Letërsi

Rrëfim me marksistë kanadezë - Fragment nga romani “Un Mort” i Arben Kallamatës

Lëvizje marksiste-leniniste ndërkombëtare

Rreth 200 km në veri të aeroportit të Rinasit, 2500 m mbi tokë, Shqipëri, 23 prill 1975

Fransuaza nuk ia shqiste sytë pamjes jashtë dritares, atje poshtë. Donin edhe dhjetë minuta që të uleshin. Ia dinte për nder Hardial Beinsit që i kishte liruar vendin pranë dritares. Dita ishte e bukur, plot diell dhe fluturimi kishte kaluar si një film dokumentar me pamje nga malet e Ballkanit.

Sapo lanë pas Budapestin, vendin e fushave të gjera, të ndara në parcela si kuadrate ngjyra-ngjyra, e zunë malet. Ballkani. Male dhe male, dhe male. Dhe pastaj prapë male. Kaq shumë male, saqë asaj i dukej e pabesueshme që dikur edhe mund të reshtnin dhe se aeroplani do të mund të gjente ndonjë pëllëmbë vend për t’u ulur.

“Kështu duhet të jenë edhe Malet Shkëmbore”, - mendoi, megjithëse ato i kishte parë vetëm nëpër kartolina dhe filma. Ajo kishte qenë disa herë në Alberta, por asnjëherë në pjesën perëndimore dhe malore të provincës, sepse ferma e Beinsit ishte diku më të dalë të Kalgarit. Po të udhëtosh për në Kalgari nga lindja, siç kishte bërë ajo, nuk të bie rasti të shohësh male. Malet fillojnë më në perëndim.

Fransuazës iu kujtua vizita e parë në fermën e Beinsit dhe njohja me të. Pas aplikimit për anëtarësim në Partinë Komuniste (marksiste-leniniste) të Kanadasë, asaj i kishte ardhur një ftesë shpresëdhënëse për një intervistë me vetë kryetarin.

Me aq sa e njihte lëvizjen komuniste ndërkombëtare, Fransuaza priste ta gjente Hardial Beinsin në një zyrë me mure të zhveshura, prapa një tryeze pune të mbuluar me beze të kuqe dhe me katër portretet e klasikëve: Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit varur në gozhdë të ngulura në murin pas tij. Priste të gjente një burrë të zbehtë që pinte cigare pa pushim, me një gube të vjetër hedhur krahëve dhe me zinxhir qosteku që i varej nga xhepi i vogël i jelekut. Ja, kështu e kishte përfytyruar ajo kreun e lëvizjes komuniste marksiste-leniniste kanadeze.

Por takimi i kishte dalë disi ndryshe. Treçerek ore pasi ishte nisur nga Kalgari me kamionçinën e saj të vjetër, harta i kishte kërkuar të merrte një kthesë të fortë djathtas, pas të cilës, për çudinë e saj, u ndodh përballë një porte të madhe metalike me hark që ngrihej e shkretë në mes të rrugës. Po të mos ishin germat e mëdha që shkruanin qartë “Ferma Beins” mbi harkun e portës, ajo do të ishte kthyer nga kish ardhur, pa mbaruar punë.

Kur pa emrin në tabelë, vajza u sigurua se ishte në rrugën e duhur dhe vazhdoi më tej. Iu desh të digjte edhe nja dy-tre litra benzinë përpara se të gjendej përballë një vile të bukur me tre kate që, pa ngurrim, mund ta quaje pallat. Fransuaza nuk pati kohë ta vriste mendjen për emërtimin e saktë të ndërtesës, sepse dikush e shoqëroi drejt e te studioja e Kryetarit. Aty e prezantuan me Hardial Beinsin, kryetarin e Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Kanadasë, me Sandra L. Smithin dhe me Rolf Gerstenbergerin. Beinsi ishte një burrë simpatik; kish lëkurë disi të errët, gati ngjyrë ulliri dhe një qëndrim pak të sertë, por, gjithsesi, miqësor, ndërsa Sandra ishte nga ato femrat tejet të pashme, aq të pashme, sa të bëjnë të ndihesh keq. As veshja elegante nuk ndihmonte fare për lehtësimin e një sikleti të tillë. Por ai që të trembte vërtet nga të tre shokët të pranishëm në atë vilë, ishte Rolf Gerstenbergeri. I ri, ndoshta ende në të tridhjetat, i gjatë, truplidhur, muskuloz, ai dukej sikur nuk dinte të buzëqeshte. Një aksent i rëndë gjerman i dilte nga goja që para se të fillonte të fliste. Për t’i dhënë plotësisht hakun: ai s’para fliste.

