Letërsi

Studiuesi Behar Gjoka: Ja pse Migjeni nuk u përgjum kurrë

Studiuesi dhe shkrimtari Behar Gjoka në librin e tij “Migjeni në pakohësi”, rreket të japë një përgjigje rreth krijimtarisë së Migjenit, gjithnjë në kërkim të veçanësisë që përfaqëson vepra e tij. Ajo që i duket studiuesit si e tillë, pra një dëshmi origjinale, prani e rrokshme në poezi dhe prozë, është fryma moderne. Sipas Gjokës, te Migjeni kemi të bëjmë me një modernitet në thënie dhe shenjat artistike, në sendërtimin e vargëzimit të lirë dhe një rrëfim me ritmikë të pazakontë në shkrimin e prozave të ndryshme, që ende dhe sot e kësaj dite nuk është tejkaluar nga shkrimi letrar në gjuhën shqipe. Është një rast unik i letrave shqipe, që në dyzet e pesë poezitë e Vargjeve të Lira, pra në të gjithë universin poetik, mjeshtri i fjalës poetike nuk gjendet asnjëherë i përgjumur, në kuptimin që të jetë i shkujdesur në stil, detaj a kuptim. Migjeni, pra për shkak të modernitetit mental dhe konceptual, vijon që të mbetet edhe sot e kësaj dite, një nga pikat referenciale të letrares moderne, të fjalës shqipe.

Sipas Gjokës, vepra e njëmendtë letrare e Migjenit, i ka kaluar të gjithë fazat, të dukjes, shkëlqimit, heshtjes dhe rivitalizmit, madje në myënyrë të rrufeshme si pak të tjerë mjeshtra të letrave shqipe. Në kohën e monarkisë u ndalua shpërndarja e përmbledhjes “Vargjet e lira”, pra duke u censuruar, vetëm për faktin se një pjesë e poezive dhe prozave të tij ishin botuar në revistën “Bota e Re”, por megjithatë kjo bëri që të lexohej më tepër, madje të shpërndahej nga njëra dorë në tjetrën, fshehurazi. Gjithashtu në atë kohë, Migjeni, u pa si një përfaqësues i idealeve komuniste, kur në fakt bota poetike migjeniane, nuk kishte shanse të përfshihej në shërbesat idelogjike, pra krejt me pa të drejtë u projektua si i tillë, dhe prandaj e vendosën në krye, njëherit për ta përdorur kundër Fishtës, për ta shmangur atë nga panteoni i letrave shqipe. Kuptohet të tjerët, pra fitimtarët e botës së re - shprehet studiuesi Gjoka, i kryen këto akte makabër, se Migjeni kishte kohë që kishte ikur në amshim, duke na lënë krijimtarinë e tij, që do t’i rezistonte kohës. Ndërsa në demokraci, ka një tërheqje nga Migjeni, për ta lënë në heshtje dhe harrim. Po ashtu ka një përpjekje që të projektohen rrënjët joshqiptare të tij, bazuar kryesisht në interpretime rastësore dhe të pargumentuara. Sa paku në kuptimin letrar, nuk është gjendur ende asnjë varg apo rresht në prozë, pra tekst letrar i shkruar në gjuhë të tjera. Përdorimi vetëm i letërkëmbimit, që lidhet me shkollimin në Tivar apo Manastir, shkruar në gjuhën serbe, është më tepër dëshmi e lidhjeve të mundshme të shkollimit dhe jo e origjinës serbe, sepse ndërkohë sa shqiptarë e flasin serbishten apo greqishten, por dhe anasjelltas, sa prej tyre e flasin gjuhën shqipe, në fakt kjo situatë na nxjerrë tek një gjendje specifike e banorevë të rajonit, komunikimi bilingual/dygjuhësh, që më shumë shërben si urë komunikimi, e jo si një atribut tjetërsimi i figurave të tilla si Migjeni.

Për Gjokën, një shkrimtar, mund të mbetet pjesë e letërsisë, për një varg a poezi, për një libër, sepse nuk është sasia e veprave të botuara parimi që shpalos vlerat. Nga ana tjetër, hipoteza, që nuk ka asnjë shans që të provohet, se si do të ishte vepra e tij po të kishte jetuar më gjatë, ishte edhe një ikje absurd përballë letrares që bart poezia dhe proza e tij. Libri “Vargjet e lira”, jo vetëm hodhi themelet e poezisë moderne shqipe, po kaq solli një mentalitet tjetër, etikë dhe filozofi të ndryshme, së cilës edhe në shekullin e njëzet e një, nuk ia lëviz dot asnjë pikë të nivelit që shënon qysh në dukjen e parë.

 ©Flasshqip.ca

Tagged under Migjeni Behar Gjoka