Një histori e pazakontë - Tregim nga Sulejman Mato
Quhej Dik Dallashi, një burrë i shëndetshëm rreth të dyzetave, veshur me një xhakovento meshini, biznesmen hekuri, nga një fshat i vogël, midis Kukësit dhe Peshkopisë. Ligjërimin e nisi me një ton ceremonial, pak më vonë e uli në një bisedë miqësore. Ajo që të çudiste në këtë histori, ishte ngjarja e pazakontë. Natën e parë të martesës dhëndëri, qe ishte vellai i tij më i vogël, ishte hedhur nga dritarja. Çfarë e kishte detyruar dhëndërin që qysh natën e parë të martesës, të braktiste shtratin bashkëshortor, për më tepër, të hidhet nga dritarja? Dasmorët prisnin atë mëngjes, siç e donte zakoni, të shihnin nusen. Pritën gjer aty nga ora dhjetë, dhe kur panë me habi që as nusja as dhëndëri nuk kishin ndërmend të dilnin nga dhoma, nëna e dhëndërit u trokiti lehtë në dere. E hapi nusja, e vrarë në fytyrë e me pak qime në faqe.
- Ku është Zeneli?
- Iku, - iu përgjigj qetësisht Lezja.
Nëna e Zenelit i hodhi një shikim dyshues, por nuk i tha asnjë fjalë. Ishin burrat ata që do ta pleqëronin. Dyshimi i parë i burrave ishte ndonjë histori dashurie. Një ish i dashuri i Lezes do të kishte hyrë nga dritarja dhe e kishte rrëmbyer dhëndërin natën e dasmës. E pyetën Lezen. Ajo u përbetua. Pasi u siguruan që nuk kishte ndodhur asgjë e keqe, nusen e mbajtën në shtëpinë e tyre dhe u vunë në kërkim të Zenelit. Askush nuk e mendonte se çfarë do ta kishte shtyrë atë njeri drejt një veprimi të tillë dhe ku kishte përfunduar?
- E kemi kërkuar dy vjet rresht, - i tha Diku avokatit. - E gjetën në një fshat të Greqisë, në Kallamatë. Bënte atë punë që bënte edhe në fshat, bari dhënsh. Shkova unë gjer në Kallamatë. E pyeta pse e kishte lënë nusen dhe kishte ikur natën e dasmës.
- “Nga turpi.”. - tha ai. - Nga turpi i fshatit.” Lezja, paskishte organ mashkullor. Kur ishin shtrirë në krevat, në një çast i kishte kapur penisin… Zeneli i tregoi Dikut dhe diçka tjetër, që ishte dhe më e turpshme.
Diku mendoi ta merrte me vete, mirëpo, kur pa që ai ishte siguruar me punë dhe fitimin e kishte të mirë, i lindi një ide. T’i gjenin një nuse dhe t’ia çonin atje ku punonte. Kamëza kishte plot vajza të mira dhe familjare. Komshiu i tij me të cilin ishin bërë si një familje, kishte Dudën, një vajzë të thjeshtë e punëtore, që do t’ia lulëzonte shtëpinë. I foli gjatë për Dudën. Ranë dakord. Diku vendosi që nusen e re t’ia çonte vetë, atje ku ai banonte. Në çastin e ndarjes, Zeneli pyeti për Lezen.
- Lezja? Në fshat, me prindërit.
***
Dik Dallashi këtë histori ia tregonte qetësisht avokatit, pa detaje të tepërta, si një diçka që i kishte ndodhur tjetërkujt, e që tashmë i përkiste së kaluarës. Shkaku për të cilin ai kishte kërkuar të takonte avokatin, ishte martesa e parë. Një martesë turpi. Kujt i kishte shkuar mendja se do t’u hapte kaq teleashe. Ja përse: I ati i tyre nuk e kishte larguar nusen nga shtëpia. Një javë më vonë, e kishte ligjëruar martesën në Gjendjen Civile të qytetit të Peshkopisë. Pra, ligjërisht Zeneli figuronte i martuar, edhe pse kishte dy fëmijë, me grua tjetër. Ndarja dukej e thjeshtë, një martesë fiktive, e dëshmuar nga të gjithë si e tillë. Kur u parashtruan dokumentat e ndarjes në gjykatë, gjykatësja që e mori përsipër gjyqin e tyre, i rekomandoi avokatit se, sidoqoftë, formalisht duhej bërë një seancë pajtimi. Zeneli kundërshtoi prerazi. Nusen e tij, gjysmë burrë - gjysmë grua , nuk do të donte ta shihte as në ëndërr.