E pritën në një si dhomë pritje të ndriçuar jo dhe aq mirë, ku gati sa nuk humbi, kur u zhyt në një kolltuk të madh me lëkurë të kuqe të errët, që vezullonte pranë zjarrit të oxhakut. Beinsi dhe Sandra L. Smith u ulën përballë saj, ndërsa Gerstenbergeri u ul më të djathë, pozicion që e vuri Fransuazën në njëfarë vështirësie, pasi ajo donte t’u drejtohej të treve në të njëjtën kohë. Megjithatë, me kalimin e kohës, ajo e ndjeu se, kur u përgjigjej pyetjeve, duhej të përqendrohej më tepër te Beinsi.

Vjeshta sapo kishte filluar e, megjithëse koha jashtë nuk ishte ftohur ende, oxhaku i jepte Fransuazës një ndjesi të ëmbël rehatie, të cilën, duke marrë parasysh rrethanat, s’kishte se si të mos e vlerësonte si pozitive.

- Atëherë, Fransuazë, na trego diçka për veten. Si u lidhe me idetë komuniste? - Beinsi nuk priti shumë për të hyrë në temë.

- Përmes radios, - u përgjigj ajo.

- Radios?! - folën të tre në të njëjtën kohë dhe zgjatën kokat tepër të interesuar.

- Po, - tha Fransuaza. - Përmes radios me valë të shkurtra.

E ndjeu se ata prisnin të dëgjonin hollësi të mëtejshme për atë mënyrë interesante të rekrutimit në radhët e lëvizjes komuniste marksiste leniniste ndërkombëtare. Ishte e përgatitur për këtë, prandaj nuk nguroi aspak të përgjigjej.

- Me idetë komuniste më ka lidhur pasioni im i fëmijërisë: radioja me valë të shkurtra. Im atë, quhet Robert Falkon, më lidhi me radion që në moshë të vogël. Prej tij mësova gjithçka për kodet dhe transmetimin në valë të shkurtra. Ime më shpesh bën shaka dhe më thotë që unë mësova kodet e radios, para se të mësoja të flisja. Me një fjalë, që fëmijë dija t’i manovroja butonat, antenat, fishat. Studioja e babait për mua ishte sheshi i lojës. Kur erdhi koha për të shkuar në klasën e parë, dija të shkruaja e të lexoja edhe anglisht, edhe frëngjisht, si edhe të merrja e të dërgoja mesazhe në valë të shkurtra në një numër frekuencash dhe kodesh ndërlidhëse.

Qyteti ku jetojmë ne, është një vend ekonomikisht i shkatërruar, - vazhdoi Fransuaza. - Megjithëse dikur ka qenë qendër bujqësore pak a shumë e qëndrueshme, Përroi i Kastorit sot, si shumë komunitete të tjera në provincat e prarive dhe në të gjithë Kanadanë, është kthyer në një zonë të mjeruar nga ana ekonomike. Shumë njerëz detyrohen të largohen dhe t’ua shesin tokat e tyre pronarëve të mëdhenj. Të tjerë s’kanë rrugë tjetër, veçse t’ua ofrojnë krahun e tyre të punës fare lirë kapitalistëve të rinj, që po përqendrojnë gjithmonë e më shumë pushtet ekonomik dhe politik në duart e tyre. Një prej atyre që u detyruan ta linin vendin, ishte edhe im atë, i cili tani punon për fabrikantët e mëdhenj të makinave në Detroit, Mishigan, ku prodhohen vetura për borgjezinë. Me kursimet e tij mbahemi gjallë unë me nënën.

Babai u largua, por ne nuk i ndërpremë kurrë lidhjet. Bisedojmë thuajse çdo ditë përmes radios me valë të shkurtra, duke dërguar dhe duke marrë mesazhe nga njëri-tjetri. Kjo është pjesë e rëndësishme e jetës sime. Im atë më ka mësuar gjithçka që duhet të di për DX-in. Për një kohë të gjatë përdorimi i sistemit DX për mua ishte kryesisht mënyra se si mbaja lidhje me babanë dhe se si i shtyja orët e mërzitshme në një vend pa shumë ngjarje si Përroi i Kastorit. Dalëngadalë krijova lidhje edhe me radioamatorë të tjerë nga e gjithë bota, dhe jam në gjendje të shkëmbej rregullisht informacion me ta. Radioja ka bërë që për mua bota të jetë shumë më e gjerë, sesa e lejon horizonti i kufizuar i një qyteze të Saskaçevanit.

Ja, kjo ishte gjendja deri një ditë që s’do ta harroj kurrë, në janar të vitit 1966, kur isha njëmbëdhjetë vjeçe dha kapa krejt rastësisht një sinjal që vinte prej shumë larg. Po dëgjoja lajmet e Shërbimit ndërkombëtar të BBC-së në 1214 kHz, kur, krejt papritur, programi në anglisht u ndërpre dhe u zëvendësua nga një sinjal në një gjuhë që nuk e kuptoja ç’ishte: “Ju flet Tirana.”

