Letërsi

In Memoriam për Faslli Halitin - Nga Roland Gjoza

 

Roland Gjoza

Në 5 dhjetor 2020 u shua poeti Faslli Haliti. Për të Moikom Zeqo është shprehur; “I paimitueshmi dhe i pangjashmi”. Poetët si Faslliu do të kujtohen gjithmonë. Sa herë harresa të bjerë si natë mbi poezinë, atë do ta gabojë agimi. Kështu do të ndodhë dhe me poetin. Kur të na duket se e harruam, dikush patjetër do të kujtohet për të. Dhe ky do te jete lexuesi i dashuruar me poezinë e mirë.

Sa herë stigma shfarosëse është lëshuar mbi letërsinë, dikush e ka mbrojtur atë. Perandori kinez Qin Shi Huan që filloi ndërtimin e Murit të Madh, në vitin 213 para lindjes së Krishtit dha urdhër të digjeshin të gjithë librat, ato të historisë, të antikitetit, duke përfshirë dhe poezinë, sepse i quante gjëra të kota. Dhe kushdo që nuk i bindej urdhrit do të vritej. Çmendurisë së tij nuk iu përgjigjën të gjithë; megjithë trysninë e tmerrshme, terrorin, ndëshkimin, pati shumë nga ata që e fshehën librin, e ruajtën.

Harresa është si perandori Qin, por nuk do t’ia dalë me poezinë, veçanërisht me poezinë e mirë, siç është ajo e Faslli Halitit. Sot është koha më e vështirë për poezinë, veçanërisht për të, ajo nuk blihet, ajo nuk lexohet, libraritë nuk e pranojnë, botuesit sakrifikojnë shumë, sepse nuk fitojnë asgjë. Dhe për të njerëzit më të ditur të botës thonë se është mbretëresha e artit. Paradoksale? Ashtu duket! Përmenden Homeri, Shekspiri, Dante, që iu përkasin të gjithë kohërave, por në të vërtetë është koha e bankave; euros dhe dollarit. Mos jemi gjithashtu në kohën e perandorit Qin? S’dua ta besoj, përderisa shkruhen poezi të tilla si Dora dhe Të bëhet, tha Zoti.

 

DORA

Dora hapet,

Mbyllet.

Dora

Kap,

Lëshon,

Jep dhe merr,

Vë dhe heq pranga,

Lidh dhe zgjidh zinxhirë,

Vë dhe heq litarin,

Godet dhe përkëdhel,

Ngul dhe shkul,

Ngre dhe shemb;

Mbjell dhe korr,

Hap e mbyll dyer.

Dora lan

Dora lyen;

Dora lan dorën,

E majta lan të djathtën,

E djathta të majtën,

Të dyja lajnë njera-tjetrën;

Dora

Është flori,

Dora është topuz;

Ndan dhe bashkon

Dora, pykë,

Ndan dhe çan.

Dora pajton,

Dora bëhet grusht,

Bëhet pëllëmbë, qëllon,

Të lë pesë gishta në faqe

Dora përkëdhel;

Dor flet me gishta,

Flet pa gramatikë,

Pa sintaksë,

Pa morfologji,

Pa gabime ortografike, ortoepike,

Dora bën dhe çbën çdo gjë.

Dora

Autore e çdo vepre,

Autore e çdo ndërtimi,

Autore e çdo konstruksioni,

Autore e çdo shembjeje, shkatërrimi,

Dora firmos lindjet dhe vdekjet,

Dora

Fut dhe nxjerr,

Mbërthen e zbërthen,

Ndez dhe shuan;

Gris

Dhe arnon,

Ngjit

Dhe shqit,

Qep dhe shqep,

Zbardh dhe nxin.

Njeriu s’bën dot pa duar.

Vetëm Zoti bën dhe çbën.

 

TË BËHET, THA ZOTI

Dhe u bë.

U bë dita, nata

Qielli, dielli, hëna,

Yjet.

U bë toka dhe ujërat,

U bënë erërat, breshëri, vetëtima, rrufeja…

U bënë kafshët, shpendët,

Hidrikët, reptilët, mikroorganizmat, viruset.

Edhe çudibërësi i përrallës i thotë mbretit si një zot virtual:

Unë e shëroj djalin tënd madhëri.

Nëse më gjendet një kostum

Që të mos jetë prerë me gërshërë,

Të mos jetë qepur

Me gjilpërë,

Të mos ketë asnjë pullë.