Pёrparim Kapllani: MAKINA E ELEKTROSHOKUT
Kapitulli II-tё nga romani “GRIMCAT E KUJTESЁS”
SHËNIM: Ky roman e ka fillesёn e vet nё njё histori personale tё vetё autorit. Babai i tij ishte student nё BRSS nё vitet gjashtёdhjetё dhe pas prishjes sё marrёdhёnieve me Bashkimin Sovjetik, u detyrua tё ndёrpriste studimet dhe tё kthehej nё atdhe, duke lёnё pas tё dashurёn e tij ruse. Humbja e tё dashurёs i shkakton personazhit kryesor njё krizё nervore, e cila pёrkeqёsohet. Isai shtrohet nё spitalin psikiatrik tё Elbasanit, ku i nёnshtrohet terapisё sё elektroshokut pёr vite me rradhё. Nё kёtё spital u shtruan mbi 130 intelektualё, qё ishin kundёr diktaturёs komuniste. Disa prej tyre mbijetuan, siç ishte historia e Jovan Xhuvanit qё mbijetoi, duke shitur kёmbё bretkocash e duke jetuar nёpёr hotelet e ndryshme nё qytetet kryesore tё Shqipёrisё. Sa gёrshetohet jeta reale me trillimin artistik? A ka tё njёjtin fat personazhi ynё kryesor apo ёshtё njё simbol qё pёrfaqёson shumё jetё njerёzish? E vetmja mёnyrё pёr ta zbuluar ёshtё tё ndiqni romanin online “Grimcat e Kujtesёs”. Romani do tё pёrkthehet nё anglisht nga vetё Kapllani dhe pas njё redaktimi skrupuloz, do t’u dёrgohet shtёpive mё tё mёdha botuese nё SHBA dhe Kanada. “Flas Shqip” ka kёnaqёsinё qё tё botojё pjesё nga ky roman thellёsisht njerёzor dhe dramatik, i cili vijon pas kapitullit tё parё “Moroshka pёr Pushkinin” botuar para dy javёsh. Ju urojmё lexim tё kёndshёm!
***
“Siemens AG, Convulsator!” Pacienti lexoi me zё tё lartё markёn e aparatit tё elektroshokut, njё kutie tё verdhё me dorezё lart, nga e cila zgjateshin dy elektroda, qё pёr çudi i ngjanin me dy tentakula mizore oktapodi. Shigjeta nё dritaren e xhamtё tё vatmetrit tregonte ende zero. Njё buton jeshil poshtё dritares i kujtoi syrin e vetёm tё djallit. Kishte kaq shumё dёshirё ta fiksonte nё mendje edhe informacionin mё tё parёndёsishёm, saqё zgurdulloi sytё, por ankthi nuk e linte tё pёrqёndrohej. Zёri i vet i tingёlloi nё vesh mё shumё si njё thirrje pёr protestё. Ishte hera e tretё qё po e sillnin nё dhomёn e elektroshokut, ku po i nёnshtrohej njё terapie intensive me goditje tё impulseve elektrike nё tru. Kёtё herё nё dhomё kishte ardhur doktor Dimçi, emri dhe hija e rёndё e tё cilit i ngjalli njё frikё kapitulluese. Dy infermierё tё fuqishёm e mbajtёn nga tё dyja krahёt dhe e tёrhoqёn pothuajse zvarrё nё krevatin portativ tё mbuluar me njё çarçaf tё bardhё. Pacientit i kishin veshur njё palё pizhama me kuadrate ngjyrё kafe, ndёrsa nё kёmbёt e zbathura kishte njё palё shapka tё shqyera. Shtrёngoi fort dhёmbёt qё tё mos i dilte asnjё klithmё apo pasthirrmё sado e vogёl qё tё ishte. Sa mё shumё panik qё tё shprehte, aq mё e gjatё do tё ishte goditja elektrike.
“Hape gojёn,” iu hakёrrye doktori. Sytё e tij dukeshin tmerrёsisht tё egёr. Pёrreth qafёs mbante tё varur aparatin e stetoskopit. Kёpucёt prej lёkure i shkёlqenin nga boja e zezё dhe dukej sikur sapo ishin lyer. Kёmisha e bardhё borё dhe faqet e rruara taze, tё jepnin pёrshtypjen se doktori i kushtonte shumё rёndёsi higjienёs personale dhe pamjes sё jashtme, nё kontrast me gjendjen e mjerueshme tё spitalit.
“Jaka e kёmishёs ёshtё e bardhё borё. Kёpucёt e doktorit xixёllojnё si pasqyrё,” pёrsёriti ai.
Kёtё herё doktori nuk i ktheu pёrgjigje. Ai konstatim naiv i pacientit nё sy tё kolegёve tё tjerё sikur ja pёrkёdheli disi sedrёn e sёmurё prej egoisti. Dy infermierёt mezi e mbajtёn tё qeshurёn nёn buzё, por doktorit aq i bёnte.
