Opinione

Shoqëria shqiptare e kërcënuar nga banaliteti - Vangjush Saro

Shumëkush mendon se kur themi banalitet, kemi parasysh ndonjë fjalë të pistë dhe kaq. ‘Termi’ e ka zgjeruar tash ‘perandorinë’ e vet… Shikoni sa e pistë, banale dhe e pabesë është politika.

Skenare nga më të përçudnuarit dhe aleanca nga më të habitshmet për të shpëtuar lëkurën. Reforma që nisen jo për të rregulluar ndonjë gjë, por për të coptuar kundërshtarët ose konkurentët. Sapo është rrëzuar Projektligji për Lustracionin, i cili përjashtonte politikanët e lodhur e të mërzitshëm, njëfarësoj… banalitetin.

Kjo dukuri po bëhet dita-ditës epidemi, e ka kapur për zverku shoqërinë shqiptare, po e kërcënon paprerë; më shumë se varfëria, më shumë se mungesa e perspektivës, më shumë se çdo fatkeqësi tjetër, përfshi tërmetet dhe pandemitë. Është një agresivitet i paparë: në Kuvend, në administratë, në studio televizive, në gazeta, në rrjete sociale, në rrugë…

Është një degradim i shpejtë dhe i pakuptueshëm i një pjese të madhe të shoqërisë shqiptare, degradim në të cilin, për fat të keq, përfshihen edhe ata që mëtojnë të quhen intelektualë a çfarë i thonë… (“Nuk ka asgjë më të shëmtuar, më fyese dhe më depresive, se sa banaliteti”. A. Çehov)

Banaliteti, si unë e kuptoj, përveçse përsëritje gjer në shëmti dhe zvetënim i një gjesti a përvoje pa vlerë, në një kuptim më të gjerë është rënia e një shoqërie dhe e një qytetarie në nivelet më të ulëta, është ikja nga risitë, ëndrrat dhe idealizmi, është mpleksja e klaneve, institucioneve dhe individëve në një kakofoni që të angushton.

Ja pamja, pa e zbukuruar fare: Politikanët dhe mediet japin e marrin orë e çast me oligarkët, duke shkëmbyer para dhe interesa të fëlliqura. Në Kuvend, janë dëgjuar lloj-lloj broçkullash e marrëzish, ndërsa ai institucion duhej të ishte tempulli i demokracisë dhe qytetërimit.

Emisione të TV dhe disa të ashtuquajtura ‘show’, për hir të fitimeve, e përdorin banalitetin dhe nënkuptimet më të pista e më të errëta për t’i ‘argëtuar’ e për t’i ‘gajasur’ shikuesit; ndër ta, shumica fëmijë e të rinj. (“Je i lirë, prandaj dhe je i humbur.” F. Kafka)

Mund ta zgjerojmë edhe më fokusin. Sot, deliri dhe ngopja me vetveten është bërë një mani. Njerëzve u flet, u kërkon një ide, u kujton njëlloj reciprociteti, ata thonë ‘ëhë’ dhe s’e ngrenë kokën nga celulari a rrjeti, ku thashethemi e lojërat bëjnë ligjin. Edhe ajo fyçka më e fundit, në medie a rrjete, kakaris që të të japë mend, edhe pse vetëm dy libra ka lexuar gjer më sot.

Një pjesë e mirë e burrave dhe djemve e bëjnë kokën tullë dhe ngallosen nëpër trup, në fytyrë e në krahë, me lloj-lloj tatuazhe, sikur të parët e kohës së shpellave që lyenin fytyrat për të trembur bishat. Prodhuesit e lojërave elektronike dhe të programeve gjithfarë kujdesen që në to të ketë sa më shumë dhunë, arrogancë, qenie të fantaksura, ndërkohë që shumë nga prindërit, psikologët, por edhe entet qeverisëse heshtin; ose iu hedhin një sy për vete dhe argëtohen…

Banaliteti po merr përmasa të frikshme. Kur jetonim në Tiranë, sa pa e humbur punën për shkak të shkrimeve që s’u vinin pas avazit gjojademokratëve dhe provincialëve, çdo mëngjes përcillja për në punë e shkollë gruan dhe vajzën e vogël. S’isha shumë i zoti në timon.

Në kthim, duke ardhur nga rrugica që niste prej shkollës “Niket Dardani”, prisja një copë herë të mirë për të dalë në bulevardin kryesor. Po pse qëndronte e të hapte rrugë njeri! I vetmi që më linte të kaloja (me sa dukej kishim orar të përafërt) ishte këngëtari Aleksandër Gjoka, që atëherë kishte një Golf 2, copë-copë, si edhe imi. Më vinte mirë; ‘artist mo vëlla’, thosha me vete.

