Migjeni, një fenomen i pashpjegueshëm - Nga Sulejman Mato
Sulejman Mato
Milloshi, poeti i madh dhe mendimari e madh qysh në vitet tridhjetë modernizoi letërsinë shqipe. Me jetën e tij të shkurtër Migjeni i dha asaj jetëgjatësinë. Do mjaftonin këto gjashtë dekada që unë të kuptoja se poezitë dhe prozat e shkurtra migjeniane, emancipuan lexuesin shqiptar dhe modernizuan letërsinë shqipe.
Lindi në 11 tetor 1911. Kur ishte pesë vjeç i vdes nëna, Sofia Kokoshi. Në moshën 13 vjeç i vdes dhe i ati, Gjergj Nikolla, përfaqësues i kongresit kishtar të Beratit. Një vit më vonë vdes gjyshja, Stane Millani. Më pas vëllai i tij Nikolla, dhjetë vjec më i madh se Migjeni. Jetoi një fëmini me vdekje të njëpasnjëshme. Milloshi erdhi në jetë në një kohë të vështirë luftrash dhe të një varfërie të paimagjinueshme. Lindi në një qytet me minare dhe kambanare, e me një fat tragjik në shpinë. Janë pikërisht këto rrethana, por edhe shëndeti i lig, që do ta piqnin poetin e madh para kohe. Qysh në rininë e tij ai do të hedhte në letër atë lëndë të lartë letrare, filozofike e jetësore, të cilën nuk do të na e jepte askush tjetër nga krijuesit shqiptarë të shekullit që kaloi…
Kujtoj skicën “Legjenda e misrit”, kujtoj malësorin legjendar me këmbët kompas që zbret në qytet për të marrë misër. Sjell ndërmend malësorët te vendi ku ndahej misri dhe… esklamacionin “Mos e shkel, heu të shytoftë rrfeja, se legjenda e misrit është legjenda e shekullit të njëzet.”
***
Migjeni ka qenë dhe mbetet një mit, një shkrimtar i rrallë, një fenomen i jashtëzakonshëm i letërsisë shqipe. Është i vetmi shkrimtar i cili në një moshë të re na ka lënë aq shumë lëndë krijuese, e cila i ngjan uraniumit. Krijimet e tij në poezi dhe në prozë janë ekstrat jete, esencë e mjediseve që ai jetoi. Poezia migjeniane është një letërsi e lirë, e shkruar në vargje të lira, me ide të guximshme për kohën, duke prekur plagët e realitetit bashkëkohor. Migjeni u fut në lëtërsi si një revolucionar që do të shkatërronte, siç shkruan ai “paçavrat që zunë myk në tempuj”. Dalja e “Vargjeve të lira” migjeniane i errësoi të gjithë shkrimtarët bashkëkohas, ndonëse ai vetë nuk jetoi për të përjetuar suksesin e vet.
Isha 18 vjec kur kam recituar “Baladë qytetse” në një konkursi kombëtar. Kanë kaluar 63 vjet që nga ajo kohë dhe unë e kujtoj akoma.
“Mbramë
qiella dhe yjt e vramë
një ngjarje të trishtueshme panë…
Hije…Jo. Por një grua.
me fytyrë të zbehtë edhe sy të zes
si nata e saj...
me buzë të vyshkuna në vaj
me plagë në gjoks e stolisun
me veshje dhe me shpirt të grisun,
një hije gruaje
një kens këso bote, një fantazmë uje
vallzonte valle në rrugë të madhe.”
Poezia rridhte si një ujvarë vaji. Një poezi ku përshkruhet me nota dramatike, fati i një vajze të re, tashmë prostitutë “një kens i ksaj bote, një fantazmë, që vallzonte valle, në rrugë të madhe…”
Takimi me poezinë e Migjenit do më vinte në dyshim gjithë poezinë e rimuar dhe tematikën baritore të poezisë sonë të atyre viteve. Migjeni, nuk vinte nga asnjë shkollë letrare. Ai ishte gjeniu që do të krijonte vetë një shkollë letrare e cila të mëson konceptualiteti e ideve. Migjeni erdhi në jetë si misionar, me misionin për të shpartalluar “paçavrat e kohës”. Erdhi për të përzënë nga panteoni “idhujt” që “ishin ulur galuc në trurin e njerzisë”. Erdhi në një kohë ku nëpër ballkone vareshin “flamuj të një jete të pashpresë”. Erdhi kur notonin në kujtesë minaret dhe kambanaret… Erdhi kur “kafshatë që s’kapërdihej ishte mjerimi”, kur lypsat lypnin udhëve dhe prostitutat shisnin nderin për një copë bukë. Migjeni erdhi në një kohë kur lypsi i vogël “Nga mëshira e të pamëshirshmëve gjallëronte”.
***
Migjenit ia shtonin dhe më tepër dhimbjen e mushkërive shtresat e varfëra, lypsat, prostitutat… murgeshat që i kalonin ditët pranë altarit.
“Mos u lut për mua,
se unë pash më pash dua t’i bie ferrit.”
