Mbi tri enigmat e krijimtarisë poetike - Nga Vangjush Ziko
(Sinops)
Poezia është një nga format e krijimtarisë letrare, e cila krijon vlera origjinale të ligjshmërive të fakteve dhe të vetive të padukshme dhe të panjohura të botës materiale dhe të asaj shpirtërore, na thotë filozofia e krijimtarisë artistike.
Tri, nga shumë enigma të krijimtarisë poetike janë: Procesi i njohjes, Figuracioni artistik dhe Procesi i poetizimit, Stili.
Procesi i njohjes
Eigma e parë e procesit krijues është Procesi i njohjes.
Gjatë këtij procesi poeti përdor procesin analitik dhe atë intuitiv.
Teorikisht, procesi analitik lidhet me edukimin e aftësive për ta riprodhuar realitetin artistikisht, kurse procesi intuitiv, nënkupton potencialin individual krijues.
Një nga magjitë e krijimtarisë poetike është shndërrimi i padukshmërisë së fakteve dhe të vetive të padukshme dhe të panjohura në dukshmëri.
Ashtu si e vërteta e krijimit të universit është e pakapshme nga arsyeja njerëzore edhe procesi i krijimtarisë poetike vishet nga mjegulla mistike e krijimit, jo vetëm për të tjerët, por edhe për vetë poetët.
Dukshmëria në krijimtarinë poetike nënkupton përpjekjen për të zhvendosur idetë vizuale në shtrirje verbale. Kjo zhvendosje nënkupton zhvendosjen e konfiguracionit hapësinor në një tekst verbal. Teksti i fjalëve është “materializimi” semantik i konfiguracionit hapësinor që na rrethon. Në këtë mënyrë, ky konfiguracion hapësinor i palexueshëme bëhet “real”.
Pikërisht, kjo fuqi semantike e tekstit poetik organizon kuptimet tona njëlloj siç bën bota që na rrethon me ligjshmëritë e saj ontologjike, të cilat orvaten të përshkruajnë apo të vendosin kategoritë bazë të koncepteve të realitetit dhe të natyrës së të qënit, ndër të cilat janë edhe kategoritë estetike. Kapja dhe leximi i kësaj dukshmërie është i ndryshëm dhe jo i njëllojtë për të gjithë krijuesit. Shndërrimi i së padukshmes në të dukshmen është një nga enigmat më të çuditshme të krijimtarisë poetike.
Bukur e përshkruan këtë enigmë Pushkini duke e krahasuar frymëzimin me anijen me vela: “...Dhe dora kërkon penën dhe letrën sa më parë...dhe velat u shpalosën...Lundron. Për ku po shkojmë?...”.
Kurse Novalis e quan “mënçuri” kuptimin e fshehur të procesit krijues poetik.
Ky proces i kërkimit kompleks kërkon sasi kohore të ndryshme që të kristalizohet.
Majakovski i kushtonte rëndësi të veçantë njohjes dhe ndjeshmërisë së situatës qëllimore.
Kurse Michel Houellebecq e quan procesin e krijimtarisë poetike një kalvar torturues të plagëve të njëpasnjëshme që i shkakton jeta poetit.
Poeti futurist, V. Hlebnikovi, kishte dhuntinë e kapjes të së tërës njëheresh, në mënyrë vizionare: “Agimi i së ardhmes/ kullot i qetë me hijet e së kaluarës”, shkruan ai.
Moikom Zeqo në themel të procesit krijues ka konceptualitetin, që përfshin në vetvete të sotmen, bashkë me të shkuarën dhe të ardhmen, si sintezë të kohërave shpirtërore.
Poeti konstruktivist D. Prigov thotë: “Nuk shkruaj vargje të veçanta. Unë e bëj verbale hapësirën poetike”.
Procesi krijues është i ndryshëm sepse psikologjia e krijimtarisë është e lidhur ngushtë me procesin psikologjik të secili krijues, me aftësinë dhe dhuntinë, me imagjinatën e krijuesit për zbulimin dhe nxjerrjen në shesh të së panjohurës.
Figuracioni artistik
Një enigmë tjetër është Figuracioni artistik me të cilin vishet poezia.
Figuracioni artistik, nuk është gjë tjetër, veçse forma konkrete emocionale e rikrijimit të realitetit që na rrethon. E vërteta artistike është një kategori universale estetike. Kjo e vërtetë gjithmonë merret si sinonim i së bukurës.
Shumë krijues e kanë quajtur të vërtetën poetike sinonim të së vërtetës.