Gjyqi u vendos të bëhej të premten e fundit të muajit. Lajmëruan prindërit. Të enjten në mbrëmje të gjendeshin në Kamëz, së bashku me Lezen. Të premten në orën nëntë, ndërsa avokati bisedonte me Zenelin, jashtë kangjellave prej hekuri të gjykatës u shfaq Lezja me Dikun. Kur ata u afruan edhe pak, avokati u çudit me atë qenie të gjatë. E vërejti me kujdes. Kishte duar të gjata, tepër të gjata. Fytyrë vezake. Flokët e pakrehura. Në fytyrë kishte qime. Qime kishte dhe te vendi i mustaqeve. Më tepër se gjithçka atij i bënë përshtypje duart e gjata. Zeneli bëri sikur nuk e vuri re, por Lezja, hiç pa etiketën e rastit, iu ndërsye me fjalët:
- Ku je mor fiksh! A gjallë je kanë? Ia nguli sytë sikur do ta shqyente për së gjalli. E ndaloi Dik Dallashi, ndryshe s’dihet se ç’mund të kishte ndodhur. Kishte katër vjet që priste këtë çast përballjeje. E turpëruar nga fshati. Nuk mund ta harronte vuajtjen e katër viteve. Në vetminë e saj, kishte menduar për t’i thënë shumë gjëra.
- “Eh, mor Losh…!”
Toni dhe shprehja e saj ishin agresive. Dukej si një qenie e mjerë e cila, edhe pse me cilësi mashkullore, kishte pranuar të lozte rolin e një femre, me këtë njeri mosmirënjohës. E ndjente veten të fyer dhe të poshtëruar.
Zeneli u nxi në fytyrë. Pjesa tjetër e betejës do të behej në sallën e gjyqit.
Në seancën e ashtuquajtur “Seancë pajtimi”, avokati kishte ftuar një mjek antropolog, për të dëshmuar rreth rastit në fjalë. Në se gjykata kërkonte prova, mjeku specialist do të jepte mendimin e tij.
Gjykatësja, një vajzë e re, bjonde, elegante, me syze, ishte vënë në dijeni për të gjitha hollësitë e këtij gjyqi. Pas apelit, i hodhi Lezes një shikim kureshtar, por i uli shpejt sytë, e frikur. Nuk i kishte ndodhur kurrë të përballej me një grua-burrë. Përfytyroi atë çast, natën e parë të martesës. Pa nga Zeneli. Iu duk i dobët dhe shumë më i shkurtër se ajo. Në çastin e kryqëzimit të shpatave, kësaj gruaje duhet t’i ketë shpërthyer instinkti i një burri, - mendoi ajo.
Kushedi ç’lloj zhburrërimi i është dashur të përballojë ky njeri i urtë. S’e ka duruar dot fyerjen. Ka marrë një vendim konfuz. I hodhi një shikim të dytë Lezes. Kësaj radhe jo vetëm nuk i uli sytë por vendosi që me një farë delikatese ta pyesë:
- Çfarë je ti? Mashkull apo femër?!
- Qysh të dush ti, - u përgjigj Lezja.
- Atëherë, gjykatesja iu drejtua avokatit i cili gjendej në të djathtë të mjekut.
- Po ju ç'mendim keni? Po ju doktor?
- Janë raste të rralla, - tha mjeku duke u ngritur në këmbë në respekt të trupit gjykues. -Janë raste vërtet të rralla, por ndodhin. Po të vijë puna për ekzaminim, edhe mund ta bëjmë.
- S’ka nevojë, ndërhyri Lezja pa pikë etikete. - Po të dush, iu kthye mjekut, mund t’ua provoj këtu. Para jush.
Edhe pse ajo nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë fjalën “ekzaminim”, diçka kishte kuptuar, kishte kuptuar që kërkohej një provë. Gjykatësja vuri re se personi hibrid që gjendej përballë saj, ishte jo vetëm pa kulturë dhe pa etiketë, por edhe pa respekt për trupin gjykues.
Mjeku bëri një grimasë ngërdheshjeje, që mund të quhej dhe buzëqeshje.
- Dëgjo këtu, ti, - iu kthye Zenelit, Lezja. - Se ça të kam ba unë ty at ua kam ba dhe robve të tu… Boll më kini shfrytëzu si mushkë. Fjalët e fundit ia drejtoi Dik Dallashit: - Boll!
Të gjithë sa ishin në sallë, shqyen sytë. “Çdo të thoshte kjo me ato fjalë? Padyshim. Duhet të ishte një shprehje nervozizmi!
- Si mbaroi? - pyeta avokatin.
- Gjyqtarja vendosi ndarjen tha ai, ndërsa unë mora ato pare, dhe kaq.
© Sulejman Mato











