Aksioma e Moikom Zeqos mbi rikonceptimin e gjuhës poetike - Nga Vangjush Ziko

Vangjush Ziko - Kanada
Është e njohur aksioma se procesi krijues njeh tri etapa të rëndësishme që janë: abstraksioni, imagjinata dhe impresioni nëpërmjet të cilave gjuha e zakonshme rikonceptohet dhe merr emrin “gjuhë poetike”.
Rrymat e ndryshme kanë qasje të ndryshme ndaj këtyre.
Realizmi klasik pranon realen dhe aspak abstrakten.
Impresionizmi botën reale e kalon nëpër filtriEn e ndërgjegjes së krijuesit duke e lidhur me ndijimet dhe me mbresat e poetit.
Abstraksionizmi e shmang paraqitjen e realitetit duke vënë në plan të parë ndërgjegjen dhe vështrimin vetjak të botës.
Krijimtaria e Moikom Zeqos, sipas mendimit tim, mund të klasifikohet si një krijimtari avanguardiste, e cila ka marrë nga përvojat e ndryshme, përjashto realizmin klasik. Ajo i ka të pranishme edhe abstragimin, edhe impresionin, edhe imagjinatën të pleksura në një aksiomë origjinale, që përcakton dhe të veçantën e krijimtarisë poetike të tij.
Krijimtaria e Moikomit është një akt i krijimit të një realiteti të përfytyruar. Ai vë në plan të parë ndërgjegjen dhe vështrimin individual mbi botën. Poezia e tij është, në radhë të parë, një poezi e mendimit.
Abstragimi është pjesa themelore e të menduarit krijues. Moikomi vë në plan të parë ndërgjegjen dhe vështrimin individual mbi botën.
Poezia e Moikomit e shmang përshkrimin e detajuar, jo vetëm të sendeve apo të meditimeve dhe të ndjenjave, të panoramave të natyrës, ai abstragon detajet, abstragon veprimet, abstragon proceset biologjike duke arritur në deduksione “abstrakte” për logjikën normale analitike:
“Ah, të abstragosh lopën,
Për të nxjerrë prej saj qumështin,
Dhe të abstragosh qumështin,
Për të krijuar sërish barin e gjelbër “
Abstraksioni në këto vargje thënë në mënyrë prozaike do të thotë: lopa ushqehet me bar dhe na jep neve qumështin.
Gjuha e zakonshme është gjuha e komunikimit të zakonshëm njerëzor. Gjuha poetike është gjuha e abstragimit artistik, gjuha e perceptimit estetik të figurshëm të botës, gjuha e zbulimit filozofik të fenomeneve, të mendimeve dhe të ndjenjave të thella:
“Proza renqethet
Para Poezisë,
Si kali i zi
Përballë gjarpërit të artë!”
(“Qëndizma në petkat e hyjnive”)
Procesi i abstraksionit dhe i zbulimit estetik është një proces progresiv civilizues, që arrihet nëpërmjet përgjithësimit mendor, në radhë të parë.
Është e rëndësishme të përcaktohet kufiri midis abstraktes dhe absurdes. Në qoftë se absurdi është një dukuri pa kuptim, jashtë logjikës, abstraksioni shkon krahas me imagjinatën, që është pjellë e mendjes, e cila përfytyrohet si një e vërtetë e gjykimit.
Në ridimensionimin, rikonceptimin e gjuhës poetike të Moikom Zeqos luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe imagjinata.
Imagjinata e poetit është një aspekt i zbulimit poetik, e cila e transformon brendinë e poezive të tij duke e mbushur atë me përfytyrime poetike të njëmendta, ajo është në themel të krijimtarisë së tij. Metafora e Moikomit është pjella e imagjinatës së tij të çuditshme. Ajo lind nga shkëndija e intuitës së tij të veçantë, që ndriçohet nga tensioni i tij krijues i jashtëzakonshëm. Ai shkruan: “Poeti e ka/si oshëtimë në trup/Imagjinatën e mbyllur/ dikur në një amforë zotash!”
Poezia “E Kremtja e Madhe e Shqiponjave” është një shëmbull konkret:
“Vërtitet mbi mua
Era sferike,
Plot spica dhe gjemba.
Ca gonxhe trëndafili
Cicërojnë
Si harabela të Ilirisë antike.
Qëroj luspat e Hënës peshk
Dhe luspat
Dritësojnë planetin.
Një histori e re botërore
Rri pezull në qiell,
Por s’e lexon askush.
Dhe Dielli bekon
Të Kremten e Madhe
Të Shqiponjave!”
