Fjalë për shkrimtaren Shpresa Vreto - Nga Vangjush Saro
Vangjush Saro - Vancouver
Ka kohë që nuk është mes nesh shkrimtarja dhe skenaristja Shpresa Vreto, një grua fisnike, një intelektuale nga të rrallat, një “institucion” i promovimit të krijuesve, veças më të rinjve. Natyrisht, ky aktivitet, si dhe librat dhe skenaret e saj janë tashmë pjesë e përvojës dhe pasurisë kulturore të vendit. Por ajo u nderua aq pak…
Vepra e Shpresa Vretos ishte e thjeshtë, e ndjerë, gjithnjë pranë së vërtetës; nuk i munguan asnjëherë gjetjet interesante. Nga tregimi te vizatimori apo skenari për film artistik, përkthimet e botimet, Vreto tregoi shumë pasion e ndjeshmëri për letrat dhe për filmin, për kolegët dhe në veçanti për fëmijët.
Në krijimtari, ajo ishte sociale dhe njerëzore: Skenari i filmit “Fillim i vështirë” (regjisor Albert Xholi) mbështetur në romanin e saj “Një vit i paharruar”, na tregon deri diku për këtë vështrim jashtë kufijve të vendosur nga koha. Po ai impenjim qytetar e social i shkrimtares edhe në filmat “Kur xhirohej një film” dhe më pas te “Një vajzë dhe një djalë” (bashkëpunim).
Shpresa realizoi anëtarësimin e vendit në një organizatë botërore shumë të rëndësishme si IBBY (Bordi Ndërkombëtar i Librit për Fëmijë e të Rinj); krijoi një bibliotekë që frekuentohej mirë nga fëmijë e prindër (diku pranë Politeknikumit); themeloi revistat e suksesshme “Sirena e vogël” dhe “Bota ime”.
Shpresa Vreto ishte një mecenat për autorët dhe letrat shqip. Në axhendën e saj, pat gjithnjë përparësi mbrojtja dhe promovimi i krijuesve; (bashkë me Tatjana Nurin, emër gjithaq i nderuar i bibliotekës dhe ballafaqimit letrar me fëmijët, organizuan për ne disa veprimtari në kohën kur Qendra Kombëtare e Fëmijëve - kam shkruar disa herë në këtë temë të dhimbshme - ishte në majë të kuvlisë së Piramidës, se tani s’e di ku është…)
Shpresa Vreto krijoi në të dy kohët, në të dy rendet; por pa u trazuar shumë në përqafimin e prirjeve ideologjike. Ndërkaq, kam përshtypjen se ne vazhdojmë të jemi hileqarë në vlerësimin e figurave të kulturës; (por jo vetëm për ato). Shumëkush në atë vend mbetet me vështrimin vetëm tek ylli i vet i shuar apo ashtu njëfarësoj… (Ka asish, mes këtyre “yllkave”, që Shpresa i ka ndihmuar me gjithçka dhe në këtë pikë nuk po zgjatem, se e di që do të hidhen përpjetë.) Por ja, kështu janë punët; ka ardhur një kohë që vendi, kombi, kultura, nuk kanë një institucion të vërtetë të kujtesës.
I jam mirënjohës asaj. (Jo thjesht për ndonjë aktivitet për krijimtarinë time apo për shënimet letrare, ku do veçoja atë për “Një ditë pa mamin” e “Polic Këmbëvogli”, ku ajo vinte në dukje, si një veçori, frymën aventurore, çka do theksohej më pas edhe nga të tjerë; sa qëmtuese ajo kolege!) Para së gjithash, i jam mirënjohës sepse në kohëra të vështira, në vitet e para të Tranzicionit, ndihmoi një sërë autorë, u dha dorën atyre, mbajti gjallë frymën e diskutimit letrar dhe të bibliotekës, e lidhi letërsinë tonë me botën…
Mirëpo, kjo është jeta në këtë shoqëri me probleme, ku hë për hë nderohet tallavaja, për shkak se niveli institucional është gjithashtu tallava. Kjo ishte jeta e një krijueseje të pafat, që anipse me një dramë të madhe familjare, i dhuroi shoqërisë shqiptare më të mirën e vet: filmat, librat, mbështetjen për kolegët dhe një shembull nga ata që jo gjithkush mund t’i realizojë.
Mbase tallavaja nuk do të zgjasë pa fund dhe dikur do të bien këmbanat e vërteta për të vërtetat e jetës dhe të krijimit edhe në atë vend.
©Vangjush Saro











