Opinione

Kadare, Lubonja, Qemal Lamet dhe shoqëria shqiptare pa kujtesë - Nga Atena Bishka

Atena Bishka - Toronto

Ismail Kadare është shumë gjëra njëherësh. Më së pari është çelës me të cilin mund të hapësh shumë dyer odash rrezëllitëse sa shqiptare edhe universale, por edhe kthinash të errta e të fshehta njerëzore, madje deri edhe skuta që ndoshta (si për çdo vdektar tjetër) mund të mos duash të dish se ekzistojnë. Por, në planin më të thjeshtë dhe më të dukshëm për mua Kadare mbetet një shkrimtar që ka luajtur rol ndriçimi, shpëtimi dhe pasurimi në vitet e formimit, kur ndikime kontemporane të kalibrit të tij e sidomos të brumit shqiptar ishin të rralla, për të mos thënë nuk kishte.

Por, veprimtaria dhe prodhimtaria e tij si shkrimtar do të ishin të pamundura po të mos ekzistonin një sërë rrafshesh të tjera të ndërthurura brenda individit dhe figurës publike si shkrimtar. Këto kanë qenë të ndikuara e të skalitura fort nga konteksti i regjimit diktatorial, që edhe e mëkoi mbrothësimin e tij si shkrimtar për leverdinë e vet s’do mend, por që gjithaq edhe terrorizoi dhe e manipuloi me një mori fijesh me të cilat e mbante të lidhur duke e paraqitur si zog të lirë.

Kadareja e luajti "nature" (talentin neto te tij) dhe "nurture" (inkurajimin prej mjedisit dhe establishmentit) si askush, duke qenë syhapur, i ndërgjegjshëm, dhe kalkulativ, e madje edhe duke mjelë për bukuri regjimin e duke u siguruar te ishte shahisti fitimtar e perfundimtar në lojë (jo i humburi, as skllavi). Dhe unë pothuaj s'njoh kërrkënd që të mos i jetë përkulur sadopak regjimit të para 90-s, qoftë edhe përmes heshtjes – sepse heshtja përgjigje është, shpesh prej të dobtit.

Edhe, po, më sëmbon qoftë edhe "kthimi i kokës menjëane", prej etërve e bijve, sepse apatia, frika, tulatja dhe të shtirurit se "ne kuptojmë shumë mirë, shpirti e mendja s'na e duron këtë gjendje, do të donim diçka tjetër, por, ja që, s'kemi c'të bejmë," shpreh me elokuencë mendësinë prej skllavi. Kjo përulësi prej butaku e ka gjithnjë një çmim - çmim të lartë, prej të cilit, do apo s’do, s'është e mundur të shpëtosh, veç në mos të pëlqeftë të mbash sytë mbyllur e të vijosh gjumin.

Si çdo shqiptar - cilido shqiptar i asaj kohe - Kadareja mbante në shpirt dhe në mendje përgjegjësinë individuale, për veprimet dhe mos-veprimet e tij. Nuk mund t’i shpëtojë, së paku, kryqit e gjyqit personal. Këtu ka vend sa të duash për të diskutuar dhe historia zor se do ta rreshti gjykimin. Çdo gabim e çdo mëkat i së kaluarës, regjistrohet në librin e madh të kohës, dhe sa më lartë në hierarki të pushtetit, të prestigjit dhe të influencës, aq më me peshë mangësitë e të metat dhe vendi që ato zenë në regjistrin e historisë.

Fatos Lubonja e ka cekur si askush këtë aspekt, shpesh, dhe ashtu siç e mendon, pa doreza - pavarësisht se zor të ketë përputhje opinionesh - përfshirë edhe një intervistë 2-pjesëshe, botuar këto ditë në gazetën Panorama.

Por, mua më interesojnë veçanërisht, figura të tilla si Qemal Lame, që s’e kanë për gjë të qëndisin memuarë dhe të tregojnë histori sipas midesë, të cilat publikohen pa asnjë problem e qëndrim kritik. Më e lemerishmja këtu është tolerimi, indiferenca dhe qëndrimi i shoqërisë shqiptare. Sjellja e saj është si sjellje e një shoqërie që s’ka kujtesë, që s’mban mend asgjë, që s’do t’ia dijë, që s’indinjohet, a thua se vuan nga çrregullimi post-traumatik. Me fjalë të tjera është aq e mpirë, aq e drunjëzuar në paralizën e saj mendore, sa nuk është në gjendje të ndjejë dhimbje.

Edhe nëse kjo dhimbje ekziston, ngjan sikur s’është aq e mprehtë dhe e padurueshme sa ta detyrojë mendjen ta artikulojë me doemos, madje ta ulërijë atë që ndjen, me qëllim që nëpërmjet këtij procesi të shqyrtohet sjellja për të kuptuar se pse e në ç’mënyrë u zvetënua. Kujtesa nëse ka vlerë, ka vlerë vetëm për të nxënë mësime prej gabimeve. Ky është roli i kujtesës. Përndryshe, pak vlerë ka të kujtosh.

Dhe prandaj mendoj se këto fjalë të Fatos Lubonjës kanë shumë peshë, veçanërisht sa i takon jo një, por shumë Qemal Lameve që s’mungojnë e qe lëvrijnë lart e poshtë shtypit, kthyer në ligatine, pa e prishur terezinë:

"… duke lexuar librat e shumë autorëve të memuaristikës sonë, nuk mund të mos ngresh pyetjen: Cili është problemi, nevoja dominante që e ka shtyrë autorin të shkruajë për të kaluarën e tij e tonën? A e ka shtyrë ndonjë vuajtje nga “burgu i ri”, nga i cili kërkon të çlirohet dhe të çlirojë shoqërinë? Absolutisht jo. Qasja e memuaristikës së simulimit dhe manipulimit nuk niset nga këto vuajtje e shqetësime, por nga nevoja që ka elita e djeshme për të legjitimuar pushtetin e sotëm. Dhe kjo e ka çuar në mbushjen e historisë me vetëmburrje e heroizma që nuk shpjegojnë dot as nënshtrimin e vuajtjen e djeshme dhe as atë të sotmen. Që të heqim qafe prangat e së sotmes, na duhet një qasje tjetër ndaj së djeshmes, ku rrëfimin e heroizmit tonë të rremë ta zëvendësojë njohja e mekanizmave të nënshtrimit tonë të vërtetë, brenda vetes sonë më së pari, e pastaj duke e ndarë këtë njohje me të tjerët e duke kërkuar së bashku instrumentet e çlirimit."

©Atena Bishka