Letërsi

Ikni nga prozaizmi… - Nga Vangjush Saro

Bëra çmos ta këmbeja këtë term me diç tjetër, më shqip, p.sh. rëndomtësi, drunim, pallim fjalësh, blla-blla-blla... Nuk ishte e lehtë; sepse prozaizmi është edhe një homonim, fjalë me disa kuptime. Kuptimi më i parë, është i natyrës estetike, shkarkon mbi një poezi të dobët.

Siç dihet, përveç gjetjes, sado që është një krijim pasionant dhe i çastit, poezia ka “fibrat” e saj: ritmi, përkryerja metrike, veçanësia e tropeve, etj. Prozaizmi lind kur këto tranden, në mos nuk janë më. Kështu, ajo fillon e zvarritet, bie në rrëfenjë, është pa lëng, nuk arrin ta recitosh dot me vete; sepse ndërkaq, ti humbet mes fjalëve; gjendjen a mesazhin që ajo do të duhej të përcillte, ti e merr disi me përdhunë, në mënyrë të sforcuar, si një pohim flagrant e të qullët, të cilin nuk do ta pëlqeje asfare... (Përnjimend, edhe vjersha e rregullt katandis gjithaq prozaike kur rimat prodhojnë mërzi.)

Vë re që mjaft krijues e shpërfillin këtë dukuri: fillojnë të poetizojnë dhe nuk ndalen. Ka raste kur e zbrazin idenë a mendimin pa emocion, mjaft rëndomët, me një gjuhë të varfër, pothuaj koten teksa sajojnë vargje, edhe pse pozojnë të cfiliturin apo siç thotë një shprehje kosovare, “i hedhin lotët përpjetë”...

Nuk dua të qortoj askënd, por disa madje qasen me thirrje a konstatime të përsëritura, të dëgjuara, pothuaj duke ta thënë troç mesazhin; dhe ky, vjen i zhveshur nga çdo lloj mundi a kërkimi stilistik, zëre se jemi duke “llafosur” në kafene; (këtë të fundit nuk e paragjykoj, thjesht e klasifikoj...)

Sigurisht, kjo është një çështje formimi e talenti.

Një krijues, qoftë edhe në krijim e sipër të profilit të tij, përpiqet të mos i gjunjëzohet prozaizmit. Por është tepër e vështirë. Prozaizmi është kaq i keq, e rodhe, e mëtonjës, saqë prej këtej ka ardhur edhe kuptimi i dytë i fjalës, pse jo edhe më shumë; që do të thotë: të flasësh gjëra pa interes, të sillesh pa elegancë, të bëhesh i mërzitshëm, ngac, prozaik, prozaike, të humbasësh mes paragjykimesh, etj.

Gjithsesi, përtej këtij komenti, përtej edhe pasionit (për poezinë), ka të tjera dyer e dritare, përpara se të kapësh pamjen e dëshiruar. Pra, duhet më shumë sinqeritet, por edhe më shumë mund, përndryshe... “për hiç gjë do t’i zgjoje njerëzit”, siç do ta thoshte Dostojevski.

©Vangjush Saro