Letërsi

Tolstoi dhe Sfinksi Dashuri - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Toronto

Dante Aligierit i doli   përpara pantera lara-lara dhe i preu rrugën. Edipit më të lashtë se Danteja, i doli përpara Sfinksi i Tebës, i cili i bëri atij pyetjen enigmë mbi njeriun. Leon Tolstoit, më të ri se Danteja edhe se Edipi, iu shfaq në rrugën e krijimtarisë Sfinksi Kupidon, perëndia antike e dashurisë dhe i bëri tri pyetje.  Shkrimtari gjenial, në tre romanet: "Lufta dhe Paqja", "Ana Karenina", "Ringjallja"’ iu   përgjigj me gojën e Natasha Rostovës, Ana Kareninës dhe të Katjusha Masllovës.

Pyetja e pare ishte e thjeshtë dhe e lashtë sa është edhe vetë njeriu: Ç'është Dashuria?

Ndjenja e dashurisë lind bashkë me njeriun, ashtu si të gjitha ndjenjat e tjera, që përbëjnë botën ndijore dhe shpirtërore të tij, ajo është projektuar nga Krijuesi në çdo qenie njerëzore, ajo mund të zhvillohet apo mund të mpihet dhe të thahet, mund të ripërtërihet dhe të marrë përsipër mbi ndjenjat e tjera sipas çastit dhe kushteve.

Natasha Rostova, ende fëmijë dymbëdhjetëvjeçare, ndien një tërheqje, një simpati instinktive ndaj tre meshkujve të moshave dhe të profesioneve të ndryshme: djaloshit Boris Trubeckoi, mësuesit francez të muzikës, zotit Dyportje, kontit Pjer Bezuhov. Këtë ndjenjë ajo e heton në qenien e saj, por nuk di ta shpjegojë; ajo e quan dashuri, siç e quajnë të mëdhenjtë.

Natashës, në fillim, kjo ndjenjë i duket si lodër, ashtu si ndjenja e saj e "nënës" për kukullat. Dhe ja, me kukullën atje pranë, ajo e përqafon Borisin me krahët e saj të imët (kështu kish parë që të bënte edhe Sonja me Nikollain) duke hipur mbi kadushkën e luleve, e puth në buzë dhe kërkon prej tij që ta dojë gjer në vdekje. Kur Borisi shkon në front, ajo ka turp t'i shkruajë letër. Pas katër vjetësh, pasi takohet përsëri me të, ajo përpiqet që ta quajë kalamallëk atë puthjen e dikurshme të harruar, por në shpirt e mundon pyetja: a kishte qenë ajo një shaka, apo një veprim serioz që i lidhte ata të dy? Kur i vëllai, duke e ngacmuar, e pyet: "A e ke tradhtuar Borisin?", ajo nuk e kupton se ç'është tradhtia ndaj një mashkulli dhe i tregon të vëllait shenjën e një djegieje në llërën e saj e bërë me vizoren e hekurt të skuqur në zjarr, për t'i dëshmuar Sonjës besnikërinë e saj si shoqe dhe e pyet Nikollain: "A e ke parë Dyportjenë? Unë nuk martohem me asnjeri, unë do të bëhem valltare..."Dashuria për të nuk është më lojë me kukulla, ajo barazohet me pasionin e saj për të vallëzuar. Natasha akoma nuk di t'i përgjigjet sfinksit.

Dhe ja, i vëllai sjell në shtëpi shokun e tij të armës, kalorësin Vasil Denisov. Natasha e pyet të vëllanë: "a është i frikshëm?... Ti atë e quan Vaskë. Çudi. A është shumë i mirë?”. Ajo ndien një diçka të çuditshme ndaj Denisovit dhe kjo ndjenjë i lind nga simpatia për të edhe për arsye se Denisovi entusiazmohet nga zëri i saj. Ajo këndon përpara tij dhe këndon për herë të parë, jo me zë fëmije, pa e kuptuar as vetë.  Por, kur ky, i dashuruar, i bën propozimin, ajo rend e trembur, struket pas gjoksit të së ëmës dhe e pyet këtë se çfarë të bëjë, si të dalë nga kjo situatë. Ajo ndien një keqardhje për Denisovin, që u bë qesharak me këtë propozim. Dashuria nuk qenka   keqardhje për tjetrin! Por ç'qenka atëhere?