F. Dostojevski ka shkruar: “Me besnikërinë e së vërtetës poetike mund të japësh më shumë mbi historinë sesa vetëm me të vërtetën historike”.
Moikom Zeqo, duke iu referuar thënies së Ernest Bloch, pohon se “e vërteta mbart me qenien e saj madje dhe të paqenën, e rrok krejt mundësinë e një qenie thuajse utopike”.
Kjo pohon paradigmën se në art e vërteta bëhet e vërtetë kur e kapërcen vetë vetveten.
Toma Akuini theksonte se duhet pasqyruar jo aq bota e dukshme sesa ajo, e cila është e pamundur ta kapim me shqisat tona.
E vërteta artistike, pohon J. Brodski, është në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me procesin e krijimit të figurave artistike, ku merr pjesë jo vetëm shkalla e procesit të njohjes, por edhe ndjeshmëria. Sa më e lartë që të jetë kjo ndjeshmëri, aq më afër së vërtetës hapësinore është e vërteta poetike. E vërteta artistike nuk është kurrë e njëjtë me të vërtetën absolute.
Aristoteli shkruan: “Përsa u përket kërkesave të poezisë, gjëja e pamundur, por e ngjashme, pëlqehet më shumë nga ajo që është e mundur, jo e ngjashme”.
E vëteta artistike, pra, është e vërteta e mundshme. Është efekti emocional-estetik i krijimtarisë poetike, është ajo që na krijon iluzionin e realitetit.
Procesi i poetizimit dhe Stili
Një enigmë e llojit të veçantë e procesit krijues është edhe përcjellja e së vërtetës artistike te lexuesi.
Komunikimi psiko-fizik i poetit, i krijimtarisë së tij me lexuesin, është një aksiomë e padiskutueshme e jetëgjatësisë dhe e misionit të poezisë.
Kjo është enigma e enigmave të krijimtarisë poetike, e cila lidhet drejtpërdrejt me stilistikën poetike dhe me vetë Stilin.
Stilistika poetike studion sistemin figurativ, fabulën, temperamentin.
Fjala në poezi nuk është thjesht si fjalë, që prezanton një send, por një fjalë, e cila e tejkalon sendin.
R. O. Jakobsoni sjell një shembull praktik antonim: peshku (A) dhe peshku i fërguar në vaj (A1), ndryshojnë cilësisht. Fjala A përfton një peshë dhe vlerë të ndryshme gjatë procesit krijues. A1 nuk është më, thjesht, fjala A, ka një cilësi të re, të shtuar në vetvete. Ka ndodhur kështu “procesi i poetizimit” të saj.
Ky proces luan një rol të madh në përcaktimin e Stilit poetik.
Stili është tërësia e mjeteve artistike karakteristike, fjalori, toni i ligjëratës poetike, kombinimi i të cilave kalon nëpërmjet një procesi intelektual, që Moikom Zeqo e quan “përpjekje mendore dhe laboratorike”.
Stili poetik është i lidhur ngushtë sa me anën subjektive po aq edhe me atë objektive. Ai realizohet në një periudhë të caktuar historike.
Këtë e dëshmojnë edhe ekzistenca e rrymave dhe e stileve të ndryshme poetike:
Stilin realist e interesojnë njerëzit dhe sendet, rregullsia, raportet e njeriut me natyrën.
Stili romantik, pasqyron pozicionin subjektiv ndaj asaj që pasqyron, ai jo aq krijon se sa rikrijon.
Sentimentalizmin e interesojnë lëvizjet e shpirtit, mendimit, të ndjenjave, përjetimeve.
Impresionizmi pasqyron mbresat e çastit që kurrë më nuk përsëriten.
Simbolizmin e karakterizon njohja intuitive dhe zbulimi i thelbit ideal shpirtëror.
Futurizmi nëkupton eksperimentimin me fjalën dhe vendosjen e unit poetik mbi gjithçka.
Ekspresionizmi i mëshon shprehjes së botës së brëndshme dhe pasqyrimit të transformuar të realitetit.
Konceptualizmi punon, kryesisht, me konceptet, me idetë.
Dikush e ka quajtur stilin një dhunti hyjnore.
Një tjetër, një shfaqje të natyrshme spontane.
Stili është njeriu, është “zëri” i poetit.
Gjithmonë bëhet fjalë për stilin genuin, të vetëlindur dhe të papërsëritshëm.
© Vangjush Ziko











