Letërsi

Bardhyl Londo, përkthyesi i parë i Yehuda Amihait - Nga Lazër Stani

Lazër Stani

Për herë të parë jam njohur me poezinë e Yehuda Amihait kur miku im, poeti Bardhyl Londo, po përkthente një përmbledhje të shkurtër të poezive të tij në vitet nëntëdhjetë. Për shumë vite libri me poezi të Amihait, i përkthyer nga Bardhi mbeti një nga librat e mi më të dashur, një libër që e mbaja gjithmonë me vete. Poezitë e mrekullueshme të Amihait vinin në shqip me një gjuhë poetike të papërsëritshme, sepse vetëm një poet si Bardhyl Londo, mund të realizonte një magji të tillë në përkthim.

E megjithatë, ai libër vetëm sa ta shtonte etjen për t’u njohur më tej më krijimtarinë e këtij poeti, që për mua mbetët një nga poetet më të mëdhenj të shekullit të njëzetë, i papërsëritshëm në vetvete.

Vite më vonë u shndërrua në ngjarje mbërritja në shtëpinë tonë e një libri më poezi në anglisht “Selected poetry of Yehuda Amichai” i përkthyer nga Chana Bloch dhe Stephen Mitchell. Brenda pak vitesh, ai libër u bë fletë fletë, sa mezi i bashkonim.

Me Bardhin diskutonim shpesh për poezitë e Amihait, sidomos kur unë përktheja ndonjë poezi të tij. Njëherë pasi kisha sjellë në Facebook, poezinë “Kujtime të pamëshirshme”, Bardhi shkroi një koment, ku shprehej:

“Ti e ke perkthyer shumë bukur. Por një pjesë të konsiderueshme të poezive ai i ka shkruar direkt anglisht. Në Amerikë është ndër poetët e huaj më të vlerësuar. Librat e tij para se të botoheshin në Izrael, më parë dilnin në SHBA.”

Të nesërmen në kafe, biseduam gjatë për poezinë e Amichait. Me tha se përveç poezive që kishte botuar në libër kishte edhe përkthime të tjera të Amihait në shtëpi.

Pse nuk boton një libër tjetër me poezitë e Amichait, i thashë, ndoshta duke përfshirë të gjitha poezitë që Chana Bloch dhe Stepphen Mitchell kanë përfshirë në botimin e tyre në Amerikë?

Do ta bëj në të ardhmen, më premtoi.

Por e ardhmja është si një greminë, ku mbyten premtimet tona. Bardhi nuk mundi ta mbante premtimin e tij.

Tani sa herë lexoj Amichain, ose përkthej ndonjë poezi të tij, më duket se shoh Bardhin të ulur në kafe përballë meje, të përhumbur në mendime. Edhe pse nuk do të më qortonte për përkthimin, e di se askush nga ne nuk do ta përkthejë kurrë Amihain, siç do ta përkthente ai.

***

Yehuda Amichai - Ti nuk duhet të shfaqësh dobësi

Ti nuk duhet të shfaqësh dobësi

edhe kur lëkura nxin.

Po nganjëherë e ndjej veten si velat e hollë

të grave çifute që zalisën

në dasma dhe në Yom Kippur.

Ti nuk duhet të shfaqësh dobësi

dhe rri e bën gati një listë

me gjithë gjërat që do të ngarkosh

në karrocën e foshnjes pa foshnje.

Kështu janë punët tani:

nëse tërheq tapën

pasi kam fërkuar veten në vaskë

kam frikë se gjithë Jeruzalemi dhe me të bota krejt

do të rrjedhin poshtë në errësirën e paanë.

Ditën u ngrej kurthe kujtimeve të mia

dhe natën punoj në Balaam Mills

Duke i kthyer mallkimet në bekime dhe bekimet në mallkime.

Dhe kurrë mos shfaq dobësi.

Nganjëherë zë e shembem brenda vetes

pa e marrë vesh askush.

Unë jam si një ambulancë

në dy këmbë që mbart pacientin

brenda vetes për Ndihmën e Fundit

me klithmën vajtuese të një sirene,

dhe gjindja mendojnë se është ligjëratë e rëndomtë.

Përktheu L. Stani