Letërsi

Publikohet vëllimi poetik “Idioticus” nga Artan Gjyzel Hasani

Doli në qarkullim vëllimi “Idioticus” i autorit të mirënjohur shqiptaro-kanadez Artan Gjyzel Hasani, publikuar si zakonisht nga Botimet M&B.

Sërish talenti i madh, orgjinaliteti, stili dhe guximi i tij letrar, unikal në llojin e vet, do t’i befasojnë lexuesit e pasionuar pas magjisë të poezisë së mirëfilltë, e sigurisht do t’u dhurojnë atyre shumë kënaqësi estetike.

Arti poetik i Artan Gjyzel Hasanit të nxit të reflektosh (sigurisht ata që mendojnë më mendjen e tyre) mbi sfidat e sotme me të cilat përballet njeriu si individ dhe shoqëria njerëzore njëkohësisht, të nxit të njohësh e të kuptosh më mirë veten.

Vetë titulli i librit dëshmon për një përsiatje të thelle jo vetëm poetike, por edhe psikosociale në realitetet e epokës ku jetojmë. Një epokë e mbarsur më shumë me absurditete kolektive sesa me çmendurinë individuale.

Ka pasur një kohë kur shoqërinë njerëzore e çonin përpara të mënçurit e në ndonjë rast edhe sivëllezërit e tyre të çmendur. Por kjo kohë nuk është më. Ka ikur pa kthim. Sot botës ia japin drejtimin të djallëzuarit me ndihmën masive të njerëzve-dele dhe dritëshkurtër.

Një pjesë e mirë e poezive të këtij vëllimi poetik trajtojnë pikërisht dilemat e sotme sociale ku anormaliteti përbën Normalitetin e Ri. Por ky libër, si edhe të mëparshmit të autorit, trajton edhe temën e preferuar të tij: njohjen dhe pranimin pa mëshirë të vetes në rrugëtimin për te tjetri. Dashuria, për poetin, mbetet e vetmja forcë para së cilës herët a vonë do të përkulet edhe Vesi.

©Flasshqip.ca

 

Homo Idioticus

fluturojnë në ajër edhe gomerët më në fund

me maska në fytyrë që të mos infektohet Marsi

kam lënë tymosjen që të shpëtoj planetin

një cigare e imja ndezur në Afrikë

shkrin ajsbergun tënd në Arktik

ujërat përmbytin trutë bashkë me qytetin

pikërisht kur ti je duke u martuar me një ndërtesë

natyrisht pasi je divorcuar nga një pemë

që të tradhëtonte me një burrë

që deri në orën 12 të mesditës është grua

janë shtuar shumë ata që hedhin gurin në lumë

aq shumë sa nuk ka kush ta kërkojë më

në këtë botë ku nuk humbet asgjë veç mendjes

dhe mendja e humbur është uterusi ku ngjizen idiotët

dema të lumtur pasqyruar kokëposhtë

në sytë melankolikë të lopës së jetës…

Homo Idioticus ndryshe nga vëllai i tij Sapiens

për një grusht para nuk i shet Djallit vetëm shpirtin

por edhe mendjen…

Homo Idioticus është çfarë ai thotë që është

dhe këtë ti duhet ta pranosh pa kushte

e për të ti je çka ai vendos sipas rastit të të quajë

mizogjin, homofob, racist, fashist, armik i njerëzisë

ka mikrofonin në dorë, altoparlantin, kërbaçin dhe pushtetin

me peshoren sakate të drejtësisë jep verdikte

ku inteligjenca jote shpallet kriminale, e jashtëligjshme

e dëmshme për fëmijët e 50 hijeve të Gjinisë…

rri në shtëpi dhe ne ekran më shfaqet veç fytyrë e tij

me nofulla katrore dhe pa tipare

Homo Idioticus par exellence

shtyp butonin, ndërroj kanalin

por s’kam ku ta çoj, kudo shfaqet ai

e mbyll dhe marr udhën për në dyqanin e armëve

tjetër zgjidhje s’ka

duhet blerë një pistoletë patjetër

në mos për ata

për veten…

©Artan Gyzel Hasani