Nuk njihesha me të. Më pëlqente zëri i veçantë i tij dhe disa nga këngët me lirika të shkruara bukur… Jam skandalizuar kur pashë në shtyp këto ditë se si i qe vërsulur ai Kryeministrit me fjalët më të pista…

Unë sapo thashë më lart që modeli më i mirë i banalitetit janë këta politikanë pa parime, pa shpirt, me mendjen te paraja dhe pushteti; qasja e tyre në jetën e vendit, është skandaloze, për të qarë hallin. (Një ditë më parë, kisha lexuar që z. Kryeministër… e kishte gdhirë duke parë filmin “Gangs of London”.)

Le t’i lëmë njerëzit në pasionet dhe modelin e tyre të jetës - edhe pse ndokush mund të mendojë që mbase zyrtarët e lartë e gdhijnë duke punuar a vrarë mendjen si ta çojnë më përpara vendin - dhe le të kthehemi te banaliteti.

Të prishësh tinëz një godinë të artit, pasi që nuk je marrë vesh me komunitetin se ç’do të bëhet më tej, sa sipërfaqe do të vidhet e do të bëhet kullë, është njëlloj banaliteti; në mos më shumë.

T’i detyrosh njerëzit të mbyllen brenda vend e pa vend, madje duke u tallur me ta, është gjithaq banale. Por kjo nuk i jep askujt të drejtën të përdorë pa kurrfarë vetpërmbajtjeje, fjalor vulgar, rrugaçëror; nuk besoj se ndodh kund dhe nuk besoj se njerëzve të letrave e të artit u shkon për shtat. Ky është problem ynë i gjithanshëm, banaliteti shkapërdridhet gjithandej.

Këto ditë, edhe humoristi Agron Llakaj, që, siç kam shkruar edhe më parë, është protagonist i disa shfaqjeve ku teprohet me fjalorin dhe nënkuptimet e hapura e të papranueshme, që nga “Portokalli” e më tej, aktori i njohur pra, është parë në shtyp të ankohet kundër banalitetit dhe teprimeve. (Kritika adresohej drejtpërsëdrejti te Top Channel, emisioni “Aventurierët”.)

Me sa duket, punët kanë shkuar keq e më keq, sidomos me këto ‘reality show’; (se këta përdorin edhe fjalor të huaj, pa e ditur që kjo majmunëri është gjithaq shfaqje e banalitetit.) Ani. Ngado të hedhësh sytë, pamja banale është.

Historia vazhdon me nivelin e ulët të shumë botimeve, të cilat, për turp, ‘quhen’ letërsi apo tekst shkollor e ku gabimet skandaloze, logjike e gjuhësore, të prezantojnë me gjithfarë shkrues e shkruese që ‘pallmën’ e kanë të madhe, por ta shpifin me vanitetin dhe delirancën e tyre; dhe po ua vure në dukje këto gabime apo sjellje të pahir, ikin nga fjala dhe debati, të bëjnë edhe hasha, duke demonstruar sërish klas të ulët dhe gjeste të tjera banale.

Vërtet J. Hashek na mëson se jeta nuk është një shkollë e sjelljeve fisnike, por edhe kështu, folë e pështy si të mundesh, nuk shkon… Sidoqoftë e që të fokusohemi në boshtin e këtij shënimi, vendi duhet të dalë nga ngërçi i banalitetit; së paku kjo duhet ditur e duhet apeluar.

Është e trishtë të bjerë kaq poshtë ajo shoqëri, sa të pajtohet me çdolloj dhune, banaliteti e mjerimi kulturor, të bëhet pre e mediokritetit, e tekave të politikanëve dhe VIP-ave qesharakë, e telenovelave soj-soj, e sharjeve të rënda dhe dasive krahinore e kohore; të shahen njerëzit me libër shtëpie, të kapen për flokësh, të kërcënojnë, të mallkojnë, kjo e gjitha është me të vërtetë tepër…

Shqipëria duhet të shikojë ku po shkon, sa nuk është vonë. Qytetarët dhe intelektualët që s’i duan shijet dhe qasjet banale, më së pari duhet të marrin në dorë ‘timonin’… Ju kujtohet ai debati për ‘timonin’? Epo, po gremiset makina, duhet ta shpëtojmë!