Letërsi

Mushkonja - Tregim nga Sulejman Mato

Isha në një gjendje midis gjumit dhe dremitjes, kur ndjeva zhurmërimën e një mushkonje mbi fytyrën time… U ul mbi hundë dhe u ngrit sërish. E ndjeva zhurmërimën e saj si një zhurmë avioni. Nuk prita të më ulej mbi ballë. E qëllova me një shuplakë të forte. Në fakt ajo që e pësoi ishte fytyra time. Ishte errësirë dhe unë nuk mund të orientohesha dot. E merrja me mend se duhet të ishte diku rrotull. Nuk kishte vendosur në ç’pjesë të fytyrës sime do të sulmonte. Ndërkohë që krahët e saj më prekën sërish majën e hundës ngrita dorën në ajër për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse…

Një tjetër sulm, edhe më i befasishëm ishte nisur drejt meje. Insekti nuk dihej nga vinte dhe s’dihej se për çfarë arsye më kishte zgjedhur mua viktimë të asaj nate...

Sulmin e tretë e prita me dorën lart. E ndjeva në çast. Mbërriti vetëtimthi dhe m’u ul mbi majën e hundës. I këpus një shuplakë sa sytë më nxorën xixa.

U ngrita, ndeza dritën dhe nisa ta kërkoj gjithandej. Si nuk e pikasa askund, mbylla dritën dhe vendosa të fle duke futur kokën nën çarçaf.

Mirepo, mirësjelljen time mysafiri misterioz e kuptoi si tërheqje nga beteja. Nisi të trimërohet e të më turfullojë mbi krye, ndërkohë që unë nisa të turfulloj nën çarçaf. Më ngucte të trimërohesha, të nxirrja kokën e t'i dilja në duel, në shesh të burrave…

S'mbaj mend sa kohë qëndrova kështu, me kokë nën çarçaf, pasi më kishte kapluar gjumi.

Mbrëmja e dytë

E kisha harruar fare punën e mushkonjës. U futa në dhomën e gjumit dhe sa u shtriva serish e njëjta zukamë. Zukatja e e mysafires më kujtoi avionin kamikaz mbi kullat binjake të Nju-Jorkut. E mora me mend se ajo duhet të gjendej në cep të dhomës, duke pritur të dëgjonte dremitjen time.

Mirë, pra. Fillojmë. Nëse ti e quan veten insekt inteligjent, tani do ta marrësh vesh me kë ke të bësh. “Nuk duhet të nxitohem. Kur ta teprojë di unë ç’do t’i punoj”.

Duke përfituar nga një hutimi im i rastit, ajo u sul dhe më pickoi në qafë. U ngrita me rrembim, ndeza dritën e dhomës dhe nisa ta ndjek dhe ta qëlloj me jastëk, gjithandej, duke bërë një rrëmujë të paparë. Meqë jastëkët nuk bënin punë, shkova në banjë, mora shkopin me leckë me të cilin pastrojmë pllakat dhe nisa të qëlloj kudo ku ajo përpiqej t’i fshihej furisë sime: në tavan, nëpër mure.

Pas pak castesh U dorëzova përfundimisht, kur konstatova që zemërimi im s’kishte bërë gjë tjetër, veçse kishte katranosur si mos më keq muret e dhomës së gjumit. Mbylla dritën dhe si një njeri i arsyeshëm, praktikova edhe natën e dyte variantin nën çarçaf.

Mbrëmja e tretë

Gjatë ditës e kisha lënë hapur dritaren dhe derën e ballkonit për t’i dhënë një mundësi të tërhiqej nga beteja. Por jo. Ajo gjendej në dhomë. Në orarin e sulmeve. Vërtitej lirshëm, si të ishte në banesen e vet. Ndoshta i ka pëlqyer komoditeti dhe ngrohtësia e dhomës sime dhe ka vendosur të bashkëjetojë me mua. Ushqim kishte. “E mirë, pra! Tani te erdhi fundi. Do ta marresh vesh me ke ke te besh. Do ta lëviz dorën ngadalë”, mendova, “do ta lë të afrohet”.

Ndërkaq zukama e saj u ndie fare pranë. Erdhi dhe u largua. Sikur të bënte rikonjicion terreni. U vërtit sërish, në lartësi, rreth gjysmë metri mbi fytyrën time dhe u largua me shpejtësi. Më pas u ul vetëm për një sekondë mbi flokët e mi dhe u largua sërish.

Mbrëmja e katërt

Qëndrova gati 20 minuta me dorë në ajër, në pritje të bishës së vogël gjakësore. E ndieja dorën si të mpirë. Ajo duhet ta kishte parë dorën time të zgjatur lart, ndërkohë që unë, ashtu, me dorën lart paskisha dremitur…

“Nuk ia vlen të rri zgjuar”, mendova. Futa kokën nën çarçaf dhe si një njeri i arsyeshëm nuk ia vara.

***

Netët e tjera u përsërit e njëjta histori. Por unë, si njeri i arsyeshëm dhe kësaj here, si me përvojë në dyluftimet me mushkonja zbatova taktikën: “Koka nën çarçaf”.

Nuk e di sa net kaluan kështu. Ne të dy tashme kishim bërë një marrëveshje të heshtur: ajo pranonte të banonte për ca kohë në dhomën time dhe unë pranoja të flija për ca kohë me kokën nën çarçaf.

Dhe erdhi një ditë që kafshëza gjakpirëse u largua nga dhoma ime e gjumit dhe unë nisa t'i harroj netët tona të betejave. Megjithëse, nuk dihet?! I teket dhe kthehet sërish dhe sërish do të nisin betejat tona.

© Sulejman Mato