht te “Ura me tri harqe”, janë tepër të dukshme, të pohuara aq qartë sa s’ka vend për të folur për plagjiaturë. Më tepër mund të konkludohet për njëfarë homazhi, me një syshkelje miqësore ndaj veprës së mjeshtrit (vëmë re, në veçanti, që murgu i Buxhovit, po ashtu si dhe i Kadaresë, e nis kronikën e tij në një muaj mars), madje për një lojë shkrimi ndërtekstore, siç e praktikon si një prirje Mishel Turnier, Premtimi i të cilit na jep shembullin më të njohur. Faktikisht, dallimet janë më të shumtë se ngjashmëritë, sikur Buxhovi të kish vënë nderin e tij në lojë për t’u shkëputur nga vepra e Kadaresë, duke e përshëndetur atë në kalim e sipër. Një invetar i shkurtër vetëm i të dhënave materiale që dallojnë dy romanet do të lejonte të gjykojmë për këtë.

Kadareja (rrëfimtari i të cilit i përket një epoke para asaj të Buzukut) mjfatohet me një emër simbolik - Gjon -, ndërsa Buxhovi i jep të vetit një gjendje civile më të detajuar dhe e lidh shprehimisht me kujtimin e Buzukut, nëpërmjet Colit, beniaminit të tij, i cili ëndërron të çojë më tej veprën e stërgjyshit të vet të madh, duke shpikur alfabetin origjinal që ende s’e ka gjuha; Gjoni i Kadaresë, pra, del si përfaqësues i Shqipërisë paraotomane, ndërsa nga ai i Buxhovit, që ka si vëlla e kusheri Lam Mulën, i kthyer në mysliman, prej nga del kjo temë ankese, praktikisht e papranishme në veprat e Kadaresë të përmendura këtu: ndarja e popullit shqiptar midis Islamizmit dhe Krishtërimit.

Dallimi i tretë: figura emblemore e Buzukut duket si e dyzuar te Buxhovi. Meqë përkthimi i tij i Biblës në shqip sanksiononte qenien e një gjuhe dhe të një kulture shekullore, baba i letërsisë shqipe ringjallet njëherazi te Coli, poeti që do të dëshironte të shkruante shkronja të mirëfillta shqipe, dhe te Gjon Nikolla, herë pas here arkitekt si dhe prift e kronikan. Një dallim i katërt, së fundi, lidhet me mënyrën e rrëfimit dhe jo më me rrëfimtarin. Te Kadareja, rrëfimi bëhet, si të thuash, me kalim të drejtpërdrejtë nga pena e Gjonit të syri i lexuesit, ndërsa te Buxhovi ka një dyfishim, përsëritja ose “mise en abyme” të aktit të të shkruarit: murgu i tij është jo vetëm autori i kronikës që e lexojmë, por edhe i një fletoreje shënimesh, me sa duket e caktuar për të ushqyer këtë kronikë, nga e cila ai na jep andej-këndej disa pjesëza.

Kështu vetë përmbajta e shënimeve paraqitet si një nga ngjarjet që përfshin kronika dhe kështu ata bëhen element përbërës i saj... Këtu gjejmë sërish, me nuanca të vogla ndryshimesh, mënyrën e famshme të Zhidit te “Prerësit e parave të rreme” (“Les Faux-monneyeurs”), më tepër sesa atë që ka përdorur Kadareja në “Kronikë në gur”, roman ku gjejnë jehonë kujtimet e rrëfimtarit dhe copëza kronikale që u atribuohen dëshmitarëve të tjerë.

Pra, të kuptuara dhe të vendosura siç duhet, afritë që nxorëm midis romanit të Buxhovit dhe këtyre veprave të Kadaresë, na nxisin më tepër kuriozitetin ndaj tij; ato vërtetojnë vlerën dhe peshën e dëshmisë që ky autor sjell mbi fatin e popullit të vet, jo pa e bërë atë shembull, ose e thënë ndryshe, të aftë për një shtrirje përtej vetë Shqipërisë.

