2 Korriku i Kaçanikut apo 2 Korriku i Ramiz Alisë? - Nga Dritan Goxhaj
Sot më datë 2 Korrik te gjitha mediat dhe pothuajse gjithkush, përfshi edhe shumë miq të mi, janë marrë vetëm me përkujtimin e eksodit të ndodhur në këtë datë në vitin 1990. Dhe për çudi, askush, jo nga miqtë, por të paktën nga media të merrej me një ngjarje madhore dhe tepër të rëndesishme që ndodhi në këtë datë në pjesën tjetër të Shqipërisë së Ismail Qemalit, në Kosovë.
Në këtë datë në Kosovë, deputetët e Kuvendit të Kosovës shpallën Deklaratën e Pavarësisë të Republikës së Kosovës. Dhe për çudi as atëherë, as deri më sot, e as sot, asnjë institucion, historian ose media nuk e ka analizuar si është e mundur që në të njëjtën ditë që shpallej pavarësia e Kosovës e gjendur nën okupimin Serb, qeveria e Ramiz Alisë, lejonte në mënyrë të organizuar eksodin, futjen e njerëzve nëpër ambasadat e huaja, te të cilat një ditë më parë nuk guxoje as të afroheshe 100 m, e jo më të mendoje se mund të hyje.
Pra, jo shqiptari Ramiz Alia që Nexhmija na e bëri peshqesh bashkë me Enverin, u vu haptazi në shërbim të Sërbisë, pasi duke organizuar atë eksod, tërhiqte gjithë vëmendjen mediatike dhe të opinionit nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Dhe vërtet kështu ndodhi. As në Shqipëri, por askund në Evropë apo në Amerikë nuk foli kush për Kosovën, por u fol vetëm për hyrjen e organizuar nga Sigurimi i Shtetit me direktiva të partisë mëmë, Partisë së Punës, në ambasada.
Dhe po ky Ramizi që me këtë veprim e vuri gjithë aparatin shtetëror shqiptar në shërbim të interesit serb, na bëri peshqesh pastaj Fatos Nanon e Sali Berishën, në atë që quhet tranzicioni në demokraci. Ndërsa sot kemi në pushtet të birin e një shërbëtori të pushtetit të Partisë së Punës që qartësisht në 2 Korrik u vu në shërbim të Serbisë. Dhe sot, shumë çuditen se pse Rama ngul këmbë për “Mini-Shengenin”, për një Jugosllavi të re. Po shumë thjesht, si i thonë asaj shprehjes: ha njëherë njeriu një lugë çorbë të prishur e vjell gjithë jetën pastaj.
Kështu edhe puna e këtyre, këtë çorbën e prishur e kanë ngrënë familjarisht, pasi familjarisht ia kanë shijuar të mirat atij sistemi, e sot, në një hiprokizi të pamasë na e servirin atë epokë, të artë për ta e familjet e tyre si një të keqe kombëtare. Duke u munduar të na mbushin mendjen edhe pse ata vetë u shkolluan e u brumosën në atë epokë, si dhe duke i shfrytëzuar në maksimum privilegjet e atij sistemi të asaj epoke, në të cilin tashti dëshërojnë të na bindin se këta as që kanë qënë prezent. Dhe mbi këtë moral të dyshimtë të tyre njerëzor dhe intelektual, na kanë servirur një pseudodemokraci të tyre si kamuflim të autoritarizmit të brumosur thellë në ndërgjegjen e tyre.
Ndaj unë sot dua të përkujtoj 2 Korrikun e Kaçanikut, dhe jo 2 Korrikun e Sigurimit të Shtetit. Pasi ndihem më shumë krenar me veprimin e atij kuvendi në Kosovë atë ditë në Kaçanik, sesa me ikjen, çmëndurinë kolektive me dirigjim partie në Tiranë. Sërish edhe sot historia po tallet me ne që nuk kemi arritur akoma që në ndërgjegjen tonë të peshojmë se cili 2 Korrik ka më shumë vlerë historike: 2 Korriku i Kaçanikut apo 2 Korriku i Ramiz Alisë?
©Dritan Goxhaj