U mahnita. BBC-ja për transmetime radiofonike është si kampioni botëror në peshën e rëndë, stacioni më i fuqishëm i botës. Natyrisht, janë edhe të tjera: Radio Moska, Deutche Velle, Radio France Internacional dhe Zëri i Amerikës. Por asnjë nuk krahasohet me BBC-në.

Ja pra, ku ishte, një vend i vogël në Europën Lindore, që vinte me një sinjal tepër të fuqishëm, i hynte në valë BBC-së dhe zëvendësonte “This is London” me “Ju flet Tirana”.

Radio Tirana po i hapte shumë telashe BBC-së, ndërkohë që unë u bëra ndjekëse e përkushtuar e emisioneve të saj. E dëgjoja rregullisht çdo ditë. Kishte programe në anglisht dhe unë nuk humbisja asnjë seri të programeve si: “Marksizëm-leninizmi - një doktrinë e pavdekshme shkencore” apo “Rinia dhe socializmi”. Ndihesha aq e lidhur me atë stacion, saqë më dukej sikur të gjitha programet e tij më drejtoheshin mua dhe ishin bërë për mua. Përmes Radio Tiranës u njoha me veprën e shokut Enver Hoxha, me Partinë e Punës së Shqipërisë dhe me luftën e tyre të pandërprerë për të mbrojtur fitoret e socializmit dhe marksizëm-leninizmin e vërtetë nga sulmet e revizionistëve sovjetikë, eurokomunistëve dhe të gjithë tradhtarëve dhe shërbëtorëve të imperializmit. Mësova se si klasa punëtore dhe fshatarësia kooperativiste shqiptare e ndërtonte socializmin duke u mbështetur te forcat e veta dhe duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën; u njoha me planet e tyre pesëvjeçare për ta kthyer Shqipërinë nga një vend i prapambetur bujqësor në një ekonomi të përparuar industrialo-bujqësore dhe fillova të ëndërroja se si një ditë ndoshta edhe ne do të arrinim të jetonim të njëjtën ëndërr socialiste këtu në provincat e prarive të Kanadasë.

Unë jam rritur me mësimet e shokut Enver Hoxha dhe ato të shokut Mao Ce Dun, dhe jam e bindur që Internacionalizmi proletar është e vetmja rrugë për të ardhmen e klasës punëtore dhe të gjithë punonjësve në mbarë globin. Jo vetëm kaq, por fillova të merrja edhe mësime në shqip.

- Ti di shqip? - e ndërpreu Gerstenbergeri me një pamje të mahnitur dhe me një ton që, për çudi, erdhi shumë më i butë nga ç’mund të pritej normalisht prej tij.

- T’ju them të drejtën, nuk jam shumë e sigurt se sa mund të flas, pasi nuk e kam praktikuar. Gjithçka e kam të mësuar nga programet e Radio Tiranës. Di të them që mund të lexoj fare mirë. Në fakt, po të dish anglisht dhe frëngjisht, veçanërisht frëngjisht, shqipja nuk është edhe aq e vështirë. Është gjuhë indoeuropiane dhe ka shumë fjalë që vijnë nga latinishtja ose direkt nga frëngjishtja. Shoku Enver Hoxha e flet frëngjishten rrjedhshëm. Është kënaqësi e veçantë ta dëgjosh atë nganjëherë kur flet drejtpërdrejt frëngjisht.

Nuk kishte pikë dyshimi: të tre intervistuesit ishin më se të kënaqur. Fransuaza mendoi se ky ishte çasti më i mirë për të paraqitur atë që ajo e quante evidencë epistolare. Gërmoi pak në çantën e madhe të lëkurës që mbante me vete, dhe nxori një tufë zarfesh të lidhura me një fije elastike. Ishte letërkëmbimi i saj me seksionin e jashtëm të Radio Tiranës, me dhjetëra letra të shkruara përgjatë disa viteve. Nëse deri atëherë në kokën e ndonjërit prej udhëheqësve të Partisë Komuniste (marksiste-leniniste) të Kanadasë kishte mbetur ndonjë fije dyshimi, tufa e letrave e fshiu atë njëherë e përgjithmonë. Intervista mbaroi. Fransuaza ishte bërë anëtare e Partisë.

©Arben Kallamata

Shënim: Nga 16 deri në 20 Nëntor romani “Un Mort” i Arben Kallamatës do të gjendet në stendën e Shtëpisë Botuese “Jozef” në Panairin e Librit 2022. Më pas atë do ta gjeni në libraritë Adrian dhe Albania në Tiranë dhe së shpejti në Toronto e Montréal.