Dhe ja, vjen balloja e parë e madhe në jetën e Natashas. Ajo është e lumtur se do të vallëzojë me tërë ata të rinj që i pëlqejnë; të gjithë njerëzit e tërheqin atë. E midis tyre, i afrohet Andrea Bollkonski, (dhëndri më i mirë i Rusisë), ai e fton në vallëzim dhe ajo këndon para tij dhe përpara njerëzve. Pas këngës ajo, instinktivisht shkon dhe e pyet Andrean, se a i pëlqeu kënga që ajo këndoi. Dhe, papritur edhe pa e kuptuar, ndien një tronditje dhe trembet nga ky afrim. Ajo mediton: "...isha e dashuruar me Borisin, me mësuesin e muzikës, me Denisovin, por kjo është diçka tjetër. Jam e qetë, e sigurt, jam kaq mirë tani. Aspak si më parë". Kurse në mbrëmje, e shtrirë në krevat përbri së ëmës, i thotë e habitur dhe e trembur nga ndjenja e re që po provon: "Kjo gjë, kjo gjë...me mua nuk kishte ndodhur kurrë!..."

Dashuria, sikurse thotë Tolstoi, është një e fshehtë kaq e madhe, kaq kërcënuese dhe e gëzuar që e trondit shpirtin me një gëzim të tmerrshëm.

Por Sfinksi qesh nën buzë...

A mjafton që të japë fjalën dhe të lidhë fejesën me Andrean, qoftë dhe me kushtin që të pritet një vit, si provë, për ta shpallur botërisht?

Dhe ja, e fejuara e pashpallur akoma, takon bukuroshin Anatoli Kuragin, që i rrëmben zemrën. Ai bëhet për Natashën "sundimtari i saj dhe ajo e ndien veten skllave të tij". Ajo nuk e përcakton dot se cilat janë arsyete kësaj gjëje, por ajo është e sigurt që nuk mund të rrojë dot pa të.

Sfinski nënqesh hidhur. Në ethet e kësaj farë kllapie ndjenjash u fshehkërka zjarri i dashurisë?! Ky poshtërim dhe nënshtrim ndaj ndjenjës së vërtetë qenkërka shprehja e dashurisë?!

Por Tolstoi sikur i thotë: -Prit!Mos u nxito! Natasha nuk e ka dhënë akoma përgjigjen. Ajo, vërtet, i shkroi letër së motrës së Andreas, Maria Bollkonskës, se nuk mund të bëhet gruaja e Andreas. Ajo e ndien thellë se pastërtia e ndjenjave të saj ndaj Andreas u njollos, u ndot, vdiq. Natasha tenton të arratiset me Kuraginin, ose, më saktë, ky tenton ta rrëmbejë. Pas kësaj aventure të dështuar, Natasha pi helmin, sëmuret seriozisht, i neveriten burrat dhe mbyllet brenda shtëpisë.

Sfinski Kupidon është fare i pamëshirshëm! Edhe më i pamëshirshëm është ai me Katjusha Masllovën, me bashkëmoshataren e Natasha Rostovës. Edhe Katjusha dashurohet, duke luajtur dhe duke rendur me Dimitri Nekludovin, aristokratin e ri, të pashëm e të dashur, të padjallëzuar, por mbetet shtatzënë, zbohet nga çifligu, ku kjo vajzë jetime dhe ilegale mbahej si shërbëtore; braktiset nga Nekludovi; i vdes fëmija, që lind dhe përfundon në shtëpinë publike; bëhët, vrasëse, dënohet e internohet në Siberi.

Kështu e paska Kupidoni, si sfinksi i pamëshirshëm i Tebës.

Po të mos i përgjigjesh pyetjes së tij, ai të shqyen!