Kurrë nuk e kam kuptuar se cili qe mësuesi i këtij gjeniu të letrave shqipe. Sigurisht, për një gjeni të rrallë si ai, e vetmja forcë nxitëse, inspiruese dhe shtytëse, ka qenë dashuria për njerëzit e tij dhe për vendin e tij. Poetët e mëdhenj lindin si misionarë për një komb.
“Na të birtë e shekullit të ri
filizat e një toke të rimun me lotë.”
Dy vargje lapidarë të një dimensioni universal.
Në këtë poezi Migjeni shpall misionin për brezin e tij.
“Jo. Jo. S’i duam humbjet prore
Duam ngadhnjim!
Ngadhnjim ndërgjegje dhe mendimi të lirë…
“S’duam të jemi një thumb i ngulur në trut e njerëzisë.
Me hovin tonë e tëndezun peshë
Ndër luftra të reja kemi m’u ndeshë
Dhe për fitore kemi me ra fli…”
Migjeni e kuptonte mirë që fitoret kërkonin flijime.
Mjerimi te poezitë e Migjenit zë vendin kryesor. Asnjë poet tjetër botëror nuk e ka dënuar me kaq forcë shoqërinë dhe shtetin, si Migjeni, për pakujdesinë ndaj njerëzve të varfër.
“Poema e mjerimit” mbetet një poemë antologjike për të gjithë poezinë botëroe.
Migjeni është i pari poet shqiptar që përdor me sukses simbolikën në poezi dhe në prozë, te poezitë “Shkëndija”, “Komshijtë” etj.,
Gjuha e Migjenin është dialekti muzikor shkodran, një dialekt i cili për shkak të muzikalitetit shijohet shumë. Ka poetë dialektalë që nuk i përtyp dot lexuesi i kohës, ndërkohë që shkodranishtja e Migjenit është një gjuhë poetike dhe muzikale.
Migjeni ka treguar një përkujdesje të veçantë për ta shijuar lexuesi shkodranishten e tij të bukur.
Gjatë këtyre viteve krijimtaria e Migjenit ka qenë objekt studimi në shkolla të mesme dhe në universitete. Janë mbrojtur shumë diploma studentësh me krijimtarinë e Migjenit. Ndër ata që e kanë vlerësuar krijimtarinë e këtij gjeniu, është Kadareja, me studimin “Uragani i ndërprerë’ dhe studimet e krijimtarisë së Migjenit: A. Kallulli, M. Zeqo, B. Islami etj.
M. Zeqo shkruan: “Nëse do të ekzistonte një histori e konceptualitetit në letërsi do të kuptonim se këto raporte të çuditshme midis shkrimtarëve nuk janë thjesht fantazi as trillime strukturaliste”.
Krijimtaria e Migjenit, ishte e pakët, 200-300 faqe, por, për krijimtarinë e tij janë shkruar qindra e mijëra faqe dhe sërish nuk është thënë ajo çka përbën esencialen e saj. Përveç tematikës unike në letërsinë shqipe është arti i tij, është ajo ndërthurje e vargut të lirë me vargun klasik si dhe larmia e mjeteve shprehëse.
Një dimension tjetër për të cilin është folur pak është tematika qytetare. Migjeni është poeti i parë që solli në letërsi problematikën e një qyteti verior, në vitet tridhjetë. Në kohën kur dolën në dritë “Vargjet e lira”, në poezinë shqipe zotëronin tema pastorale, patriotike me elementë të një poezie romantike, me ndikime të forta nga poezia italiane.
Migjeni edhe pse e merr lëndën nga qyteti i tij, Shkodra, ai akuzon politikën e shtetit të asaj kohe si përgjegjëse për varfërinë dhe mungesën e perspektivës. Migjeni nuk ishte as komunist, as socialist, as demokrat as socialdemokrat. Migjeni qëndron mbi zgjidhjet e karakterit social. Ai kërkon të krijohet një balancë midis të pasurve dhe të varfërve, midis shtetit dhe popullit…
Syri i tij vëzhgues është universal. Si shkak të mjerimit dhe të varfërisë së vendit të tij ai nuk vë gishtin mbi një sistem ekonomik, por mbi të gjithë sistemet, kushdo qofshin, kur ata nuk luftojnë varfërinë si nëna e të gjithë të këqijave të jetës shoqërore. Prej varfërisë lind krimi, korrupsioni, prostitucioni, vdekjet dhe degjenerimi gradual i një kombi. Milloshi ishte jo vetëm një poet i madh por dhe një mendimtar i madh, i shqetësuar për të ardhmen e popullit të vet.
Ishte libri “Krijimtaria e Migjenit” i studjueses leningradase Gertruda Eintrei, i cili më intrigoi për të shkruar këto radhë, edhe për të treguar se sa larg ka shkuar jehona e poezisë migjeniane dhe sa zemra ka trazuar poezia e tij…
U deshën plot 50 vjet që këtë sudim me vlera të veçanta të na e sjellë të shqipëruar mrekullisht, nga rusishtja, përkthyesja e talentuar, Laura Xhaxho. Ishte një dashuri e viteve studenteske apo një përkushtim ndaj krijimtarisë së poetit? Ky përkthim mendoj se është një afirmim i njohjes së thellë të dy gjuhëve, për të na e sjellë në shqip këtë studim me vlerë të një autore ruse, për poetin tonë kombëtar.
©Sulejman Mato