Opinione

Vila e turpit ose si po projektohet ruajtja e historisë komuniste - Nga Alba Kepi

Alba Kepi - Romë

Pasivë, pa shpirt e emocion lexojmë këtë vendim fat, ku të huajt janë veç lajmësit e një autorësie të vjetër.

E tha "i huaji", sipas "të huajve", specialisti "i huaj", kompania "e huaj", diplomatët "e huaj", media "e huaj", po shërbehen si alibia perfekte e një të vërtete absolute për çdo hall shqiptar.

"I huaji" i Kamysë, është alegoria e përkryer e një mentaliteti pa ndjenja e emocion ku çdo pergjigje,o vendim, nuk ka asnjë rëndësi e shkon drejt fatit pa asnjë interes, në heshtje, pa kundërshtuar o pa u penduar.

E në këtë ditë Korriku 2021, mes variantesh virusi, flakësh të nxehti, aksidente tragjike e rrëmuja sociale no Vax e no Pass, po nga "i huaji" vjen vendimi, i shërbyer përmes një medie të "huaj", që publikon një projekt "të huaj", realizuar nga një arkitekte "e huaj", për Shqipërinë.

E po në gjuhë të huaj e boton i vetëm, një portal shqiptar.  

Rrethi mediatik u kopsit perfekt për veshjen serioze të një lajmi "bombë".

Një media e huaj interviston një profesioniste të huaj e publikohet në një media shqiptare që shkruan shumë në gjuhë të huaj përmes "misionarëve" të saj shqiptarë.

Kjo lojë fjalësh lodhëse, është vetëm prologu i një tjetër skandali turpi me të cilin po përpiqen ta veshin Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë.

Qytetin më antikomunist në Shqipëri, me patriotë, mendimtarë, luftëtarë, pronarë e tregtarë autoktonë, që iu dedikuan zhvillimit e lirisë së territorit të tyre, po e c'përfytyrojnë me njollat e turpit të një historie që nuk i përket.

Pas Muzeut të gjetheve, bunkerëve e tuneleve të diktaturës, Piramidës e rrugëve me emra pa histori, një tjetër muze komunist po i shtohet Tiranës.

Eshtë Vila e ish-diktatorit.

Në pronësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare Shqiptare, "të huajt" na informojnë se së shpejti do të jetë një muze i vizitueshëm, mbi historikun e jetesës së diktatorit.

E me ftohtësinë e asaj c'ka përcjell shprehja tironse "si në gjo të huj", arkitektja britanike përmes një media po britanike, shprehet entuziaste për projektin e saj në pabesueshmërinë e autopromovimit.

"Njerëz me mjekërr do t'i bien trombës", thotë ajo, kur muzika më e bukur e kopshteve tona është klarineta e orkestrës e saksi i çunave të Liqenit.

Por ky projekt vjetërsisht i ri, na kujton kohën e qeverisë Nano, kur Vila e Turpit u propozua për të qënë Muze-hotel me një çmim nate 10 euro, në monedhën e sapo hyrë në qarkullim. Qe "largpamësia e ish-kryeministrit të asaj kohe o motive të tjera", që kërkesa e ish-ministrit të Kulturës, E. Rama të hidhej poshtë.

E njëjta kërkesë "e re", e vjeter, u ripërsërit në qeverinë Majko, e mbeti po pa përgjigje.

E sot shumë më i plakur Projekti Muze, Hotel-Vila Muze e Turpit na vjen nga Britania.

Pasivë, menefregistë, pa shpirt e emocion lexojmë këtë vendim fat, ku të huajt janë veç lajmësit e një autorësie të vjetër.

Si "n'gjonë e huj" do thoshin tironsit e si "n'gjonë e huj" po projektohet ruajtja e historisë komuniste, me të njëjta metoda e manipulime si të idhullit të saj Enver Hoxha.

Në qytetin në të cilin po zhduken rrënjët e historiografisë së lindjes e formimit të tij, ku po shkatërrohet çdo dëshmi e gjurmë e identitetit autokton, ku po shembet çdo objekt i arkitekturës urbane, në qytetin e lënë qëllimisht pa muze e pa institucion të kulturës tradicionale, në qytetin ku banorët autoktonë nuk bënë kurrë kompromis me diktaturën, komunizmi nuk është zhdukur.

Më i egër se baballarët e tij, shfryhet kundër qytetit e banorëve frikësisht më diabolik se dje.

Të kapin ç'të mundin, e pa investuar asgjë, hartojnë dosjen projektuale për të përfituar fondet e huaja për ta ristrukturuar.

Vila e Turpit është shembulli perfekt i qytetit e i banorëve të saj, viktima të vjedhjes, dhimbjes, vrasjes, dënimit, burgut, torturës së njerëzve të pafajshëm, burgimit e persekutimit të pronarëve të ligjshëm e profesionistëve të aftë, ekzekutimit të patriotëve, për kapriçot e pabesitë antishqiptare të kapos së kapove të komunizmit shqiptar Enver Hoxha.

E për ironi të fjalëve që luajnë me atë ç'ka shkruaj, kjo vilë ka në historikun e saj, pronarët e huaj.

Prej qershorit të 1942, kjo vilë është në pronësi të shtetases italiane nga qyteti i Genovas, Velleda Lucia Costa, e cila ia bleu truallin sipërmarrësit italian Vittorio Ercole Belloti. Ky sipërmarrës prej vitit 1940 ia kishte marrë me qera për 99 vite, pronarit Hamit Myftiu. Me një akt-shitje më 2 Qershor 1942 shtetasja italiane u bë pronare e truallit dhe e shtëpisë.

Enver Hoxha e zaptoi paligjshmërisht këtë Vilë për gati gjysmë shekulli duke marrë bashkë me të dhe vilën në krah, të pronarit Qemal Biçakçiu.

Ish-pronarët e vilave patën të njëjtin fat si pronarët e të gjithave vilave të Tiranës.

Hamit Myftiu u dënua me vdekje më 1948, ndërsa Qemal Biçakçiu bëri 14 vite burg e u persekutua deri sa ndërroj jetë.

 Më 1973, familja diktatoriale ndërtoi shtesën e re me arkitekturë socialiste, e njohur sot si bar-lokal i frekuentuar nga të rinjtë.

Thuhet se në këtë lokal, ashtu dhe në vilën e turpit, hyn e del si i shtëpisë, sot si dikur, i preferuari i Vejushës së Zezë.

Si "n'gjonë e huj" jep e merr me turistët e klientët që vijnë për ta vizituar.

Por në Tiranë nuk ka shtëpi pa zot, e në pronën e të tjerëve si dje dhe sot je veç i HUAJ.

©Alba Kepi