Pikërisht këtë përmasë njerëzore të librit kërkojmë të nxjerrim tani, me anë të një paraleleje tjetër, që na fton me ngulm, së paku për nga tema, sepse edhe aty pikëtakimet do të shfaqen shumë më të kufizuara.

Në fakt, romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” i Jusuf Buxhovit nuk është gjithnjë një “remake” e “Murtajës” (“La Peste”) të Kamysë. Së pari, e rithemi, sepse rrëfimi i Buxhovit është vendosur në një kuadër historik, a, të paktën, mëton të jetë një krijim fiktiv me frymëzime historikë. Nga ana tjetër, edhe pse konsideratat morale, madje filozofike, të lidhura me fatin e këtij ose të atij personazhi nuk mungojnë dhe kërkojnë meditimin vetjak të çdo lexuesi, ai trajton parasëgjithash një aventurë kolektive.

Drama e Kamysë prek gjithashtu një bashkësi, por që është, në thelb, mbarë njerëzimi; pra ai të drejton te një entitet paksa abrstrakt, qoftë edhe i mishëruar në fate të veçantë. Po ashtu, megjithëse ai paraqet efektet e vërejtura klinikisht të një epidemie murtaje, kjo nis dhe përhapet vetvetiu, në një farë mënyre si një fatalitet, dhe megjithë zgjedhjen e Oranit si vend skene, nuk bëhet fjalë posaçërisht për Algjerinë. Në romanin e Buxhovit, përkundrazi, fatkeqësia jepet qartë, me shkaqet dhe fundin e saj, në kohën dhe vendin e saj. Në fund të fundit - por pa u kufizuar në një “subjekt” rreptësisht të përcaktuar ose të përvijuar - Buxhovi aktualizon dhe zhvillon një nga kuptimet e mundshme të “Murtaja” (“La Peste”) e Kamysë: vuajtjen që u shkaktohet njerëzve nga njerëz të tjerë, dhunë që përdorin disa për të nështruar më mirë të tjerët, madje për t´i zhdukur fizikisht. Pikërisht këtu është, në fakt, një nga murtajat që nënkupton “Murtaja” e Kamysë, në mos shprehimisht, së paku me aluzionet e tekstit ose me përgjithësimet ku ai të shpie.

Sipas datës së shkrimit dhe daljes në shitje - pra realiteteve që e sollën dhe të cilëve ai u vë qëllimisht dhe domosdoshmërisht jehonë - romani i Kamysë evokonte së pari, me siguri, totalitarizmin, këtë përbindësh të kohëve moderne. Autori njëherazi ka pasur edhe kurajon, edhe qartësinë, mjaft të rralla në periudhën fill pas luftës, të denoncojë si murtajën e kuqe, edhe atë të zezën. Por ai e bën këtë me terma të qartë dhe jo më me zhvendosje, me komente me të cilët ai e shoqëron atë. Rrjedhimisht, përtej këtyre rezonancave ose shkrimeve “aktuale” të tekstit, të bëra më të ndjeshme në atë kohë nga kujtimi i menjëhershëm i flijimit (holocauste), kujdesi i Kamysë për t'i siguruar veprës së tij një përmasë polisemike (ai donte, siç shprehet vetë, që ajo “të lexohet në shumë nivele”), kjo i jep atij një karakter “atopic” (ngjyra algjeriane, e përsërisim, nuk llogaritet aspak), dhe “akronik”, duke përjashtuar disa tregues që dalin nga e kaluara e Tarrout dhe e Rambertit. Do të dukej sikur ai ka dashur kështu ta çojë më me siguri lexuesin drejt pyetjes thelbësore: cilat mund të jenë, në një vështrim absolut, sjelljet e njeriut përballë vdekjes së verbër, e, më përgjithësisht, përballë të gjitha formave të vuajtjeve fizike dhe morale, në të cilat mund të shfaqet e keqja?

