Letërsi

Nga Lasgush Poradeci: Zog’ i qiejve

Këng’ e lasht’ e vjershërisë më pëlqeu aq fare pak...

Do t’ja marr që sot e tutje si bilbili parëverak.

Që nga fund’ i vetëvetes do këndoj një mall të ri:

Brenda tufës së junapit që mbleroj me kaq stoli;

Kur po shoh ndaj ryn bilbili e sakaq ze qan nër fletë,

Këng’ e ti më ngjan kulluar posi këng’ e Zotit-Vetë.

E prandaj, dyke filluar, ay Lart i shpíje kryet

Dh’i ngreh sipër-e-më-sipër gjer sa qafa ment i thyet.

Asohere-e ndjej si dridhet me një zë pa shëmbëllim

Asohere-e ndjej si foli: Të jam falë, - o Zoti im!

E pastaj i ulet gusha më-përposh-e-më-përposh,

I venitet me-nga-dale syri-i-qarë-e bukurosh.

Ay sheh që nëpër fletë me vështrimin e çuditur

Ndaj çkëlqen nër mijë gjyra Vënd’i ti ku pati sbritur.

E pra ja q’i mbylli sytë, e që gojëzën e hapi:

Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vënd o vënd ku çel junapi!

Haj! Bilbil, se Vëndi jonë ka liqere-e anë detesh,

Nëpër bimëzat e tyre po vërej si qan e tretesh;

Po dëgjoj prej largësire, si nër male.e si nër fusha,

Si nër kopshte jargavanësh dhemshurisht të fryhet gusha;

E çdo lis të gjelbër, e çdo pemë-e çdo rakitê,

E çdo bar i lulëzuar ças-për-ças t’i ndjen çuditë...

Ti këndon, o zog i pastër, ti këndon, këndon përherë,

Pa pushim të del nga zemra vaj’ e tingëllit të mjerë;

Ti vajton me zë të fshehur, se një zjarr kupton në gji:

Dheut! Ah dheut të përtëritur sot i falesh përsëri!

E si rron në gji të dherit dit-për-ditë-e nat-për-natë,

Gjir i dherit ku rreh jeta të fal brengë e përgjëratë:

Se prej mallit që të thyen permes pamjeve të tija,

Mun në fund të zembërës s’ate ritet fshehur dashurija.

E si ritet prej së fellash, më një ças fillon të nisë

Kënga jote-e papandehur q’është fjal’e dashurisë.

Ajo ngrihet…ngrihet…ngrihet…dhemshurisht e dyke qarë,

Pastaj sbret e parpalitet si një fluturëz e vrarë.

E kështu ti qan pareshtur bukuritë-e dashuritë,

Prej qepallës së përlotur të pikon një pik’e ngritë.

Asohere kënga jote shuhet dyke psherëtitur;

Ti fillon ta rrahish mendjen, e buçet me shpirt të mitur:

Se ç’gëzim përjetësije! E se ç’mall! E ç’dëshirime

Të pat falur dashurija në të qarët e një grime!

Prej dëshirës së zhuritur q’i dhe këngëvet, o zog,

Rrodhi vesa mëngjezore përmi lule borsilog...

Përmi lule ku rreh djelli ndrin me zjarr si pikë loti,

Zjarri fërfëllon e ngrihet me vetijen më-përpjetë-e-më-përpjetë,

Si mendim me hov të letë valon qiejve ti vetë:

Ha! Ç’të zotëroi Drita! Ç’të përshkoj një Gas i ri!

Seç të ndjell një Frymë-e largë tej nëpër paanësi!...

Nër paanësi të ndrijnë yjt’ e ndezur larg-e-më-larg...

…………………………………………………….............................. ...

Që nga bota njerëzore, ku këndoj me shpirtin plot,

Prit-e, prit! Se po t’afrohet Zog’i Qíejvet, o Zot!

Fal-i Këngëtar-finoshit Gas të Thjeshtë mun në gji:

Posi lot në reze djelli ndrit-e në Përjetësi!

 

Tagged under Lasgush Poradeci