“Hape gojёn, tё thashё!” e urdhёroi pёrsёri. Zёri i metaltё i doktorit sikur e mpiu tё tёrin. Sapo hapi nofullat, njёri nga infermierёt, i rrasi nё gojё njё top fashoje. Fashoja gati sa nuk i ngeci nё fyt dhe po i vinte pёr tё vjellё, por nuk kundёrshtoi si herёt e tjera. Ajo masё e butё fashosh, do t’i mbronte dhёmbёt, kur i gjithё trupi do t’i nёnshtrohej goditjeve elektrike. Mbi dy mijё valё elektrike per 50 sekonda!
Doktor Dimçi ia vuri elektrodat nё kokё dhe shtypi me gishtin tregues butonin jeshil. Rrotulloi ngadalё dorezёn e vatmetrit dhe me njё ndenjё vetёkёnaqёsie te dukshme ne fytyrё kontrolloi parametrat. Lloji i impulsit ishte ¼ e dallgёve sinus dhe me njё frekuencё 50HZ. Impulsi zgjati jo mё shumё se 5 mS dhe u pёrsёrit pas 15mS interval.
“Tani do tё shohim, nёse do tё jesh nё gjendje tё flasёsh pёrsёri me zё tё lartё,” ironizoi doktori dhe ngёrdheshi fytyrёn me qesёndi.
Pacienti u pёrpoq tё hapte kapakёt e syve, por ato ishin bёrё tё rёnda plumb. Pamja iu mjegullua aq shumё, saqё krijoi pёrshtypjen e rreme, sikur ishte brenda kabinёs sё njё avioni udhёtarёsh qё po fluturonte mes reve. Lёvizi trupin qё tё ngrihej nga shtrati dhe tё vazhdonte tё regjistronte gjithçka nё kujtesёn e tij tё lodhur, por fashat e kishin shtrёnguar fort nga tё gjitha anёt! E ndjeu veten peshk tё alivanosur nё rrjetёn e peshkatarёve. Me sytё gjysёm tё hapur dalloi fytyrёn e doktorit, e cila i ishte avitur aq pranё, saqё dukej sikur do t’i numёronte poret e lёkurёs. Fytyra e doktorit ishte e mbuluar nga njё tis i hollё djerse, ndёrsa poshtё kapakёve tё syve i dalloheshin dy rrathё tё mёdhenj e tё zinj.
Trupi filloi t’i shkundej vrullshёm nga konvulsionet elektrike. Hapi duart nё tё dy anёt e krevatit, qё tё mbahej diku, pasi po i mirreshin mendtё, por fashat nuk e linin. Ndjeu t’i dhimbnin kockat. Tavani mori pёrsёri formёn e njё kabine avioni. Ishte me tё vёrtetё nё avion, duke fluturuar pёr diku? Ja retё e bardha qё dukeshin nga dritarja e vogёl nё krah. Ishte njё dritare apo thjesht njё vegim?!
“Si tё quajnё ty? Si ta thonё emrin?” e pyeti doktori, ndёrsa njёri nga infermierёt i hoqi topin e fashos nga goja, e cila kishte marrё ngjyrёn e gjakut.
Pacienti zgurdulloi sytё me habi, duke parё pёrreth, si pёr tё kёrkuar ndihmё nga dikush. Pёrse vallё doktori duhej t’ia bёnte njё pyetje tё tille prej idioti? A nuk e kishte kartelёn e tё sёmurit para syve? Mos ndoshta dёshironte t’i testonte edhe atё pakёz kujtesё qё i kishte mbetur? Vёrtet si quhej? Nga kishte ardhur dhe pse gjendej aty?! Mblodhi supet nё shenjё pasigurie.
“Nuk e di se kush jam. A ma jep kartelёn ta shoh?”
“Hape gojёn prapё! Dashke tё shohёsh kartelёn ti!” Doktori i ngjeshi nё gojё njё top fashoje tjetёr dhe rrotulloi pёrsёri dorezёn e vatmetrit. Impulset elektrike filluan ta godisnin njёherёsh nё anёn e majtё dhe tё djathtё tё kokёs. Imazhet u rrokullisёn e u palosёn me njёra-tjetrёn. U kap fort pas hekurave tё krevatit, ndёrsa mendja po i vinte vёrdallё si njё vorbull e turbullt uji. Vetёtimat filluan tё çajnё qiellin e errёt tё natёs, ndёrsa nё veshё i gjёmuan bubullimat e stuhisё qё po afrohej. Pa trupin e vet tё lodhur tё rrёshqiste nёpёr njё labirinth llamarine e tё zhdukej pa gjurmё nё njё vrimё tё zezё nё hapёsirё. Impulset elektrike po e masakronin pa mёshirё nё çdo qelizё tё trurit. Masa e trurit po dallgёzonte nёn kafkё, e cila ziente si njё tenxhere me presion. Shtresa e craniumit gati sa nuk po pёlciste nga shtypja e madhe qё po ndjente nga tё gjitha anёt. (vijon)