Katjusha nuk e kujton më asnjëherë dashurinë me Nekludovin, nuk do që ta kujtojë, sepse e parandien që do të vuajë.

Limontia e Natasha Rostovës dhe kjo vuajtje e Katjusha Masllovës, mos, vallë, janë vetë dashuria e gjymtuar dhe e njollosur? A mos, vallë,dashuria  ushqehet më shumë nga dhimbja se sa nga vetë gëzimi?

Sfinksi qesh nën buzë me ironi: Përgjigja përsëri s’është e plotë!

Dhe ja, qëllon që Andrea Bollkonski plagoset për vdekje në betejë dhe qëllon që trupi i tij gjysmë i vdekur udhëton në karrocë bashkë me karvanin me të cilin shtegton edhe Natasha. Ajo fajtore dhe e penduar, nuk i largohet nga koka. Dhe, në këto çaste tragjike, dëgjon monologun e Andreas, që po vdes dhe ndien në shpirt thellësinë e dashurisë së tij për të. Natasha tani mundet t'i përgjigjet pyetjes së Sfinksit...

E njëjta gjë ndodh, pothuaj, dhe me Katjusha Masllovën. Në internimin e largët ajo zbulon se këtë njeri (Nekludovin), që dikur u tregua kaq mizorisht indiferent ndaj fatit të saj, që dikur, në atë natën e Pashkës, atë natën tronditëse, e çmoi me një kartmonedhë njëqindrubëlshe dashurinë e tyre dhe që tani, pas gjyqit që e dënoi Katjushan me internim, po e ndjek i penduar hap pas hapi duke i kërkuar të falur dhe duke i propozuar të martohen. Këtë njeri ajo vazhdon ta dashurojë! Aq shumë e dashuron, sa që propozimit të tij për martesë i përgjigjet negativisht, sepse mendon se, po të lidhet me Nekludovin, do t'ia prishë jetën. Prandaj ajo, duke vuajtur, i përgjigjet me fjalën "kurrë" propozimit të tij. Natasha e ka vendosur. Ajo shkon me shokun e internimit.

Të dyja. Natasha dhe Katjusha, i përgjigjen pyetjes së Sfinksit se ç'është për ato dashuria, me një gojë:

-Nuk mjafton të dashurosh vetëm ti; apo që ty të të dashurojë dikush, por duhet që të piqen të dyja dashuritë, ashtu siç piqen dy re të ngarkuara me elektricitet në mes të qiellit dhe buçet dhe ndrit dheu edhe qielli bashkë. Por, që të piqen ato, nuk është lehtë, është një shtegtim i vështirë dhe i mundimshëm, është një kalvar i vërtetë dhimbjeje dhe lumturie, është edhe një Golgothë edhe një Parajsë.

Duket sikur përgjigja, që kërkon Sfinksi, u shterr.

Shprehja e fytyrës së Sfinksit Kupidon, si ajo e fytyrës së Sfinksit Keops, vështirë të kuptohet. Ai shtron një pyetje të re.

-Natasha e kupton se e ka dashur Andrean më shumë se këdo tjetër. Ajo është sa e lumtur, po aq edhe fatkeqe dhe dëshiron vetëm një gjë, të jetojë Andrea i plagosur për vdekje. Ai vdes e ajo martohet me Pjerr Bezuhovin, shokun e mikun e Andreas. Katjusha e kupton në internim se më kot e ka larguar Nekludovin nga mendja, ajo nuk e ka harruar dot atë, ajo vazhdon ta dojë atë, por martohet me bashkëvuajtësin e internimit, Simonsonin. Ç'dashuri na qenka kjo, kur ti, sa e zbulon, e braktis, e harron, e kyç diku në thellësi të zemrës sate dhe jepesh pas një dashurie të re? Sa dashuri mbajtkërka zemra?

Kjo ishte edhe pyetja e dytë e Sfinksit për dashurinë.