Një tjetër veçori e murtajës së Buxhovit, përballë asaj të Kamysë, është se ajo nuk ka pamjen e një fatkeqësie të shfaqur befasisht. Sigurisht romancieri frëng e shtjellon me etapa progresive, por mbetet, siç e theksuam më lart, që ajo të shfaqet “exnihilio” se është e tërë njëherazi, pa iu dashur të lindë. Te Buxhovi, përkundrazi, ajo vjen nëpërmjet një vënie në skenë sa sekrete aq edhe të hollë: ajo përbën për dje, por figuron edhe për sot (në kontekstin e sotëm mbi disa realitete social-politikë dhe për gjuhën e dyfishtë), një përpjekje për gjenocid, së paku të pjesshëm, aq të shtyrë sa të mund të shkatërrojë te mbijetuesit çdo përpjekje, sado të vogël, për t’u mbrojtur. Kështu, vdekja fizike e disave do të sigurojë vdekjen politike dhe morale të të tjerëve.

Fshehtas, i maskuar në përkujdesje, ky plan djallëzor nënkupton, në fakt, në dredhat e veta, një art të përkryer të helmimit, të frikësimit, derisa shkakton psikoza të vërteta, duke krijuar kështu kushtet e favorshme për të parandaluar ose asnjëanësuar qëndresën e popullsisë, për t’u paraprirë kundërveprimeve të tij.

Këtu hasim elementët që afrojnë romanin e Buxhovit me ata të Kadaresë në paraqitjen alegorike të Perandorisë Osmane.

Çuditërisht, synimet e kësaj “superfuqie” janë shprehur qartë te Buxhovi, te “Strategjia osmane” e njëfarë Kavijusit. (Prapa kësaj dyshohet për mbështetje në një realitet historik). Nga ky traktat janë frymëzuar gjerësisht mendimet e një poeti tjetër epik të madhështisë osmane, i quajtur Osman Inxhi Karaogllu, sipas rrëfimit të Gjon Nikollës. E ashtuquajtura strategji nuk është pohuar, sigurisht, në librin e Karaogllusë si një synim makiavelik. Ajo duhet të përfundojë me kurorëzimin e njeriut të ri osman, të farkëtuar sipas një modeli të vetëm ideal, i vetmi mjet për të siguruar shpëtimin e Perandorisë. Gjithashtu ka prirje për të lexuar aty një aluzion të dyfishtë ndaj realiteteve bashkëkohorë, së pari, ndaj ideologjisë komuniste, që ka rishpikur mitin e njeriut të ri, por edhe ndaj shkrimeve të Çubrilloviçit, teoricien i “rregullimit të çështjeve shqiptare”, në të mirën më të madhe për Serbinë. Futja në lojë e dy veprave në fjalë ndoshta gjen këtu shpjegimin e saj: mos jemi të ftuar ta kujtojmë Biblën e paemër dhe të paemërtuar të shovinizmit dhe të ekspansionizmit serb prapa asryetimeve të tij të veshura bukur, ashtu si në roman, njëra nga këto vepra (ajo “e paraqitshmja” me pamje “të ndershme”) e nënkupton tjetrën (atë të urryerën) nga u frymëzua në të vërtetë?

Merret me mend në një referencë tjetër ndaj sistemit komunist me mbledhjet ose më mirë me dërdëllisjet e pafundme (mania “marksiste-leniniste”), ku përfaqësuesit e pushtetit qendror, kur nuk i anullojnë a shtyjnë, për efekt takt ose thjesht për përbuzje, bëjnë sikur janë në një mendje me mjediset e shquar, për të diktuar, në fund të fundit, vetëm vullnetet e tyre. E si të mos përfytyrosh në këtë faqe autonominë relative të pranuar dikur për krahinën e Kosovës, autonomi që sot është likuiduar krejt.

Përballë kësaj shtypjeje shtetërore, qëndresa shqiptare niset nga një ndërgjegje e vetme, një kapërcim i njeriut, i jetës dhe i vdekjes, e jo nga konsideratat politike. Prej këtij rrjedh një përmasë filozofiko-morale, që i jep romanit gjithë rëndësinë që ka.

Pa qenë e mundur të zbulohen në këtë fushë përkime të qarta midis romanit të Buxhovit dhe këtij ose atij të Kadaresë, gjendet megjithatë atmosfera e përgjithshme, e cila, tek i dyti, përshkon veprat e frymëzuara drejtpërsëdrejti nga tema e “besës”.