Kjo poezi e shkruar në vitin 1991 është një shembull tipik i fluturimeve të poetit në të kaluarën, në të tashmen dhe në vegimet e së ardhmes. Kemi në të edhe gonxhen e trëndafilit, dhe harabelat e Ilirisë antike, edhe “Hënën peshk” edhe Diellin tok me “erën sferike”, një kozmogoni poetike; kemi metafora, krahasime, kemi epitete, kemi simbole. Kemi dhe një traditë dhe një risi.
Këtë temë romantike, që rilindasit tanë e patën shprehur thjesht: “Shqipëria gjallë ka qenë? Që kur Bota është zënë”, imagjinata e Moikomit e rimerr duke e shpalosur në përmasa universale të kontrolluara dhe arsyetuara me logjikën e perceptimit kozmik të lëvizjes planetare duke e mbushur me përfytyrime konkrete metaforike (era sferike, hëna peshk, dielli), era është shqetësuese, hënës ia heq luspat, që e mbulojnë dhe s’e lejojnë të ndriçojë, dielli merr rolin e perëndisë që bekon, zgjohen nga gjumi shekullor dhe kujtimet lashta ilire cicërojnë si harabela. Të gjitha janë brenda një logjike të arsyetuar abstraguese; pra, imagjinata është jo vetëm nxitja dhe fillimi i frymëzimit poetik, por përbën edhe themelin e gjithë poezisë, që mbyllet me ëndrrën e madhe kombëtare, që rri pezull ende dhe “s’po lexohet”.
Çdo abstragim poetik ka një ose më shumë interpretime.
Edhe vetë Moikomi thotë: “Jam vërtet një shaman plak, i harruar,/Por s’shpjegoj dot/As poezitë e mia!”.
Dhe po vetë i përgjigjet këtij arsyetimi të pashpegueshëm: “Poezia/Është Anatomia e Shpirtit!”.
Dhe shpirti mund të “mishërohet” vetëm estetikisht!
Moikomi i jep një rëndësi dhe vlerë estetike edhe vetë impresionit, mbresës, duke e lidhur imazhin me vetë impresionin. Poeti përcjell kështu, integron në shpirtin e vet impulset e tij të brendshme shpirtërore.
Kështu ndodh dhe në poezinë e tij të rrallë për nga fuqia perceptuese e frymëzimit të poetit, siç është poezia “Psalmi 153”. Tema e kësaj poezie është Vdekja, kjo padrejtësi absurde e pashmangshme, një temë e pazgjidhshme filozofike e ekzistencës së qenies njerëzore.
Poeti na e jep këtë nëpërmjet figurës retorike pasthirrmës dhe pyetjes: “O fjalë e vërtitshme mes hapësirave!”; “O gramatika memece të pasqyrave!”; “O drita të pagjumësisë hyjnore!”; “Pse mermeri i skalit heronjtë e vrarë mes baltës?”, duke na bërë fjalë për habi, indiferentizëm, pathos hyjnor, zhgënjim dhe pesimizëm tragjik. Ai bën fjalë “për epikriza të sëmundjeve” të tij shpirtërore dhe për një tragjedi kolektive të pleksur me atë personale:
“Dhe qivuri prej Hëne e ka mbyllur brenda qytetin.
Me lopata gjethesh
e hedh dheun e dritës mbi varrin e imazhit tim!
Mes sendeve të pavdekshme
pse isha (jam) kaq i vdekshëm.”
Moikom Zeqo e shprehu qartë thelbin e aksiomës së tij mbi rikonstruktimin e gjuhës së vet poetike nëpërmjet metaforës biblike të Golgothës: sakrifikimit të “tokësores” për të ruajtur “hyjnoren” si një devizë poetike sublime, së cilës i qëndroi me besnikëri dhe vendosmëri “apostulike” deri në fund. Ai na e bën vetë të qartë këtë devizë të vet krijuese:
“Në lbrin tim laboratorik “Golgotë fluturash”, të poezive të harkut konvencional kohor 1991-1999, kam ndjerë në mungesë shekujsh praninë ngulmuese të Atij, - që ndali në Golgothë ku ju shkatërrua “natyra njerëzore”. - për të mos i humbur “natyra hyjnore”.
Kjo kredo poetike i solli poezisë sonë një personalitet të papërsëritshëm krijues.
Moikom Zeqo është “një shënjtor” i artit, Për artin ai sakrifikon gjithçka, përveç “shenjtërisë së krijimit”. Mbi të gjitha ai ka vënë sublimimin e Poezisë si art i madh i rikrijimit të një realiteti të ri. Ky është sfondi i mirëfilltë filozofik dhe filozofia e kozmogonisë dhe i estetikës së rikonceptimit të gjuhës së tij poetike.
© Vangjush Ziko