Këtë radhë qesh nën buzë vetë i madhi Tolsto:

-Dashuria është një ndjenjë dhe ajo, si çdo ndjenjë, është abstrakte. Natasha, nëpërmjet jetës së saj të re njëzetvjeçare, ka arritur në një përfundim të vetin se ç’është   dashuria, ç'kuptim, ç'qëllim dhe ç’ngjyrë ka për të ajo; ka zbuluar polin tërheqës të jetës së saj, yllin udhërrëfyes. Pjerr Bezuhovi ishte ndër të parët burra për të cilin ajo kishte ndier tërheqje (edhe përpara Andreas) që kur ishte dymbëdhjetëvjeçare. Po të mos kishte qenë Pjerri i martuar dhe, po të mos kishte qëlluar Andrea i ve atëhere; po t'i ishte afruar i pari Pjerri, po të mos kishte vdekur Andrea, do të ndodhte ndryshe.

Kjo është jeta, me plot "po" të këtilla dhe rastësi të papritura, që i di vetëm një Zot. Por ndjenja e dashurisë së Natashës, si përmbajtje, si domethënie, si përmasë është një dhe një e vetme. Edhe Pjerri edhe Andrea kanë përmasa, gati të njëllojta, për botën shpirtërore e për atë intelektuale, ata e konceptojnë njëlloj jetën. Natashës, duke u martuar me Pjerrin, nuk i duhet ta modifikojë trajtën dhe kuptimin, përmbajtjen e ndjenjës, e universit të saj të dashurisë. Kurse Katjusha Masllova, fatkeqe deri në skaj në dashurinë e vet, në kushte të tjera nga Natasha, ajo ka një univers më tragjik të dashurisë edhe shumë më pak të lumtur, për të mos thënë aspak.

"Sa zemra, aq dashuri", thotë fjala popullore ruse. Dashuria e saj ka provuar sakrifica dhe poshtërime tronditëse, përçudnuese; goditjet e jetës kanë lënë në zemrën e saj bllana të llahtarshme; botëkuptimi i saj për jetën ka pësuar shndërrime dhe lëvizje të thella, duke sunduar në shpirtin e saj herë sinqeriteti, herë epshi dhe së fundi, ndjenja kristiane sublime e vetësakrifikimit dhe përdëllimit. Por, në të njëjtën kohë, dashuria e saj për Nekludovin ka mbetur e gjallë si një kujtim dhe realitet i shenjtë. Katjusha e hedh poshtë propozimin tejet të vonuar të Nekludovit për t'u martuar me të dhe bashkëjeton me Simonsonin, të cilin e ka njohur në internim, megjithëse ky i fundit është krejt i kundërt në botëkuptim dhe karakter me Nekludovin. Ajo thotë: "E dashuroj apo s'e dashuroj (Simonsonin), kjo s'ka rëndësi... S'ke ç'i bën, siç duket, kështu qe e thënë...". Zemra e saj përdëlluese e hedh poshtë propozimin e Nekludovit, sepse nuk do ta bëjë që të mundohet pas saj. Katjusha, pra, ka në shpirt vetëm një dashuri, dashurinë e përvuajtshme për Nekludovin.

Kështu mbaron sqarimi i Tolstoit dhe përgjigja për pyetjen.

Por Sfinksi Dashuri, dinak dhe provokues, bën pyetjen e tij të tretë. Edhe këtë në formën e një deduksioni.

-Dashuria na qenka si krimbi i mëndafshit, që end dhe formon si të dojë kukulen e vet dhe na u mbyllka atje, pa pyetur fare për botën përreth saj, si një mbretëreshë dhe si një skllave e kësaj kulle ngujimi dhe këtij froni të bardhë!

Tolstoi e ka kuptuar fare mirë thelbin e kërshërisë së Sfinksit.

Tolstoi e ka fare të lehtë që t'i përgjigjet. Ai e ka shkruar me kohë romanin tjetër me këtë temë, "Ana Karenina".

Ana Karenina, një grua e re, elegante dhe e bukur është   martuar pa dashuri me Aleksej Karenin të zgjuar, të ditur, të suksesshëm në karrierën zyrtare, pedant dhe ironik, "një makinë ministrie" që nuk kupton e nuk ndien ç'është dashuria.

