Dy fjalë mbi romanin në vargje të Pushkinit “Eugjen Onjegini” - Nga Vangjush Ziko
Shtëpia Botuese Argeta-LMG Tiranë botoi këto ditë romanin në vargje “Eugjen Onjegini” të A.S. Pushkinit, përkthyer prej origjinalit nga Vangjush Ziko.
Romani në vargje është një gjini letrare, e cila është një zhvillim i poemës romantike, nga njëra anë dhe nga ana tjetër e romanit në prozë. Nga poema romantike ajo ka vargëzimin, metrikën dhe stilistikën e saj poetike. Nga romani në prozë ka huazuar veçoritë e tij të pasqyrimit të lirë të jetës në rrjedhshmërinë e saj, të lidhjeve reciproke të raporteve kohore dhe hapsinore dhe sistemin e personazheve në formë poetike.
Subjekti i romanit në vargje “Eugjen Onjegini” shtjellon bëmat e një të riu të kohës së vet të ngopur nga jeta e kryeqytetit, që shkon në provincë, në fshat, për të administruar pronën, që i la trashëgim pas vdekjes xhaxhai i tij. Në afërsi me të jeton vajza Tatjana Llarina, e cila bie në dashuri me të. Në kundërshtim me normat e etikës së kohës, ajo i shkruan një letër dashurie Onjeginit, por ai nuk e pranon dashurinë e saj, e refuzon duke i bërë predikime morale. Megjithëse ai është mësuar me një jetë të shthurur mondane, ai tregohet i kujdesshëm dhe i sinqertë, e shmang tundimin e çastit për të përfituar nga naiviteti i ndjenjave të saj të pastra. Onjegini, pas një grindjeje të kotë, vret në duel mikun e vet poet, Lenskin. I tronditur nga kjo ndodhi absurde tragjike, ai largohet nga fshati, Pas vitesh ai takon papritur Tatjanën, së cilës ia pat mohuar dashurinë dhe i shfaq asaj dashurinë, por ajo nuk e pranon, megjithëse dashuria e saj për të ende jeton në zemrën e saj. Ajo tashmë është e martuar dhe i mbetet besnike burrit të vet.
Romani ka tre heronj: Onjeginin, Tatjanën dhe vetë Pushkinin.
Nëpërmjet peripecive e ndodhive, të njohjes dhe të raporteve intime midis Onjeginit dhe Tatjanës si dhe të familjes së saj, Pushkini pasqyron një tematikë të pasur të jetës së përditshme, të dashurisë, të martesës, mbi detyrimin bashkëshortor dhe besnikërinë, mbi probleme të jetës dhe të vdekjes. Sipas vlerësimit të kritikut dhe studjuesit të njohur V. Belinski, romani është “një tablo besnike e realitetit të shoqërisë ruse në një epokë të njohur”.
Pushkini vetë është dhe një personazh i romanit. Autori pohon se ai, jo vetëm e ka njohur dhe ka patur miqësi me Onjeginin, por kjo e ka ndihmuar atë që të shpalosë mentalitetin, shijet dhe karakterin e personazhit kryesor si një përfaqësues i një brezi të tërë me dritëhijet e veta morale dhe psikologjike të epokës së vet.
Te Pushkini kemi narratorin dhe lirikun, i cili përshfaq zërin dhe zemrën e vet. Ai kalon nga notat e ngrohta lirike apo nostalgjike, në nota të lehta ironike ndaj veprimeve të personazheve si dhe ndaj gjykimeve të ngjarjeve dhe të problemeve të jetës së shoqërisë ruse, të traditave dhe të zakoneve të saj. Kjo simetri kompozicionale i ka dhënë autorit mundësinë që të përcjellë edhe gjykimet e veta mbi artin, estetikën, dashurinë, natyrën dhe mbi biografinë e vet.
Pushkini, duke u larguar shpesh nga subjekti i romanit, me meditimet e veta mbresëlënëse, i zgjeron, jo vetëm kufijtë e subjektit, por dhe natyrën e ligjërimit të vet, duke e bërë veprën sa lirike, njëherësh edhe realiste, larg sentencave romantizante dhe natyraliste.
Romani në vargje “Eugjen Onjegini” është një roman realist, i cili gërsheton në mënyrë fantastike “prozën” dhe “lirikën”, vërtetësinë e jetës shoqërore me ndjeshmërinë e hollë të lirizmit dhe të ironisë brilante genuine. Novatorizmi i tij në këtë gjini ka të bëjë dhe me metrikën perfekte dhe ritmikën strikte të realizuar nëpërmjet strofës së veçantë katërmbëdhjetë vargëshe, që ka marrë emrin “strofa onjegiane” me një kombinim të rrallë rimash, të cilat e mbajnë të intonuar dhe të lirshme rrjedhshmërinë e subjektit romanesk,
Romani në vargje “Eugjen Onjegini” mbetet një vepër poetike e veçantë dhe e papërsëritshme në llojin e vet, jo vetëm në letërsinë ruse, por dhe në atë botërore.
© Vangjush Ziko