Njeriu shqiptar paraqitet si një “homo religious”, në kuptim etimologjik; ai përcaktohet vetëm nëpërmjet lidhjeve të tij: me vëllezërit e tij, me tokën, gjuhën, të kaluarën. Romani i Buxhovit “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit” na jep të kuptojmë se, meqë as Krishti e as Muhameti nuk u kërkonin të hiqnin dorë nga kjo “besë”, që ishte e rrënjosur thellë në qenien e tyre, shqiptarët mund t’i përkushtoheshin padallimisht njërit ose tjetrit,sipas rrethanave. Romani “Shënimet...” na përkujton gjithashtu se sa shqiptarët, nga ky fakt, kanë mësuar e zbatuar tolerancën, respektin e çdo besimi, e, prej kësaj, të çdo kombësie...

Kulti i përbashkët i “besës” nënkupton parasëgjithash një sërë angazhimesh, ligjesh e zakonesh, që rrjedhin nga besa e fjalës së dhënë. Kështu, shpjegohen kujtimet e përseritur të historisë së tij të gjatë; ata janë po aq shenja e përjetësisë së tij, sa edhe të nevojës që ai ka, në orët e vështira, të ringjallë heronjtë e tij mbrojtës, t’i mëshirojë ose t’i ndjejë që rijetojnë përmes magjisë së fjalës. Më shumë se prej kujtdo tjetër: kujtesa i vjen nga poetët e tij (Colit i shtohet personazhi shumë simbolik i rapsodit popullor Selami Takraku), nga këngët e legjendat që përjetësojnë kujtimin e sprovave. Kështu përballë një të keqeje të harruar, që të zë papritur, kundërveprimi i parë është pyetja e së kaluarës, këshillimi me të vjetrit, me ata që kanë mundur të shikojnë ose të dëgjojnë të tregohet sesi ka mundur ta kufizojnë atë, një shekull më parë, gjatë epidemisë së 1646-ës.

Nga kjo rrjedhin edhe këto elementë të tjerû: përsëritja me këmbëngulje e disa toponimeve, zanati i arkeologjisë që ushtron Gjon Nikolla krahas prirjes së tij fetare dhe odiseja e Kelmendëve, një familjeje shqiptare, që përshkon shkurtimisht romanin. Të mërguar në Bosnje që prej disa brezash, para se të rikthehen e të vendosen në Gjakovë, si dyshekëpunues, këta endacakë do ta gjejnë identitetin dhe përkatësinë e tyre të humbur vetëm duke u bërë një me baltën e varrit. Copa e poçarisë së vjetër ilire, që Gjoni ka nxjerrë nga thellësia e dheut, afirmon edhe vlerën shenjtërore të tokës, përveçse vërteton lashtësinë e qytetërimit nga kanë rrjedhur shqiptarët.

Së fundi, duhet thënë se ka lidhje të plotë midis koncepteve tokë-identitet-kujtesë. Vetëdija e trashëgimisë është futur shumë intimisht në shpirtin shqiptar, saqë kronikani njëherazi me predikimin e rizbulimit dhe të pasurimit të kësaj trashëgimie gjatë brezave, arrin të vërejë se jo gjithmonë, në fakt, lipset kërkim ose studim i veçantë, pasi ajo ka kaluar në gjakun e shqiptarëve dhe shfaqet në jetën e tyre të përditshme. Historia duhet njohur, në fund të fundit, kur ta kanë cënuar identitetin tënd për shekuj me radhë, vetëm për ta përvetësuar a ripërvetësuar sa më mirë atë e të ruash kështu vazhdimësinë e qenies sate.