Zemrën e Anas e rrëmben oficeri i ri, Aleksej Vronski, i zgjuar, fisnik, i pasur dhe i pashëm. Kështu fillon flirti midis tyre, që shpie, pas një tensioni të rëndë familjar, në ikjen e Anës nga shtëpia e të shoqit, bashkë me vajzën e porsalindur me Vronskin, duke e lënë djalin e saj, Seriozhën, me të atin, Karenin. Por ditët e lumturisë vijnë dhe ftohen nga çasti në çast. Midis tyre hyn mëria, xhelozia, një betejë e vërtetë nervash, që e ka burimin e saj në motive personale dhe në ato shoqërore.

Ana e dëshiron ndarjen nga Karenini pa asnjë mëdyshje, por i trembet ndarjes, sepse kjo mund ta bëjë që të humbasë birin e saj të dashur. E, megjithatë, ajo e bën këtë hap e shtyrë nga dashuria e saj pasionante për të riun Vronski, dashuri e cila e zhvendos dashurinë e saj prindërore për të birin. Edhe vetë Ana habitet për këtë: "Edhe unë e pandehja se e doja dhe mallëngjehesha nga dashuria e tij (djalit). Por ja që jetova   pa të, e këmbeva atë me një dashuri tjetër dhe nuk më erdhi keq për këtë këmbim që bëra, përderisa isha e kënaqur nga ajo dashuri”.

Duke zhbiruar në labirintin tragjik të ndërgjegjes së saj të plagosur, Ana heton edhe një mendim tjetër, po aq befasues dhe sfidues për të: "Unë mund t'i jap çdo gjë (Vronskit), por nuk mund të sakrifikoj lirinë time". Ana e ndien veten dashnore, por jo të dashuruar. Ajo mbetet krejt e vetme në botë, e mbyllur në mëshikëzën e dashurisë së saj pasionante.

Në këtë vetmi tragjike të Anës ka rolin e vet edhe rrethi shoqëror, që e sfidon që në hapat e saj të para të dashurisë këtë grua që shkon drejt një dashurie të sinqertë, thirrjes së parë të dashurisë në jetën e saj, duke shkelur kurorën dhe duke shkelmuar normat e etikës fallco bashkëshortore; ky mjedis i   mbyll   asaj dyert e komunikimit, e ofendon publikisht dhe e mbështjell me mjegullën e hidhur të përbuzjes. Dhe Ana e tronditur tragjikisht vendos që të vrasë veten.

Edhe Natasha, pas aventurës me Kuraginin, tentoi ta helmojë veten, por, me të pirë helmin, e tronditur ajo filloi që të qajë dhe të kërkojë ndihmë që ta shpëtojnë.

Katjusha, në atë natë vjeshte të errët, në platformën e stacionit të trenit e ndien se ajo është e braktisur nga Nekludovi dhe mendon: "Do të vijë treni, nën vagon... dhe merr fund... ".  Por, për një çast, ndien se si po i lëviz foshnja në barkun e saj dhe ideja e vetëvrasjes, së bashku me ndjenjën e ligësisë e të hakmarrjes ndaj Nekludovit, i largohet.

Natasha me Katjushën shpëtuan nga vdekja sepse ato nuk i shkëputën lidhjet me jetën, nuk u mbyllën në fshikëzën e vetmisë. Kurse Ana, që tashmë e ka humbur emrin e saj të mirë, humbi familjen, u nda nga biri i dashur, i është tronditur dashuria për Vronskin, i ka këputur lidhjet më të holla dhe më delikate me jetën, e ka mbyllur përfundimisht kukulen e saj, arrin në përfundimin fatal: "jeta më shqetëson më shumë, arsyeja më thotë se duhet ta flak tej, pse të mos e shuash qiririn kur nuk ke se çfarë të shohësh më..."

Dhe ja, Ana fatkeqe hidhet në rrotat e trenit!

