Letërsi

Mbresa nga romani “Rrethimi” i autorit Tom Kuka alias Enkel Demi - Artan Gjyzel Hasani

Pabesi të virtytshme

Ky shënim nuk mëton të jetë një analizë letrare gjithëperfshirëse për romanin “Rrethimi”.

Jo vetëm pse libri sapo ka dalë në qarkullim dhe nuk u duhet shuajtur kureshtja më shumë se ç’duhet lexuesve që akoma nuk e kane shfletuar, por edhe sepse një ndërmarje e tillë analitike do të kërkonte ndoshta më shumë faqe sesa vetë romani në shqyrtim. Si në të gjithë rastet kur në shqyrtim merret insitucioni më i famshëm, por dhe më i dyshimtë i shqiptarëve, Besa.

Ndryshe nga romanet e mëparshëm të Tom Kukës, “Rrethimi” më futi në mëdyshje nëse ia vlente ta çoja leximin e tij deri në fund. Shumë emra dhe personazhe që në faqet e para të romanit, mbingarkesë e përshkrimeve me figuracion letrar ku spikasnin “si”-të krahasuese. Personazhet e shumtë më dukeshin si punëtorët që ndërtojnë skenën e madhe të një teatri ku do të ndodhë padyshim diçka e fuqishme, e bujshme, e pse jo, edhe madhështore. Por kisha arritur në faqen tridhjetë të atij romani dyqindfaqësh dhe akoma nuk po ndodhte asgjë. Personazhet vazhdonin të shtoheshin, disa prej tyre të famshëm, gjeneralë dhe pashallarë që nuk po arrinin dot të prodhonin asnjë ngjarje veç luftës, shrapnelave dhe gjyleve të topave, urisë, frikës, pasigurisë që ka pllakosur prej muajsh qytetin e rrethuar.

Por në një moment skena ka mbaruar së ndërtuari dhe nga faqja në faqe merr formë një trinom personazhesh, marrëdhënia sa epike, aq edhe groteske mes të cilëve do të kërkonte vërtet atë skenë, në dukje te mbingarkuar. Njëri kërkon të martohet në kohë lufte e tjetri, I Premtuari kërkon të gjejë gruan që i është premtuar nga besa kanunore, Dhe që të dy për të njëjtën vajzë. Njëri kërkon të thyejë një besë, tjetri ta mbajë, secili sipas mënyrës së vet. Dhe përsëri me të njëjtën vajzë.

Çdokush është i rrethuar në këtë roman. Jo vetëm qyteti nga armiku, por edhe banorët nga rrethanat e të përditshmes. Rrethuar nga skamja, uria, dëshirat, qëllimet, nderet dhe turpet, rrethuar nga dashuria dhe urrejtja, nga mburrja dhe krenaria, rrethim nga zgjuarsia dhe marrëzia, rrethuar nga njëri tjetri të gjallë e të vdekur. Ngjarja e vërtetë nuk është rrethimi, por rrethimet e vogla.

Luftë brenda luftës. Njerëz të rrethuar nga njëri tjetri brenda rrethimit prej armikut.

I Premtuari është i rrethuari i madh i romanit, që nuk do t’ia dijë për rrethimin prej armikut. I rrethuar nga armiku me i rrezikshem - vetja.

Ngjarjet zhvillohen në një qytet mburrja dhe mburoja e të cilit, Kështjella e Rozafës, sipas legjendës është ngritur mbi dy besëprerje dhe një besëmbajtje mes tre vëllezërve. Brenda kësaj kalaje dilemat e besës shkaktojnë ngërçe në dy gjokset e dy pashallarëve që komandojnë qytetin. Në rrugët e atij qyteti I premtuari kërkon mbajtjen e besës dhe fjalës që i është dhënë, ndërsa rivali i tij kërkon thyerjen e kësaj besë. Dhe për të njëjtën vajzë, Rozafën e Tom Kukës që ndryshe nga ajo e legjendës nuk dëshiron të jetë viktimë e sakrifikimit.

Edhe në roman kemi dy besëthyerje. Dorëzimi i qytetit dhe ikja e vajzës. Që të dyja këto thyerje bese kanë një emërues të përbashkët: janë të bëra në emër të dashurisë njerëzore. Njëra për të shpëtuar jetën e banoreve e tjetra për të shpëtuar zëmrën nga kafazi i paracaktuar.

Besa në roman mishërohet në figurën e Të Premtuarit. Besa dhe personazhi ndajnë të njejtin fat. Përfundojnë sakatë, të gjymtuar, me një këmbë, më një krah dhe me një sy.

Ndryshe nga pabesitë ndërvëllazërore të legjendës, pabesitë e këtij romani janë të virtytshme. Një demistifikim i institucionit të besës i bërë me guxim dhe elegancë nga autori.

Dialogjet janë shumë funksionalë dhe krijojnë kontekstin real kohor të ngjarjeve. Jo vetëm në funksion dëgjimor të një shkodranishteje të përzgjedhur bukur nga autori gjatë gjithë romanit, por edhe në atë pamor: Dialogjet janë të mënçur, por fragmentarë, shpesh si të koduar, dhe gjuha e romanit duket sikur nuk rrjedh, gjë që më kujton sekuenca të vjetra filmike të ndërprera pa zë, bruto, të paedituara, duke i dhënë në këtë mënyrë romanit një vlerë të re dhe akoma më shumë kontekst kohor për lexuesit dhe për shkruesin e këtyre radhëve që pasi mbaroi së lexuari “Rrethimi”-n u ul dhe shkruajti “Bravo, Tom Kuka, ke shkruar një film vërtet të bukur!”

©Artan Gjyzel Hasani