Kulti i këtyre vlerave te shqiptari çon në një formë stoicizmi, që e bën atë të shohë vdekjen në sy, meqë ai ka kryer atë çka duhet, atë që kërkon prej tij “besa”. Madje, herë-herë, ai duket si i nënshtrohet një magjepsjeje të vdekjes; së pari, sepse kjo vdekje e lavdishme, e denjë, e virtytshme, mund të lindë një këngë pavdekësie, dhe, e dyta, për atë se kjo vdekje, tek e fundit, paraqet jetësinë e një populli, si dhe për arsyet se ajo është sakrificë, mposhtje e gjunjëzimit. Kronikani arrin deri aty sa të shpjegojë, në mos të përligjë për këtë, zakonet vetëvrasëse të disa fiseve ilire, sipas dëshmive të historianëve latinë.

Pasioni dhe krenaria e tij kombëtare do të shkonin pothuaj, në disa prej fjalëve të tij, në lartësimin elitar, sikurse të mos vërente edhe ai vetë se ka edhe shqiptarë të aftë për vepra të ulëta dhe për tradhti. Njëri prej tyre, Çosaleshi, bie kaq poshtë në bashkëpunim me armikun, sa autori i mohon shugurimin e tokës, duke lënë kështu të qarkullojnë dyshimet për qenien e tij shqiptar: askush s’është në gjendje të thotë nga vjen, nga e ka prejardhjen, thua se s’ka prejardhje fare.

Të gjitha këto zgjatje simbolike dhe metaforike lidhen me të papriturat e një beteje me përmasa me të vërtetë epike: nga njëra anë, një popull i tërë që mobilizohet, qëndron dhe që forcën për të mbijetuar e gjen te burimet e tij më të thellë, dhe, nga ana tjetër, makina e ditur politike e një fuqie peradorake dhe, po të mos flasim me gjuhën e La Fontenit, një e keqe që kudo përhap tmerr...murtajë, përderisa duhet thirrur me me emrin që ka.

Kështu libri shkon shkallë-shkallë deri në zgjidhjen e tij te fitorja, të paktën edhe e përkohshme, e gjenisë njerëzore mbi të keqen me anë të skenave dhe të pamjeve rrënqethëse, që shfaqen si një kërcënim therës. Aty gjejmë frymën e frikërave të mëdha mesjetare, ankthet mijëvjeçare të njeriut përballë fatkeqësive apokaliptike. Edhe në vetë etimologjinë e saj, fjala “mortje”, “murtajë”, në shqip, është sinonim i vdekjes. Ndaj, edhe nëse shqiptari mund të shkojë si individ deri aty sa të kërkojë vdekjen, siç e kemi vërejtur, si kolektiv ai priret drejt jetës, drejt një vullneti të pamposhtur për të qenë, për të ruajtur identitetin e vet.

Shtrirjes dhe ngjeshjes së një drame që priret drejtë epopesë, u shtohen, për lexuesin perëndimor, shijet e forta të një ekzotizmi ballkanik. Libri i Buxhovit, në këtë pikë, ruan denjësisht vendin e tij përballë kronikave të famshme të Ivo Andriçit (nga të cilat do të harrojmë këtu, vetëm për interesa letrarë, idetë e padenja për një humanist, që ai shpalli gjatë kohës që punonte në Ministrinë Serbe të Punëve të Brëndshme. Me anën e atyre ideve ai propozonte “rrugët” për rregullimin përfundimtar të çështjes shqiptare).

Shtjellimet që paraprijnë, sidoqoftë, e vërtetojnë mjaftueshëm: ekzotizmi oriental nuk e bën romanin e Buxhovit një vepër thjesht argëtuese, një arratisje thjesht romaneske. Ngarkesa e tij emocionale dhe rëndësia e çështjeve që ai shtron, e mendimeve që ai ushqen, e prekin edhe më me siguri lexuesin, nga që ai e zhyt atë në një pjesë të Europës viktimë, edhe sot, e tronditjes më të dhimbshme, fati i të cilës, duam ose jo, prek kontinentin mbarë.

©Aleksandër Zoto

Aleksandër Zoto ka lindur në Francë në vitin 1939. Është profesor në Universitetin e Saint-Étienne dhe një zë i fuqishëm në botën frankofone për përhapjen dhe rrezatimin e kulturës, traditave, historisë dhe letërsisë shqiptare. Është përkthyes i letërsisë shqiptare në frëngjisht.