Zarfi me mizë - Tregim nga Sulejman Mato
Ndërmarrja jonë ishte ndanë Lanës. Dritaret shpeshherë i linim të hapura dhe zyrat mbusheshin me miza. Drejtori zotëronte një vrasëse të madhe mizash. Gjatë mbledhjeve të mëngjesit demonstronte autoritetin që ia jepte posti. Mjaftonte të mos i pëlqente diçka, merrte vrasësen e mizave dhe na e tundte para syve.
Posti i tij… drejtor i Ndërmarrjes së stopave, me gjithsej 20 punëtorë, mirëpo, le të guxonte dikush ta kundërshtonte. Këtë gjë mund ta bënte vetëm një kokëkrisur si unë. Ia kam nxirë jetën me ato ankesat e mia, me shkrim, për njëqind arsye. Ishte marifetçi i madh, i rrethuar nga një klan i fortë brenda ndërmarrjes dhe nga një taraf i madh në shoqëri e në ministri.
Mua më kishte ngjitur nofkën: “inxhinier i vitit 2020” për punën e stopave të makinave.
“E përse t'i ndryshojmë!? Për një tekë të dikujt? Kush dreqin ma pruri këtë teveqel (thoshte për mua) në ndërmarrjen time”?
Në betejat tona ai shkonte sipas proverbit “shpif, shpif se diçka do të ngelet”, unë i besoja shprehjes popullore “i duruari, i fituari”.
Gjashtë vjet përballova me heroizëm “zemërimin e Akilit”, gjersa doli në skenë ajo historia e mizës në zarf.
Ishim në mbledhjen e mëngjesit, kur hyri sekretarja dhe i dha një zarf. Ishte një zarf i çuditshëm, pa adresë dhe fare bosh. Ai e vërtiti një herë në dorë, pastaj i grisi anët. Për çudinë e të gjithëve, prej zarfit doli një mizë, një mizë e madhe dhe e gjallë. Miza u rrotullua dy herë mbi kokat tona, më pas doli nga dritarja, pranë tavolinës së drejtorit.
Të gjithë mbetëm të hutuar. Një mizë? Ha-ha! Kush ia dërgonte?! Po përse një mizë? Po përse e gjallë? Qetësinë e çastit e prishi gajasja e ekonomistes së bukur, e cila nuk kishte as një muaj që kishte ardhur në ndërmarrje. Thoshin që ishte kushërira e gruas së drejtorit.
-Ç'ka për të qeshur, - thirri drejtori. Instinktivisht rrëmbeu nga tavolina vrasësen e mizave, mblodhi zarfin shuk dhe e flaku në koshin që mbante poshtë këmbëve.
-Mbledhja mbaroi, - tha me zë të lartë. -Ti, - i tha shefes së kuadrit, -qëndro pak këtu.
Ne dolëm të shushatur nga kjo ngjarje... Të gjithë nisën të vrisnim mendjen se kush kishte guxuar t’i dërgonte drejtorit tonë të nderuar një mizë-mesazh. Nga të tjerë morëm vesh se drejtori i kishte kërkuar shefes së kuadrit, me ngulm që të zbulonte se i kujt ishte shkrimi mbi zarf.
Te nesermen na thirri në mbledhjen e mëngjesit. Fillimisht u vërtit në probleme të parëndësishme, më pas hapi problemin e atij zarfi të çuditshëm.
-U bëra 55 vjet dhe kurrë nuk kam dëgjuar t’i dërgojnë dikujt një mizë në zarf… Ndërkohë hodhi shikimin nga unë…
Po ç'ne unë? Unë luftoja me të në shesh të hapur. Ndërsa shpikësi i mizës ishte diçka tjetër. Ai kishte përdorur një armë më të sofistikuar. Po unë, ç'ne…? Në ndeshjen me drejtorin, unë isha si Akili, ndërsa ai i zarfit ishte si Uliksi … “Ai”, po...mund të ishte dhe një “ajo”…
E vrava edhe unë mendjen, si të gjithë punëtorët e tjerë. I kalova ndërmend punonjësit e ndërmarrjes. S’kishte asnjë dyshim qe “mizadërguesi” nuk ishte punëtor i ndërmarrjes sonë. Zarfi ishte sjellë dorazi pasi nuk mbante vulën e postës...
Drejtori ishte betuar se do ta gjente mizadërguesin, gjallë a vdekur. Këto gjëra ne i mësonim nga sekretarja e tij, e cila, sipas meje bënte lojë të dyfishtë. Me drejtorin tregohej serioze, me ne gajasej së qeshuri. Shefes së kuadrit në rolin e ekspertes shkrimore, i kishte kërkuar të studionte me imtësi të gjitha shkrimet e punonjësve të ndërmarrjes, të shfletonte në dosjet sekrete dhe në autobiografitë e tyre, që ishin të shkruara me dorë. Shefja e kuadrit, një grua serioze dhe e moshuar, e kishte qetësuar qysh ditën e parë:
-Jo, o drejtor, zarfdërguesi… (për pak sa nuk i kishte thënë mizëdërguesi), nuk duhet të jetë nga ndërmarrja jonë. Do të jetë ndonjë..., gjersa…
-Gjersa? Çfarë gjersa?! Çfarë do të thuash me këtë gjersa?!
-Po ja, t'i dërgosh drejtorit një mizë në zarf. Duhet të jetë një guxim i madh. Një çmenduri. Ju gëzoni respektin e të gjithë ndermarrjes. Mbase… Mund të jetë ndonjë që ju e keni pushuar nga puna.
Sigurisht, mendonte me vete drejtori, duhet te jetë dikush që e kam pushuar nga puna. Ndonjë nga ata që ia njihte huqin e vrasjes së mizave sa herë na mblidhte ne punonjësit në zyrën e tij, e njihte drejtorin tonë si një mizëvrasës, ndaj dhe i dërgonte për ekzekutim një mizë të madhe.
Lajmi u përhap me shpejtësi në ndërmarrjet përreth, madje arriti gjer në ministri. Kur e kishin dëgjuar ata të Ministrisë ishin gajasur me të madhe.
Gojët e liga të ndërrmarrjes thoshin se këtë histori e kishte marrë vesh dhe vetë ministri. Një mëngjes e paskishte marrë në telefon.
-Hë mo, Demçe... Ç’kemi nga ndërmarrja…?
-Hiç. Qetësi, shoku...
-Si qetësi moo? Po ajo puna e mizës, si u bë mo…?
-Çfarë mize, shoku Ministër…?
-Miza mo... Ajo miza që të kishin futur në zarf...
E ha-ha-ha e hi- hi- hi, nga ana tjetër e telefonit
Ishte momenti kur në ministri kishin shkuar dhe dy-tri letra të tjera, me ankesa, për padrejtësitë e tij në ndarjen e pallatit të ri të ndërmarrjes, ngritur me punë vullnetare. Ekipi i Kontrollit të Shtetit erdhi dhe iku, duke relatuar vetëm abuzime me pagat e punëtorëve.
Me sa më kanë thënë, ata që i rrinin drejtorit pranë, zarfi me mizë iu bë fiksim, gjersa doli në pension. Kush ma ka dërguar? Kush të ma ketë derguar vallë…!?
Kohët e fundit kjo enigmë edhe mua më është bërë fiksim. Kush mund t'ia ketë dërguar atë zarf me mizë drejtorit tonë? Dhe si, as sot e kesaj dite, nuk ka dalë dikush që të mburret me autorësinë e tij?
© Sulejman Mato (Tirane 1985-2017)