Ana vret veten. Katjusha martohet me një burrë të cilin nuk e di se e do apo s'e do. Natasha martohet me Pjerr Bezuhovin, që e dashuron dhe  mbyllet brenda mureve të familjes, duke iu gëzuar shtytkave të bebes. Ku është lumturia dashurisë?! Sfidon triumfues e i pamëshirshëm Sfinksi i Dashurisë.

Tolstoi, me qetësinë e tij filozofike, i përgjigjet:

-Dashuria është një nga ndjenjat më të qenësishme njerëzore, më personalja dhe më e vështira për t'u realizuar. Në qoftë se ndjenja e vdekjes është një ndjenjë sa e frikshme po aq e realizueshme me dëshirën apo pa dëshirën e çdo vdekatari, ndjenja e dashurisë, në kuptimin filozofik të saj, është më delikatja, më pak e realizueshmja edhe më kryeneçja, por më jetësorja. Platoni thotë në veprën e tij "Gostia" se dashuria (qoftë ajo platonike apo edhe ajo jo platonike) sherbejnë si një gur prove për njerëzit.

Ana Karenina nuk pati forcë karakteri për ta përballuar sfidën e dashurisë, asaj iu desh të vriste ndjenjën e dashurisë prej nëne dhe të pohonte ndjenjën e dashurisë së saj prej femre, pra, ajo nuk mundi t'i harmonizojë dot këto dy dashuri.

Tek Natasha Rostova ndodh një diçka tjetër. Pas martesës me Pjerin dhe, pasi bëhet nënë, ajo gjymton diçka në ndjenjën e saj të dashurisë për burrin, e do atë, por veçohet, largohet nga bota mendore dhe filozofike e tij. Ajo i kushtohet, kryesisht, dashurisë prej nëne dhe në këtë harmoni të familjes së saj ajo e gjen lumturinë paqësore të dashurisë së vet.

Kurse Katjusha Masllova, më e traumatizuara nga jeta, arrin në kuptimin kristian të lumturisë, si njeri edhe si femër. Ajo e mbyll përsëri në zemrën e vet ndjenjën e dashurisë femërore, ashtu siç e mbyll dhe e vulos bleta në hojet e saj krimbin që e rrezikon ta dëmtojë kosheren, ajo gjen lumturi në vetësakrifikimin e dashurisë, për të ruajtur të ardhmen e Nekludovit, që vazhdon ta dashurojë akoma, lidhet pas Simonsonit, pas ëndrrës së tij për lumturi tërënjerëzore.

Sfinksit cinik tashmë i duket se ai triumfoi përfundimisht.

-Ana e sfidon dashurinë me vdekjen e vet. Natasha e gjen kënaqësinë e vet në harmonizimin, sipas saj, të dashurisë për burrin me dashurinë familjare prindërore. Katjusha e gjen lumturinë në vetësakrifikimin në emër të dashurisë dhe luan rolin e së lumturës. Asnjëra s'paska gjetur dashurinë e vërtetë!

Tolstoi i përgjigjet i zemëruar, por i përmbajtur:

-Dashuri absolute nuk ka! Njeriu është në kërkim të kësaj dashurie ideale njerëzore. Realizimi i kësaj dashurie është një ëndërr tejet e vështirë për t'u arritur mbi tokë. Kjo ka të bëjë me krenarinë e njeriut, me të   drejtën e tij të patjetërsueshme për ta  afirmuar vetveten, natyrën e tij të papërsëritshme dhe të shenjtë, gjënë më të çmuar që ka gjinia njerëzore, për të qenë i lumtur plotësisht, pa cënuar aspak  vetveten dhe pa i sjellë asnjë të keqe tjetrit, pa e cënuar lumturinë e të tjerëve. Dashuria ideale mbetet një ëndërr tokësore!

Duke përsiatur rreth kësaj ëndrre, i madhi Leon Tolstoi shkroi edhe këto tre romane: "Lufta dhe Paqja", "Ana Karenina" dhe "Ringjallja".

©Vangjush Ziko